Bexhet Pulleja ka lindur më 4 korrik 1941 në Tiranë.

1957 – 1961 ka kryer studimet në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë për skulpturë.

1961 – 1964 ka studiuar për pikturë në Akademin Qendrore të Arteve të Pekinit ish R.P. e Kinës.

1964 – 1967 ka vazhduar më tej studimet duke i përfunduar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.

1967 – 1992 ka punuar si dizenjator, drejtues artistik në sektorin e panaireve, pranë Dhomës së Tregtisë të Shqipërisë.

Është autor dhe bashkautor i mbi 250 ekspozitave tregtare që kanë përfaqësuar Shqipërinë nëpër shumë vende të botës. Sot është pensionist por shumë i angazhuar në krijimtarinë artistike. Është i apasionuar pas artit klasik dhe përfaqsuesve më të denjë të Impresionizmit. Në fondin e krijimtarisë së tij ka vepra të punuara në periudhën e studimeve në ish R.P. të Kinës si peisazhe e portrete. Ka bërë riprodhime portretesh të figurave të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare konkretisht “Portreti i gruas së vjeter”, ”Portreti i Jan Six”, ”Portreti i profeteshës Ana”, “Autoportret i Rembrandit me libër”, portrete të aktorëve të shquar shqiptarë etj. Ajo që spikatet dhe e dallon pikturën e artistit Bexhet Pulleja janë ngjyrat dhe dashuria e tij ndaj qytetit të lindjes “Tironës”, piktura të cilat të sjellin pas në një peridhë nostalgjike, tepër të paqtë dhe shumëdimensionale në aspektin e vlerave historike të traditës së Tiranës në vitet 1920-45. Gjithsekush prej jush që dëshiron të shohi Tiranën e kohëve nostalgjike tashmë me ngjyra, e gjen gjithçka në tablotë e piktorit Bexhet Pulleja. Natyra shumëngjyrëshe është një tjetër aspekt që zë vend në pikturat e tij, ku spikatet një teknikë tepër depërtuese, detajuese të realizimit dhe ndjesisë emocionuese që përjeton kur i shikon, piktori Bexhet Pulleja flet për to dhe historinë që përmban secila tablo pikture me tepër pasion dhe dashuri. Ai vazhdon të punojë sistematikisht në fushën e peizazhit, portretit e kompozimit. Është i gatshëm për çdo porosi e bashkëpunim  nga cilido, kudo që të ndodhet sipas dëshirave të artëdashësve. Ne realizuam një intevistë miqësore me piktorin e cila u zhvillua në studion e tij. 

Duke parë pikturat tuaja ajo që të bën përshtypje janë autoprortretet dhe skicat që ju skiconi dhe pikturoni, lind pyetja se cila ka qenë piktura ose skica juaj e parë? – Fillimet e mija në këtë fushë janë të hershme qëkurse duhet të kem qenë akoma pa hyrë në shkollën fillore. Kam pas nji vëlla të madh Shefqetin, që sa herë vinte në verë për pushime nga gjimnazi i Shkodrës ”28 Nandori” sillte me vehte punime që i bënte në ngjyra uji me peqe. Ai ishte nji kaligrafist i shkëlqyer Po kështu dhe nji skicograf i mrekullueshëm që punonte me penë peisazhe të natyrës dhe ato floreale (edhe sot kur i shof ditaret e tij të mbushun me të tilla skica më pëlqejnë jashtë mase). Ai e ka pas pasion e deshirë të madhe të vazhdonte studimet për pikturë por nuk u bë e mundur të ndiqte studimet, megjithëse për nga talenti ishte ku e ku të krahasohej me moshatarët e tijë (disa nga të cilët i ndoqën studimet e u bënë artista shumë të mirë ). Por mesa duket fati apo Zoti i madh ma kishte rrezervu mua, shumë vite ma vonë (edhe kjo si rastësisht erdhi, mbase e tregoj ma tej në pyetjet në vijim).

Që në këtë moshë fare të njomë mundohesha të imitoja vëllanë tim. Me kalimin e kohës rreth vitit 1948 -1949 fillova mësimet e fillores në shkollën “Ismail Qemali” që ndodhet tek rruga “Tefta Tashko –Koço”. Aty u dallova në landën e vizatimit, kjo përparësi e imja ndaj shokëve vazhdoi në shkollën shtatvjeçare “Nji maji” ku mësuesi i fizikës përpara se të shpjegonte mësimin e ri më thoshte “çou Bexhet e na bëj gati skicën e landës që do të shpjegojm për herën tjetër”. Dëshira më hypi mjaft të punoja peisazhe nga fusha e mëhallës tonë dhe Lana.

Në këtë periudhë mësuesit më rekomanduan që në fillim të ndiqsha kursin e vizatimit në ish “Pallatin e pionierve” që në atë kohë ishte vendosur tek shtëpia e Musa Jukës. Këtu vazhdova deri sa kur mbarova 7-vjeçaren, më 1955-sën u futa në punë në kooperativën e porcelanit që ma vonë u shndërrue në godina e konsumit të gjerë Aty ne nji grup të rijsh na çunë për të punu në hapjen e themeleve të uzinës së re të porcelanit tek varrezat e Bomit, merrshe me vehte akuarelet e punojshe peisazhe të Dajtit apo të kodrës se priftit. Pikërisht këtu shokët që më shifshin si punoja më nxitën duke më thonë “O Bexhet pse rri ktu me ne në baltët e nuk shkon në liceun artistik ?”  Ishte tamom muji gusht kur i them babës or babë më kan thonë shokët që të shkoj në prova për t’u bo piktor në liceun artistik. Si tja boj? Dhe baba që kurrë nuk më ka dekuraju, por më ka mbështet më tha “Shko mër bir e provoje njiherë fatin se kushedi bohet noj send”. Shkova e mbasi bona ca dokumenta hyna në prova dhe fitova.
Por profesor Abdurrahim Buza më tha,- “Ti mër djalë do vazhdojsh për pikturë. Me thonë të drejtën un kisha qejf për pikturë por caktimi i degës nuk varej prej meje. Kështu fillova për skulpturë nën drejtimin e profesor Janaq Pao -s, këtu mbarova mjaft mirë këtë degë dhe kur pritshe që të filloja punën si butaforist në ish “Teatrin Popullor”, fitova dhe të drejtën për të ndjek studimet për skulpturë në ish “Institutin e Lartë të Arteve” sot “Universiteti Arteve” që sapo ishte hap dhe s’kaloj shumë kohë mu akordua nji bursë për restaurator në R. P. të Kinës. Nuk harroj që profesori i akuarelit Guri Madhi më tha ”Mos shko Bexhet, por rri këtu se do të bëhesh nji skulptor i mirë. “Por si i ri që isha dhe me qejfin se do shkoja jasht për studime nuk e ndëgjova profesor Gurin. Duke qenë se në Kinë nuk kishte degë restaurimi më futën direkt për pikturë. Këtu është tjetër periudhë që më ngarkoj më shumë përgjegjësi impenjim përpjekje e ambicje që më vlejtën për periudhën e mavonëshme. Fatkeqësisht nga punimet e mija të para nuk kam të ruajtun asnji. Kanë qenë akuarele të Lanës e mjaft skica që u bëja fëmijve të mëhallës që më kishin nominu si “piktori i mëhallës”.

A e kini pikturuar ndonjëherë vehten? – Sigurisht që kam bo nja tre a katër autoportrete.

Çfarë muzike preferoni të dëgjoni kur pikturoni ? – Më pëlqen jashtë mase muzika klasike me të gjithë korifejt e saj pa i përmendur se janë shumë. Më pëlqejnë kangët melodioze të kansonetave italiane e mbi të gjitha më pëlqen Claudio Villa, Taioli Buti etj. Më pëlqejnë të gjithë kompozitorët italianë nga Donizeti, Bellini, Rossini, Verdi, Puccini dhe gjithe pleiada e tyre e famshme. Kjo muzikë më frymëzon tej mase.

Ju keni një tablo autobiografike, me prindërit,  ku keni qenë në moshë të vogël, një tablo autobiografike që shpreh një botë plot nostalgji, përse keni zgjedhur këtë moment? – Po është e vërtetë që ajo tabloja është autobiografija ime. Aty jam mundu të shpreh nostalgjinë time për at periudhë të fëmijnisë së hershme me jetën e vështirë dhe hallet e jetesës, po që kurrë nuk më dekurajuan po më shtunë përpjekjet për të mësu e për t’u përball me vështirësitë e shumta të jetesës që i diktonte koha kur s’kishte pak vite që kishim dalë nga lufta dhe vendi mundohej të riparonte dëmet që kishte sjellë ajo e të luftohej ndaj prapambetjes së tejskajshme ekonomike.

“Tabloja me enë bakri” na ve në mendime kur shpreheni, që asnjë objekt bakri nuk është i njëjtë dhe ju e shprehni këtë tek ngjyrat e kompozimit artistik – Në pikturën serioze nji profesionist i vërtetë dallon dhe diferencat që egzistojn edhe në objektet në dukje të njëjtë por që në fakt sigurisht që kanë dhe dallime jo vetëm në formë por edhe në materie në ngjyrë etj. Pikërisht këtu shihet dhe shkalla e vështirësisë që zgjidh një piktor i mirëfilltë. Un mendoj se artistët e kavaletit kanë për mision që t’i ofrojn shikuesit punë vërtetë dinjitoze edhe si rrespekt në rradhë të parë për ato. Vepra duhet të jetë sa më e lexushme dhe që t’u sjellë kënaqësi vërtetë estetike atyre që u a paraqesim.

I keni numëruar sa portrete skica keni bërë deri tani? – Të them të drejtën që deri në një fare kohe e dija por tashti nuk e dije se sa kam punu. Do u dalë punë fëmijve të mi të bëjn nji bilanc se sa mund të jenë ato.         

Po portrete shqiptare? – Janë shumë. Përvec filmit dokumentar të R.T.Sh-së që e kam në disk janë dhe nja dy a tre artikuj gazetash. Njëra më e hershme nji reportazh i Niko Nikolla-s e vitit duhet të jetë e pranverës së 1959 ose 1960-të ndodhet në gazetën “Bashkimi” (koleksioni në bibliotekën Kombëtare).

Tirana dhe mjeshtri i pikturës Bexhet Pulleja – Tirona asht zemra ime, nostalgjija që do më shoqërojë deri sa të mbyll sytë, besoj se dhe atje në botën tjetër ajo do jetë pranë meje në zemrën time.

Ju keni shumë piktura të Tiranës së viteve 30, pse jeni përqëndruar më shumë në këtë periudhë? – Tirana e viteve të hershme ka qenë nji mrekulli dhe un nisun dhe nga fakti që tashti jam ke 76-vitet mbaj mend shumë nga ato perla që nuk më shkulen nga mendja pamvarësisht nga fakti se sot shumica dërrmuese e tyne fatkeqësisht nuk egzistojn. Un jam mundu që nji pjesë të asaj Tirane që kan mbet nëpër foto ta ringjallë në punimet e mija me besnikërinë ma të madhe për t’a paraqit atë Tiranë ashtu siç ka qenë e jo ndryshe pa e fantazu por në mënyre autentike se për ndryshe këto punime që kom punu nuk do kishin asnji vlerë.

Pikturat tuaja janë të lexueshme dhe emocionuese, të bën të përjetosh vitet 30, kur e sheh një tablo të tillë të Tiranës – Në qoftë se vërtete kam arrit sado pak të shpreh at përfytyrim tim për Tiranën e dikurshme aq sa t’u sjellë kënaqësi shikuesve, kjo do të më mbushte jo vetëm me krenari por dhe me kënaqësi se në fund të fundit dhe un po bëj diçka për “Tironën” dhe brezat e ardhshëm, ku me anë të pikturave do të dalin ma në pah vlerat e Tironës së dikurshme me shtëpija të ulta me kopshtije rruge me kalldram me vija uji që dikur e përshkojshin anë e kand qytetin me ato ndërtime fantastike të arkitekturës spontane e qytetëse me pazarin e vjetër etj.

Me origjinë jeni nga Dorzi i Pezës, keni bërë piktura për Pezën?

– Është e vërtetë që me origjinë jam nga Dorzi i Pezës, dhjet km në linjë ajrore nga Tirona, por mos harroni se un lidhjet e mija për vetë faktin si ka rrjedh jeta ime i kom plotësisht me Tironën. Unë venlindjen time e njof pak, prindët e mij biologjikë nuk i kam njoft kurrë se ata fatkeqësisht u ndanë nga kjo jetë kur un isha dy tre vjeç dhe pikërisht në këtë kohë fill në vitin 1944 jam birsu e un prind njoh këto që më rritën me mund e sakrifica e që ishin autoktonë Tironas (Mos harroni se Tirona osht popullu me katundet për rreth dhe ato janë në të vërtetë bërthama e Tiranës, tuj fillu nga Dajti, Zallbastari, Farka, Lundra, Fagu, Kaceli, Mulleti, Petrela, Arbona, Dorzi, Peza, Baldushku, Preza etj. etj.

Intervista jonë nuk mbaron këtu, por mbetet të themi që është pjesa e parë. I urojmë suksese Piktorit Bexhet Pulleja dhe sa më shumë piktura që paraqesin një pjesë tashmë të harruar të Tiranës, që përbëjnë bërthamën e një periudhe me mbresa historike për qendrën e Shqipërisë, kryqytetin. Në mbështetje të pasqyrimit, njohjes dhe promovimit, të dialekteve shqiptare, biseda me mjeshtrin piktor Bexhet Pulleja do pasqyrohet sipas dialektit “tirons”.

 

ALVA – Manjola Perja