Në historinë mijëravjeçare në analet e historisë ruhen të kronikuara vetëm tri tërmete. Sipas burimeve historike, tërmeti i parë përkon me vizitën e Ciceronit në Durrës kah mesi i shekullit të parë para erës sonë. Disa shekuj më vonë, përkatësisht në vitin 345, një tërmet tjetër do të shkundullonte sërish portin më të njohur të Adriatikut. Një vepër anonime, që i përket gjysmës së shekullit të katërt, është njoftimi i vetëm për këtë tërmet. “Dyrrahu për arsye të veseve të këqija të banorëve të tij u shkatërrua nga perëndia e zemëruar, u fundos e nuk u duk më”, shkruan anonimi i traktatit të quajtur “Përshkrim i gjithë botës dhe popujve” (Descriptio totius mundi et gentium).