Prof. Dr Dhimitër Pilika u lind në gjirin e një vatre atdhetare të Korçës, më 30 prill 1923. Gjyshin i tij, Thimi Mitko e rendit ndër rilindasit e flaktë për botimin e “Bletës shqiptare” (1878).

Pasi mbaron Liceun Francez të vendlindjes me rezultate të shkëlqyera, fillon studimet pranë Universitetit të Sienës (Itali), ku dallohet si absolvent i Fakultetit të Drejtësisë. Merr pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare në drejtimin e njësiteve guerile duke siguruar medikamente për qindra demonstrues të plagosur, si dhe për batalionet partizane të qarkut, nëpërmjet katundit Orman- Çiflik. Pas Çlirimit, në 1945 zgjidhet kryeredaktor i fletores “Zëri i rinisë”, në Korçë. Bashkëpunon ngushtë me gazetën “Përpara” të Korçës (1944-1945), ku shkruan kryeartikuj, ese historike dhe letrare, skica, poemën “Borovës dëshmore”, një studim të gjatë për komunarin Pol Verlen, të shoqëruar me shqipërimin e kryeveprës poetike të këtij vigani të përmasave botërore. Jep mësim në lëndët shoqërore të shkollave të mesme të Korçës, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës.

Nderohet me dy medalje ari dhe i jepet titulli “Doktor” në histori dhe gjuhë shqipe pranë Fakultetit të Filozofisë, si dhe në romanistikë – helenistikë tek Fakulteti i Filologjisë pranë po të njëjtit Universitet të Pragës.

Themelon dhe drejton “Seminarin shqiptar”, qendër e nderuar studimesh dhe kërkimesh albanologjike pranë Universitetit të Karlit në Pragë, ku ngarkohet si profesor me ligjërimin e mbarë disiplinave albanistike, të cilave u njihet e drejta unikale krahas vetëm bohemistikës edhe rusistikës, për doktorata me “monostudim” të vlefshme në shkallë ndërkombëtare.

Gjatë një qëndrimi afro 15-vjeçar në prehrin e një prej çerdheve universitare më të të moçme evropiane, dijetari i ri shqiptar, gjen shtegun të thithë ajkën e përvojës më të vyer për kombin tonë nga qindra biblioteka, institute, katedra, muze, arkiva, ekspozita, kongrese shkencore… Përpos shërbimit pedagogjik të shpërblyer, armik i betuar i çdo lakmie për pasurim monetar, ai i shton punë vetes dhe udhëheq me nismë vetiake, falas, ndër të tjera, përpilimin edhe nxjerrjen në dritë, me ndihmën e studentëve dhe bashkëpunëtorëve, të 64 botimeve çekosllovake me brendi arbërore. Përmenden: monografi – dorëshkrim, tekste akademike, fjalorë, tekste per gramatikën, historinë e përgjithshme dhe letërsinë, manuale konversacioni, antologji të këngëve tona popullore dhe partizane, kushtetuta jonë shtetërore, planet ekonomike (dyvjeçari dhe pesëvjeçari i parë), albume, buletine, broshura, fletëpalosje, hartë dhe atlas gjeografik, përkthime të ndryshme prej mijëra faqesh, vepra “Shqipëria vend shqiponjash” në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, rusisht, ribotimi i “Fjalorit” të Konstandin Kristoforidhit etj… etj…

Përveç lëmit didaktik dhe botues, studiuesi ynë i kushton një mund të pandërprerë gjurmimit të gjithçkaje që lidhet me Shqipërinë në letërsinë, artin, shkencën, kulturën çekosllovake në përgjithësi. Korrjet edhe në këtë drejtim dalin befasuese. Ai heton dhe përcjell në atdhe, pa pranuar kurrfarë pagese, tridhjetë arka madhore të mbushura kryesisht me “albanica” nër të cilat spikasin:

  1. Trashëgimia e botuar dhe dorëshkrimore prej disa mijëra fletësh e albanologut të dëgjuar çek, Profesorit Jan Urban Jarnjik (1848 -1923), rektor i Universitetit të Pragës, zotëruesi më i mprehtë i shqipes së folur, ndoshta midis tërë albanologëve bashkëkohës. Aty përfshihet sidomos vëllimi manuskript “Mjaltë nga bleta shqiptare”, simotra klasike e panjohur dhe e pabotuar e “Bletës” aleksandriane të Thimi Mitkos, një epistolar ologrif albanologësh të shquar, një letër e Bajram Currit… (Origjinalet ruhen pjesërisht në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit, Tiranë, së bashku me një libërth të botuar në Pragë mbi këtë mirëdashës të zjarrtë çek të vendit tonë… ) etj… etj…
  2. Arkivi prej mijëra dokumentash, ende të painventarizuara të rilindasit sllovak, Profesorit Pavel Jozef Shafarik (1795 -1861), i fal mundësinë të hulumtojë dhe të pikasë midis të tjerash, 300 vula ballkanase të zbuluara nga ky historiograf i mirënjohur në Evropë. Riprodhon ndërmjet tyre, vulat e Skënderbeut, shtetëroren dhe sekreten, të përdorura rreth vitit 1466, “myhyret” e Balshëve tanë (rrotull viteve 1373 – 1385, vulën e Aleksandrit, zotit të Kaninës dhe Vlorës, (1368)… Aty has 550 faqe dorëshkrim me toponime dhe shënime mbi vendbanime arbërore qysh nga Lashtësia deri në shekullin XIX, qindra punime, dorëshkrim mbi Arbërinë dhe Gjergj Kastriotin, si dhe mbi ngjarjet tona historike të viteve 1142 – 1206, mbi shtypshkronjën e Shkodrës (1630), të Voskopojës (1746).

Shafariku shprehet qartë se qe thelluar mbi librat e humanistëve tanë, Marin Barleti dhe Pjetër Bogdani. Për këtë minierë të pashtershme burimesh historike të pashfrytëzuara, kërkimtari shqiptar, Pilika e quan për detyrë të ketë vënë në dijeni, së pari, mikun e vet medievistin e famshëm francez, profesorin Alain Ducellier.

  1. Dhjetëra biblioteka dhe arkiva të tjera çekosllovake i japin mundësi ekspertit tonë të zbulojë:

qindra burime dhe botime të panjohura mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, posaçërisht portrete, një letër autentike e heroit, dy vepra dorëshkrime origjinale, të pabotuara, të historiografit kastriotolog, Gabriel Kolinories (1698 – 1770), nga Seneci i Sllovakisë, (i cili nuk përjashtohet të ketë pasur gjak arbëror); gura prageze vendimtare, të anashkaluara, mbi mbrujtjen artistike të aktorit tonë gjenial, Aleksandër Moisiu; të dhëna mbi poetin madhor çekosllovak Stanjislav Kostka Nojmann (1875 – 1947), autor i dy librave në prozë, “Elbasan” dhe “Beragozhd” (fshat afër Pogradecit), i qindra vargjesh të përzemërta mbi truallin tonë, i 31 miniaturave akuarelë me motive elbasanase, dëshmi, fotografi të panjohura mbi korifeun e albanologëve, Profesorin Norbert Jokl (1877 – 1942), risi mbi albanologun, Profesorin Hertrig Jarnjik (1877 – 1938), të birin e Jan Urbanit, adhurues i shqiptarëve gjithashtu si i ati. Shkurtimisht, mbarë “albanica-t” e zbuluara në Çekosllovaki, sikur të botoheshin, do të mbusheshin vargane raftesh biblioteke. Një pasqyrë sintetike e këtyre thesareve çeke, janë përmbledhur në aktet e botuara të Konferencës së Parë të Studimeve Albanologjike, (Tiranë, 1962), dhe te revista “Ylli”, nëntor 1962.

Poema “Hapini rrugën paqes!…” (1951), e përkthyer në mëse dhjetë gjuhë, çmohet nga një juri interkontinentale, me në krye, Nazim Hikmetin, Nikolas Guilenin…, e cila do t’i dhurojë Dhimitër Pilikës, në Pragë, Diplomën e Artë si Laureat i Çmimit Ndërkombëtar të Paqes…

Veprimtaria e gjithanshme albanologjike e “Seminarit shqiptar” të Universitetit të Pragës, nën drejtimin e shkencëtarit tonë, vlerësohet me lavdërime prej një trajtese të botuar nga Akademia Çekosllovake e Shkencave (1954). Pas prishjes së marrëdhënieve me Çekosllovakinë, albanologu ynë do të transferohet nga Universiteti i Pragës në Universitetin e Tiranës, ku boton vëllimet: “Dorëshkrimi i Pragës” vëllimi i dytë; “Bletës shqiptare”, “Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit (edicion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë).

Në Shqipëri shohin dritën e shtypit gjithashtu studimet mbi:

  • “Lidhjet miqësore ndërmjet popujve çekosllovakë e shqiptarë përgjatë shekujve”;
  • 73 studime “albanica-sh, vulën shtetërore të Skënderbeut (1466);
  • prejardhjen e shqiponjës së flamurit tonë;
  • një letër të panjohur dhe të pabotuar të Gjergj Kastriotit;
  • gjeneralisimi shqiptar Gjergj Basta;
  • një dokument për Vlorën, i vitit 1493,
  • saktësimi i ditëlindjes edhe ditëvdekjes së Thimi Mitkos (1820 – 1890);
  • 21 dokumenta, që vërtetojnë katërcipërisht praninë e shqiptarëve në trojet amtare mes shekujve II dhe XI të erës sonë;
  • vëllimet “Arbërore” të poetit çekosllovak S.K.Nojman;
  • një portret letrar të Nojmanit;
  • një ese për Pablo Nerudën, të shoqëruar me shqipërimin e një poezie të tij për Shqipërinë;
  • një sprovë për Jirzhi Volker, poetin çekosllovak mik të popullit tonë;
  • një trajtesë për poetin turk Nazim Hikmet, të përcjellë me shqipërimin e një poezie të tij, ndërsa ky dergjej i burgosur;
  • shqipërimin e poezisë së Aragonit për Gabriel Perinë;
  • një syth për Galileo Galilein lidhur me një poemë “Kastriotase”;
  • kërkesën për një bibliograf shkencor të krejt degëve të albanologjisë;
  • një sprovë të gjatë për Volterin dhe shqiptarët etj…

Redakton vëllimin e dytë të romanit “Para agimit” të Shefqet Musarajt, një përmbledhje poezish të Vehbi Skënderit, monografinë e Pal Doçit mbi Mehmet Shpendin, etj.

Në orvajtje të pareshtura për të gjetur “albanica” të panjohura, zbulon:

– Një dorëshkrim të pabotuar të shekullit XIV, prej rreth 240 faqesh, me gurra historike mbi qytetet tona mesjetare.

-Emblema trevash të Arbërit, prijësish stërgjyshorë.

– Monedha të shekullit V, në këmbët e një ure të gurtë pranë Maliqit.

– Monedha të shekullit XII, rrëzë një ure druri afër Maliqit.

– Një burim historik që shpjegon imtësisht se si nën shembullin e prishjes së Bastijës 1789 muslimanë korçarë, me vullnet të përbashkët, rrënojnë nga themelet, gur më gur, kështjellën e hershme qytetare, simbol të shtypjes sulltanore (1826).

– Një anëshkrim të rilindasit Thimi Mitko, i cili hynte dhe dilte në familjen e Mehmet Aliut të Egjiptit, ku garantohet se i pari i saj nuk rridhte nga Kavalla, por nga katundi Bubuq pranë Sovjanit (Korçë).

– Një poemë, dorëshkrim e pabotuar, prej mëse 1500 strofash tëtërrokëshe në italishten mesjetare, mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

– Fotokopja e plotë e organit të Lidhjes së Prizrenit, “Zëri i Shqipërisë” me 40 numra (1879 – 1890), e botuar shqip dhe greqisht prej mëmëdhetarit Anastas Kullurioti (1820 – 1887), që i dhurohet Bibliotekës së Universitetit të Tiranës (1967).

I përgjëruar pas gjenisë së popujve, mendimtari ynë qëmton burime prej mijëra skedash mbi marrëdhëniet miqësore midis popullit shqiptar dhe popujve çekë, sllovakë, francezë, italianë, kinezë…

Përbri “albanica”-ve të mësipërme, ruan pranë Muzeut Historik Kombëtar edhe këto dorëshkrime të pabotuara:

– Një monografi prej qindra faqesh mbi jetën dhe veprën e flamurtarit rilindas, Thimi Mitko.

– Një bibliografi të folklorit shqiptar prej mijëra gjurmimesh.

– Analizën e një pasqyre të gjinive përfaqësuese të folklorit tonë, dorëshkrim tjetër, i panjohur, i Thimi Mitkos.

– Një bibliografi të poetit kombëtar Naim Frashëri.

– Një syth mbi shkrimtarët me prejardhje shqiptare në letërsinë turke.

– Një trajtesë mbi yllin e një monedhe të Aiakut pellazg, pararendësit të Pirro Mollosit dhe Akilit, të trashëguar brez pas brezi, përkrah shqiponjës në vulën shtetërore të Skënderbeut, provë tjetër e zanafillës pellazge-ilire të kombit arbëror.

– Parashtesën e “albanica”-ve të tjera të ndodhura në arkiva të jashtme: Çeki, Sllovaki, Francë, Itali, Greqi, Egjipt, Turqi…

Këto vepra, të trashëguara nga 30 arkat me “albanica” të vjela në Çekosllovaki, ngazëllenin pa masë dashamirësit e shkencës sonë, po aq sa pikëllonin xhelozinë e mendjeve shterpe “më të tmerrshmen e xhelozive”, sipas Shekspirit. Për një dukuri të tillë ngulmon Anatol Fransi: “Armata e panumërt e të patalentuarve do të të paditë se ke përdhunuar tët ëmë, se ke masakruar tët atë… dhe do të gjejë ditën të të ngulë thikën…”

Smira vrastare e kolegëve të tij të paaftë, të nxitur dhe nga interesa racistësh të huaj, e përplas historianin premtues nëpër baltërat e Myzeqesë pa kurrfarë faji për dhjetëra vjet, me qëllim asgjësimin. Por ai, i palodhur, nuk dorëzohet kurrsesi, edhe pse i dënuar përdhunisht, pa familje, pa banesë, pa bibliotekën dhe arkivin e tij të ngjeshur me margaritarë të rrezikshëm për veglat antishqiptare mes nesh…

Ai lektis pas popullit mahnitës myzeqar dhe nga nga kjo dashuri e prushtë lindin arritje madhështore. Me ndihmën e nxënësve mbledh 22000 këngë popullore, mijëra toponime dhe gojëdhëna, ngre dhe plotëson me eksponate të zhbiruara në livdhet anë e përqark, Muzeun Historik të Divjakës, Muzeun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për krahinën e Lushnjës, projekton muzeun e Kongresit Kombëtar të Arsimit (Lushnjë 1920), çel kurse të anglishtes dhe frëngjishtes për të rriturit, zbulon 7 punishte të stërhershme qeramike në rrethinat e Divjakës me emra pronarësh pellazgë, ilirë, nekropolet parailire të Bishtçukësit edhe Gërmënjçokut, një mozaik midis këtyre, dëshminë e pakundërshtueshme anzhuine se kështjella e Bashtovës është ndërtuar nga muzgu i shekullit XIII dhe aspak më vonë, mauzoleun dhe kalanë e Muzaqëve në Moglicë, tuma dhe dhe një mur pellazg pa llaç, Nusen e Kulanit, një terrakotë me kryet e hyjneshës pellazge Dhemetra, monedha të stërmoçme dhe mesjetare, amfora,vazo parailire, bazorelievin e një menade pellazge, njohuri të shkruara arkivore për Matrangët, prijës mesjetarë etj., etj. Gjithçka kryhet në mënyrë shembullore pa përfitime financiare, jashtë çdo detyrimi për një arsimtar tetëvjeçareje.

Pas ropatjesh raskapitëse dhe traumatizuese gjatë tri motesh pa marrë as dhe një ditë leje vjetore, ai sëmuret rëndë me kërcënim për jetën. Cfilitësit nuk ngopen me kaq. Pasi e rrasin në shtrat për vdekje shkaktari ballor shpall nga maja e kolltukut, se kush rri kot, të burgoset si parazit….! Lasgushi e damkos botërisht këtë krim bishar me vargjet:

“Bretkosat e moçalit se ç ?vranë drenë e malit…!”

Edhe pse i sëmurë rëndë ai lihet vijimisht pa mjete jetese pa pension, por nuk e lëshon veten, sado i gjymtuar keq. Në kushte mjerane nuk e ndan penën nga dora.

***

Pa shkelur ende në të dymbëdhjetat, çamarroku korçar pat lexuar dy vëllimet e juristit çam, Kostandin Karapano, bashkëshkollor i Ismail Qemalit, mbi zbulimin e Dodonës, kryeselisë së pellazgëve hyjnorë, botuar më 1875, sipas këshillave të Plakut Vlonjat. Nga rinia deri në pleqëri të thyer, atdhedashësi ynë nuk e gëlltiti dot gënjeshtrën e përhapur me mjeshtëri, “kinse paska kryeqytet të pellazgëve në Ballkan të rënë prej qiellit, pa banorë, të cilësuar “qenie përrallash”, pa palcë historike!”. Gjatë dhjetëvjeçarësh lëvruesi këmbëngulës përpihet prej kësaj të vërtete të prekshme dhe përfundon me disa ekzemplarë monografinë gati për botim, mbi prejardhjen pellazgo-ilire të popullit tonë, më të lashtën duke u mbështetur mbi mëse 5000 dokumenta rrënjëse dhe të huaja.

Merr ftesë për të mbajtur në “Palais du Luxembourg”, Paris, një referat gjatë Kongresit “Hapësirë adriatike”, ku ishin ftuar 600 eruditë nga 5 kontinente. Dokumenton me dëshmi specialistësh të huaj dhe shqiptarë se, populli ynë është më i vjetri në Evropë. Teza e botuar ngjalli jehonë në rrethet akademike (1994).

Në Seminarin Ndërkombëtar të Shkodrës, në 1995, Pilika paraqet punimin “A është Shkodërlokja parailire, pellazge?…”, që pritet me interes të veçantë.

Me 16 intervista në Radio Tirana demonstron se flamuri shqiptar është më plaku ndër shokët evropianë (1995).

Gjatë Kuvendit të Durrësit, për Aleksandër Moisiun, në 1995, me anën e 300 kumtimeve arkivore, faktoi se: “aktori më i madh në botë” sikundër është mbiemëruar, mbërriti me djersën e tij tek teatri i Pragës, nga figurant, në kryeaktor si krijesë e vetvetes dhe aspak si e regjisorit Maks Lainhart, siç është thënë.

I jep shtypit parathënien dygjuhëshe në fjalorin shqip-frëngjisht të profesorit të vet, Vedat Kokona (1998).

Në sesionin përkujtimor, në Universitetin e Tiranës, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Balzakut, Pilika paraqiti të dhëna të hollësishme për mjeshtrin francez, i cili më 1828, kish bërë një përmbledhje këngësh popullore shqiptare prej rreth 300 faqesh të përkthyera frëngjisht (1999).

Më 14 maj 1999 boton një kushtim të rrallë në mbrojtje të vëllezërve shqiptarë të Kosovës.

Grishet zyrtarisht në Pragë nga profesorë çekosllovakë, për hulumtime akademike dhe sjell së andejmi shumë “albanica” të reja (2000).

Kumtesën “Përse ishte Lasgushi adhurues i flaktë i Kosovës” dhe një letër tetëfaqëshe të poetit ia bën të njohur seminarit ndërkombëtar të Prishtinës (2001).

Nderohet nga qeveria e Republikës Franceze me ftesë zyrtare një mujore për kërkime shkencore në Paris. Përveç qindra dokumenteve të zbuluara për lidhjet midis popujve francezë e shqiptarë, ai sjell në Tiranë riprodhimin e një vepre unikale për historinë e Shqipërisë. Falë ndihmesës fisnike të profesorit Dominique Briquel, i cili vuri në përdorim aparaturat e sofistikuara me rreze lazer, duke i sjellë kombit shqiptar një kopje të traktatit historik, gjeografik, enciklopedik, të zbuluar në një arkiv mesjetar italian nga iluministi ynë, Dhimitë Pilika. Dorëshkrimi prej 1040 faqesh format madhor në latinisht, i është dhuruar arkivit të Muzeut Historik Kombëtar.

Dhimitë Pilika, si personalitet i shqur i kulturës shqiptare, është ftuar për të marrë pjesë dhe për të mbajtur ligjërata në disa kongrese shkencore ndërkombëtare në College de France, Paris etj.

Poligloti ynë përdorte dhe shfrytëzonte dhjetë gjuhë të huaja.

Dhimitër Pilika, vdekja pa bujë e dijetarit nga Dr.Moikom Zeqo

Mëngjesin e 31 dhjetorit që kaloi, isha nisur për në qytetin e Shkodrës për t’i dërguar kopjet e para, doktoreshë Terezina Sumës të librit “Familja Suma” të shkruar prej saj. Ky libër është historia e një familjeje shqiptare që përmendet nga kronikat që nga periudha anzhuine, në periudhën e principatave shqiptare, të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe në shekujt e mëvonshëm. Kjo familje e famshme me histori të dokumentuar gati 800-vjeçare ka pasur personalitete të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës, klerikë, madje prelatë në Vatikan, konsuj në Venedik, në Sankt Peterburg, në Jeruzalem, tregtarë të mëdhenj, njerëz të dashuruar me artin, me librat dhe pikturat. Ky libër është një modul se si mund të shkruhet historia e një familjeje si pemë gjenealogjike, hap hulli të reja në rrafshin disiplinor shkencor për studime të ngjashme dhe të shumëfishta. Pikërisht në shtëpinë e Terezina Sumës, një grua e jashtëzakonshme dhe e ditur, tashmë e moshuar, mjekja më e njohur e zemrës në Qytetin e Veriut, më ra telefoni celular dhe një miku im, një nga studiuesit seriozë të letërsisë, Kristaq Jorgji më vuri në dijeni me pikëllim se kishte vdekur në spital Prof. Dr. Dhimitër Pilika. Duke pasur një gjendje shpirtërore midis gëzimit të një libri dhe një hidhërimi të beftë vendosa menjëherë të kthehem me shpejtësi nga Shkodra në Tiranë për të marrë pjesë në varrimin e Pilikës, për t’i bërë nderimet e fundit. Rrugës sillja ndërmend tërë vitet e gjata të njohjes sonë të përbashkët. E kam njohur Pilikën që në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Shkak u bë botimi prej tij për konferencën e parë albanologjike të një numri të veçantë dokumentash që Pilika i quante “Albanica”. Këto dokumenta qenë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Për herë të parë ai botonte vulën origjinale të kancelarisë kastriotase, vulën sekrete në formë geme antike po të Skënderbeut që paraqiste një skenë mitologjike, një vajzë nudo, Ledën pellazge dhe pranë saj Zeusin në formë mjellme. Pilika qe një mesjetarolog i shquar dhe bëri zbulime substanciale për Mesjetën Shqiptare. Ai me një ngulm benediktian, me një durim dhe zell të paepur hulumtonte arkivat e huaja për të nxjerrë në dritë relike të patjetërsueshme të historisë së Shqipërisë.  Ai qe një njeri i veçantë me një kod mirësjellje dhe me një modesti habitëse, madje tronditëse. Ai ishte i kujdesshëm dhe gjithmonë me merrte në telefon për shkrimet apo librat që unë botoja. Unë kam mësuar shumë nga instinkti i tij i hulumtimit, nga akribia dhe dashamirësia e tij e madhe. Por veçanërisht dhjetë vitet e fundit miqësia jonë u bë më e madhe. Unë kam qenë një nga miqtë e tij më të afërt dhe kam shkuar shpesh në shtëpinë ku banonte, në një dhomë plot me libra dhe dorëshkrime. Pilika jetonte në një apartament me familjen e vëllait të tij, në një ngushticë të rëndë, pa studio dhe tepër i kujdesshëm që të mos shqetësonte në asnjë mënyrë familjarët. Zbrisnim shpesh në një klub të vogël ku bisedonim gjatë. Bisedat qenë vazhdimisht për historinë, për këtë Nënë të Kujtesës. Kultura e Pilikës qe ajo e një eruditi të madh. Ai qe një frankofon i shkëlqyer por njihte mirë edhe latinishten, disa gjuhë sllave etj. Kishte një interes të madh për arkeologjinë dhe qe i mirëinformuar për zbulimet më të fundit në këtë dije. Sa herë kam diskutuar me Pilikën sidomos për problemin e pellazgëve për të cilin ai kishte një pasion të pabesueshëm. Kam lexuar në dorëshkrim disa libra të tij ende të pabotuar. Libri më i madh afro 1000 faqe është libri pellazgjik. Një libër tjetër i kushtohet figurës së Pirros së Epirit. Libra të tjerë janë kulturologjikë por ai gërsheton filologjinë me dokumentacionin, arkivistikën me kriticizmin burimor të të dhënave. Veprat e tij të botuara në shtypin shkencor, si dhe ato të pabotuarat mund të përfshijnë mbi dhjetë vëllime të formatit të madh.

Dhimitër Pilika qe një njeri larg bujës. Ai respektonte sentencën e Senekës për të qëndruar larg publicitetit, tepër serioz dhe tepër i sinqertë ai thurte në vetminë e tij të vështirë veprën e vet. Mik i të tërë intelektualëve me emër ai qe sidomos mik me Lasgush Poradecin. Të rinjtë e njohin pak apo aspak këtë dijetar. Unë që përfaqësoj moshën e mesme mund të bëj një ndërlidhje dhe mund të them se Dhimitër Pilika qe një nga dijetarët më punëtorë por dhe më të heshtur të shkencës shqiptare. Jam i sigurt që ai do të vlerësohet më shumë në të ardhmen. Kurrë nuk do ta harroj atë ditë kur Dimitër Pilika i dhuroi Arkivit të Muzeut Historik Kombëtar dorëshkrimin e fotokopjuar të një vepre mbi 800 faqe të shkruar në latinisht por dhe me shkrime në greqishten e vjetër, bizantine, madje dhe arabe dhe hebraike të quajtur “Lashtësitë ilire”. Një kopje të këtij dorëshkrimi që i takon shekullit XVIII donim t’ia çonim Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës. Qe vendosur të bëhej një ceremoni me këtë rast në Prishtinë ku do të ishte i pranishëm dhe Dhimitër Pilika. Madje unë u mora dhe me nxjerrje e pasaportës së tij të re për të dalë jashtë shtetit. Por kjo pasaportë ka mbetur në një nga sirtarët e tavolinë time të punës në zyrën e Muzeut Historik Kombëtar. Donim të shkonim në fillim të pranverës së vitit 2004 në Prishtinë por ja që ndodhi që dita e fundit e jetës së Pilikës qe pikërisht dita e fundit e vitit 2003.

Burimi:

 

Akademiku Prof. Kristo Frashëri dhe prodhimtaria e tij shkencore 70-vjeçare

 

Kristo Frashëri është djali i parë i patriotit dhe rilindësit Anastas Frashëri e i Evdhoksi Tole-Ogrenit dhe rrjedh prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati   si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli.

Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi De Radën, ai ka shkruar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit etj.

Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si:

  • “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997);
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002);
  • “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004);
  • “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006);
  • “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005);
  • “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006);
  • “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006);
  • “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008);
  • “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008) etj.

Burimi:www.arberiaonline.com / Përgatiti për ALVA – D.T.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu