Patrioti intelektual tiranas Hafiz Ibrahim Dalliu

0
48

Hafiz Ibrahim Dalliu Ai ishte teolog, përkthyes, poet, publicist, mësues dhe aktivist shqiptar. Ai lindi më 1878 në një familje të vjetër tiranase, të përkushtuar ndaj besimit dhe atdheut. U diplomua në degën teologji-filozofi në Stamboll. Ibrahimi konsolidoi parimet fetare dhe intelektuale duke u përgatitur si një ndër klerikët, intelektualët, kontribuesit e rëndësishëm të shoqërisë dhe patriotët më në zë të kohës së tij.

Në vitin 1901 u emërua imam i qytetit dhe mësues në shkollën fillore të Tiranës, drejtuar nga Filip Ashiku. Kur shkollat u mbyllën, Hafizi vazhdoi kurset e gjuhës shqipe në familjet e qytetarëve tiranas, për ta rifilluar zyrtarisht këtë aktivitet në vitin 1908. Në 1908 hapi shkollën laike për mësuese të vajzave, në të cilën u arsimua edhe mësuesja e mirënjohur Servete Maçi; ishte anëtar i Klubit “Bashkimi”, që aspironte për mëvehtësi kombëtare në kohë të shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit).

Aktivizimi i tij i palodhur në çështjen kombëtare, qenë motivet që Hafiz Dalliu u zgjodh delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit më 1909, ku u vendos edhe hapja e Normales së Elbasanit (e para shkollë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe në Shqipëri), e ku Hafiz Dalliu u emërua mësues i kësaj shkolle të re përkrah Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Sotir Peçit me drejtor Luigj Gurakuqin.

Në vitet 1910 e gjejmë të angazhuar me armë në dorë në çetën atdhetare që drejtohej nga Abdi bej Toptani, e cila kreu veprime luftarake në Krujë e rrethinat e saj.

Më 26 nëntor 1912 është pjesëmarrës aktiv në përgatitjen dhe zhvillimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në Tiranë. Hafiz Dalliu, pas ceremonisë së shpalljes së Pavarësisë në Tiranë, është autori kryesor i përgatitjes së një Letër-Proteste dërguar forcave ushtarake serbe që ndodheshin në zonën verilindore të Shqipërisë dhe përgatiteshin të mësynin Tiranën duke i vënë në dijeni se Tirana kishte shpallur pavarësinë dhe ishte e gatshme ta mbronte me çdo çmim.

Në vitin 1920 është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në Kongresin e Lushnjes dhe pas kthimit në Tiranë është një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit.

Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në ngjarjet politike të kohës.

Ai mori pjesë në lëvizjen për çështjen kombëtare, rrëfyer prej tij në veprën monografike “Patriotizma në Tiranë”, (1930) që sjell dëshmi të përndjekjes në kohën e Turqisë, duke ndriçuar rolin e patriotëve tiranas në pavarësinë e vendit.

Në librin e tij “Patriotizma në Tiranë”, autori ka përmendur mbi 150 burra aktivistë e veprimtarë të vendosur të kombit, ku numëron edhe 15 emra hoxhallarësh tiranas.

Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Zog është marrë kryesisht me studime në fushën e fesë islame duke bërë komente, përkthyer, e interpretuar libra të shenjtë si Kur’ani si dhe vepra të personaliteteve të shquara islame.

Pas lufte e gjejmë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë për aftësitë dhe kontributin e tij në fushën e letërsisë, por ai nuk mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë. Personaliteti i tij që karakterizohej nga liria e mendimit dhe veprimit nuk mund të duronte kornizat ideologjike të periudhës. Iu kundërvu këtyre rregullave dhe për këtë përfundoi në burg ku edhe u sëmur rëndë dhe u nda nga jeta në vitin 1952, në moshën 74 vjeçare

Artikulli paraprakMë 5 Dhjetor 1912 u krijua ministria a veçantë e Post Telegrafës, ministër ishte eruditi Lef Nosi
Artikulli tjetërDhuna ndaj grave nuk është një problem individual, por një problem shoqëror