Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, duhet të fillojmë me RESPEKT

0
39

Dhuna ndaj grave përbën një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të grave në nivel global, duke ndikuar negativisht në shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Statistikat tregojnë se 1 në 3 gra ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së saj, ndërsa në shumë raste, kjo dhunë nuk raportohet për shkak të normave shoqërore që e justifikojnë ose mungesës së aksesit në shërbime thelbësore. Përveç kësaj, format e tjera të dhunës, si ngacmimet seksuale, janë gjithashtu të përhapura. Dhuna ndaj grave ka pasoja të mëdha sociale, ekonomike dhe shëndetësore, jo vetëm për gratë, por edhe për familjet dhe shoqërinë në përgjithësi.

Gjatë viteve të fundit, janë zhvilluar një sërë programesh për parandalimin e dhunës ndaj grave si dhe të kërkimeve mbi atë që funksionon për të reduktuar përhapjen, shpeshtësinë dhe ashpërsinë e kësaj dhune, njëri prej tyre është edhe “RESPECT Women”

RESPECT Women” është një kuadër gjithëpërfshirës për parandalimin e dhunës ndaj grave. Ky kuadër u zhvillua nga OBSH dhe UN Women dhe është mbështetur fillimisht nga 12 agjenci të tjera të OKB-së dhe partnerë bilateralë, duke u bazuar në Kuadrin e Parandalimit të Dhunës ndaj Grave në vitin 2015. Strategjitë e “RESPECT Women” janë përmbledhur në akronimin R.E.S.P.E.C.T, ku çdo shkronjë përfaqëson një strategji për parandalimin e dhunës:

  1. Fuqizimi i aftësive të marrëdhënieve – përmirësimi i komunikimit dhe vendimmarrjes së përbashkët.
  2. Fuqizimi i grave – zhvillimi ekonomik, social dhe aftësive personale të grave.
  3. Shërbime të garantuara – sigurimi i aksesit në shërbime shëndetësore, ligjore dhe sociale për të mbijetuarat.
  4. Zbutja e varfërisë – strategji për të ndihmuar gratë dhe familjet në kushte të vështira ekonomike.
  5. Krijimi i mjediseve të sigurta – sigurimi i hapësirave të sigurta publike, shkollave dhe vendeve të punës.
  6. Parandalimi i abuzimit ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve – promovimi i marrëdhënieve të barabarta gjinore dhe edukimit për një shoqëri pa dhunë.
  7. Transformimi i qëndrimeve dhe normave gjinore – sfidimi i stereotipeve dhe normave të dëmshme gjinore.

Ky kuadër është një udhërrëfyes praktik për politikëbërësit, zbatuesit e programeve dhe studiuesit, duke ofruar një qasje gjithëpërfshirëse për të reduktuar dhunën dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

Artikulli paraprakMirë se vjen dhjetor!