Ajo çka të tërheq më së shumti nga ky urtak i përvajtur, gjatë bisedave të shumta me Shabanin, çka ka edhe një karakteristikë të veçantë se përshtatet me të gjitha moshat, domosdo që interesante është edhe historia e rripit të pantallonave të të vëllait të tij, Islamit, që ende sot e mban ngjeshur, pra për në shumë se 68 vjet rresht.iteve).
E gjithë kjo memorie historike duke qenë e akumuluar me thesarin e dijes së Shaban Balisë, vendosi që t’o skaliti në vargje e një ditë mbushi fletët duke nisur të shkruaj librin e tij të parë “Gurë të ngulun në Nokshiq” i pasuar nga librat e tjerë. Brezat kanë se çfarë të mësojnë nga librat e tij.
JETËSHKRIMI
Pas shkollës fillore në Plavë mbaroi shkollën 8-vjeçare me mësues Shaban Ferrin.
Në vitin 1953 kreu shkollën një vjeçare për mekanikë bujqësore.
Punoi në kantierin e ndërtimit si shef llogarie në Bajram Curr për 4 vjet.
22 vjet punoi pranë SMT-së në Bajram Curr.
Për 10 vjet punoi si traktorist.
12- vjet si brigadier i makinerisë së rëndë.
Pastaj doli në pension.
Që pas 90-s jeton në Teksas të SHBA.
“Kujtimet e Babës”
“Gurë të ngulur në Nokshiq” është libri i parë kushtuar heroizmit të Nokshiqit, vendit të origjinës së autorit dhe luftrave shumëshekullore të shqiptarëve në përgjithësi për mbrojtjen e trojeve amtare. Një libër epope mes historisë dhe epikës, kushtuar heroizmit të fisit të tij dhe burrave të këtij fisi e të tjerëve që u flijuan dhe me gjakun e tyre skalitën në pasaportën e shekullit emrin e lartë të heronjve për t’u kujtuar nga brezat e sotshëm dhe të ardhshëm dhe për të mbetur në analet e historisë legjendar i legjendave të vërteta të shqiptarëve. E për të treguar trashëgiminë ndër breza Shaban Bali Nokshiqi e përjeton në vargje duke dhënë mesazhin se kombi ynë jeton në histori:
Duhet me u pri, jo me prit fatin
Të vërtetës me ja dhanë hakin
Me fjalë plaki hiqja plafin.” “Me katër rreshta” nga libri “Gurë të ngulur në Nokshiq”
Duke lexuar librin ”Gurë të ngulur në Nokshiq” mendja e njeriut hallakatet në çdo skutë njerzore, nëpër mbamendjen e kthjelltë si uji i Valbonës, përmes së cilës kullon historia në vargje e thurur mjeshtërisht me epin popullor e legjendar.
“Je skulpturë gdhendur në gur
Ku asht shkri gjaku n’flamur.” Shaban B.Nokshiqi
Lexuesit pa tjetër se i shkon mendja se po takon një Fishtë nga Tropoja, ku figurat historike të këtij trualli, glorifikohen me meritë në luftërat e të kaluarës, në betejat anëkënd trojeve shqiptare për liri.
Nga historia janë të njohura luftrat e banorëve të Plavë e Gucisë me çetnikët e Malit të Zi e Sërbisë, ku gjaku u derdh si uji në Limë. Gjithë atyre figurave, autori Shaban Bali Nokshiqi, u këndon me krenari, sepse ata u bënë ballë në mënyrë stoike hordhive barbare çetnike për liri si të gjithë popujt e tjerë në Europë.
Shaban Nokshiqi, përmes vargut epik, qartëson historinë e truallit të tij, me prejardhje nga familja Mekuli e Plavës, derë e njohur për merita atdhetare. Duke e ndier thellë në shpirtin e tij obligimin ndaj të kaluarës së tij të lavdishme dhe moshës në anën tjetër, autori që në vjershën e parë të librit, “Nuk po di a muj me kan”, fillon zbrazjen e katarzës:
“Vet me veti po baj çudi
qysh ja nisa tash n’pleqni
me shkrue kang e histori
jam ba shybe mos jam i ri”
Pastaj, vazhdon radha e pëlcitjes në vargje për gjithë trimat e farefisit të cilët dhanë jetën nëpër fushëbeteja të pandërprera me çetnikët e Malit të Zi.
Poezia “Për Bali Bajramin”, babain e autorit, për tmeret dhe torturat e shkaktuara nga veshoviqët e Malit të Zi, të cilëve as varret nuk u dihen as sot, rrit vazhdimisht ritmin dhe tonet emocionale:
“Bash sa guri durojka njeri
i ngrim n’akull e i shkrim n’diell
kokrra e shpirtit mu ka troçkit
medet vorrin pa ja dit.
Erdha baë, ka t’lypi jam
kah Nokshiqi e Vizitori
nji ditë care pa t’gjet s’kam
pa ty brenda s’më le vorri
Shaban Bali Nokshiqi, reflekton si një mjeshtër i vargut popullor kur di të përfshijë ngjarje historike përmbajtësore. E tillë edhe poezia (vjersha) “Për Bajram Hazir Rrogamin”, ku ndër të tjera, me një krenari, përkundër dhimbjes, thur vargje brilante:
“Kaq shumë burrit ju kan’ tut
edhe eshtnat ja kan hup
panik t’madh me fut në popull
barbaria nuk pat’ të sosun
Pse s’u kthyen eshtnat e trimit
ku asht varri i Bajram Hazirit
ku do e shuajnë familja mallin
loti i dhimbjes e çan dhe shkamin.”
Janë këto vërtetë vargje prekëse, nostalgjike, të thëna nga zemra e mendja e një 89 vjeçari, shkruar pas 70 vitesh të kaluara nga ngjarjet historike, me përjetim, sikur ato të kishin ngjarë dje.
Pra, kemi të bëjmë me një përsonalitet të rrallë të poezisë popullore, të kohës sonë, ku ngjarjet dhe dhimbja kurrë nuk janë tretur nga memoria e tij.
Tani, “Në Plavë e Guci, vetëm varret flasin shqip”, perifrazon poeti thënjen e njohur. Si porosi kohe vjen mesazhi “se është kohë të zgjohemi të gjithë nga gjumi letargjik.
Nuk anashkalohet asesi “Elegji për Islam Balin”, ndryshe, vëllau i autorit të librit, të cilit i kujtohet fare mirë ngjarja e kobshme e vrasjës së tij te Vrella e Mollit të Gjakovës, nga UDB-a Jugosllave me 1947. Me dhimbje të thellë, pas 70 vitesh rrëfehet sikur ngjarja të ishte e djeshme:
“Tash n’pleqni pak i mërzitur
më flet shpirti I tronditur
çka kalova n’jet çka pava
sikur fëmia me lot kjava
për vlla Islamin due me shkrue
Historinë me ja ndriçue
Shtatdhjetë vjet kanë kalue
Kët barrë dhimbje tuj durue”
Dhe, kjo elegji prej 32 strofash, më e gjata e këtij libri, shkruar me 28.06.2014 në Bajram Curri, ngërthen në vete çaste tepër tronditëse të vrasjes së vllaut, Islamit, te Vrela e Mollit nga udbashët jugosllav.
Ngjarja ishte e tillë që pas marrjës nga familja në mesnatë. Në Llugaj të Tropojës, te Vrela e detyrojnë një komisare serbe që ta rrahë Islamin me dajak, ndërsa Islami me duar të lidhura, ia nxjerr dajakun dhe e godet per vdekje komisaren.
Këtë rast eklatant, me përshkrime fishtiane por shumë reale si ngjarje, autori nxjerr në pah edhe virtytet njerzore duke përshkruar se si disa molliqas e kishin varrosur Islamin dhe rrobat ia kishin dërguar rrugëve ilegale familjes Nokshiqi në Llugaj të Tropojës.
Shaban B. Nokshiqi, edhe sot pas gjitha atyre viteve, mban në brezin e tij rrypin e tirqëve të vllaut të vrarë, Islamit. Lotët e tij edhe sot dëshmojnë mallin dhe ngjarjen tronditëse, të paharruar kurrë.
Autori, nuk ka lënë anash figurën e femrës shqiptare, e cila gjatë historisë, dha kontributin e saj të barabartë me gjithë të tjerët për lirinë e vendit.
Hyr Bajramja e Bajram Hysenit, ishte një heroinë në vete, e cila shpëton mbi 100 burra në një kullë të ngujuar, ku çetnikët e Malit të Zi ishin bërë gati për t’i djegur të gjallë.
Në poezinë “Hyr Bajramja e Bajram Hysenit”, autori i thur 20 strofa, ku figura e trimëria e kësaj femre ngjitet lartë bashkë me moralin kombëtar,e cila me shpëtue babain, bashkë me 100 të tjerë, rrezikon edhe jetën vet. Pos të tjerash, shkruan:
“Hyr Bajramja bija e vet
kur po sheh me sy gazep
tuj e djeg me kryq të zi
zemra e saj qaty asht ngi.
Kodra e vorreve ka krenari
mbush me lula plot hijeshi.
Bajram Hyseni ktu n’dhe ka hi
me Hyr Bajramen, çiken e tij”.
Mendoj se te kjo poezi studiuesit do merren me detajet e të kaluarës sonë të lavdishme e posaçërisht edhe të femrës shqiptare.
Autori i librit ”Gurë të ngulun në Nokshiq”, zoti Shaban Bali Nokshiqi, ka mbi njëzet vite që jeton në SHBA me gjithë familjen e tij dhe pushimeve nuk e harron vendlindjen e tij, Tropojën, Llugajt e miqtë e tjerë me të cilët ka ndarë gëzimet e hidhërimet që ka jeta.
Si pjesë e mërgatës shqiptare, duke jetuar larg atdheut, duke parë e nuhatur pasojat që bart gurbeti, nuk ka lënë anash edhe këtë segment jete pa e trajtuar në vargjet e veta, si një porosi për brezat, për kohen, për atdheun.
Në fund të librit ”Gurë të ngulun në Nokshiq”, Bac Shabani shkruan:
“Mos harroni trojet arbnore
historinë tonë shekullore
për liri e për këto troje
luftat tona me Cërnagore.
Vendit tuaj rrini ma ngat
kurrku s’ndihni ma rahat
mësoni mire gjuhën e babës
amanetet e Ali Pashës.”
Ky libër, nga autori në këtë moshë, është një plotësim i lëndës letrare e historike, një pasurim i veçantë shpirtëror e intelektual. Të cilin duhet vlersuar e përqafuar si një dhuratë të një miku të shtrenjtë, i cili këtë pasuri shpirtnore, na e lë si një amanet. Si një obligim për të shikuar në mënyrë objektive historinë tonë. Siç thotë edhe i madhi Hasan Prishtina: ”Ideali është një dramë e shkruar me pika gjaku.”
LIBRI “N’kufi të shqipes e thej gurin”
Libri i tretë i Shaban Bali Nokshiqi titullohet ”N’kufi te shqipes e thej gurin”, me vargje epike, botuar nga “Blini”BK- Gjakovë. Libër me rreth 100 faqe, ku trajtohen mjeshtërisht pjesë të historisë sonë kombëtare, në të kaluarën dhe të tashmen.
Autori i këtij libri, tani i dëshmuar në zhanrin e krijimtarisë epiko-historike, begatoi me pendën e tij letërsinë, këtë vakum letraro-historik, duke e brumosur me shpirtin e tij prej krijuesi të ndjeshëm, me jetën plot katrahura, duke na sjellë vargje brilante, që ndërtojnë e drejtojnë karakterin individual, me ndikim në edukimin e mirëfilltë patriotik e kombëtarë.
Sot vërehet një kthjelltësi e paparë, te një burrë që i ka kaluar 90 vite, duke dëshmuar me punën e tij, aktivitetin e palodhur kudo.
Vepra e autorit Shaban Bali Nokshiqi, përfshin ngjarjet e mëhershme të historisë sonë në luftërat e pareshtura për liri e bashkim kombëtarë, gjakun e derdhur nëpër beteja e varret e pagjetura deri më sot të baballarëve tanë, duke mbrojtur këtë copë tokë nga zaptuesit e Malit të Zi e Serbisë.
Në kontest të kësaj pjese të historisë sonë, tek autori, zgjohen emocione e reaksione të reja lidhur me çështjen e kufijve të vendit tonë. Për këtë arsye, autori rikthen kujtesën në vitet e mëhershme dhe reaksioni krijues,rikujton kohët, vjell vargjet si në poezinë e parë të librit për të rikujtuar shumë gjëra të së kaluarës, shumë gjak të derdhur, dhe rrëfen vargje:
”Haxh Keri trim atdhetar
çetnikëve para u ka dalë
Kufijt shqiptar në flakë jan kallë
Kurrni pllamë s’muj me ti falë…”
Në këtë kuptim, pasojnë emrat e luftëtarëve që mbajtën lartë bajrakun e luftës për lirinë e pavarësinë e vendit. Po ashtu, duke simbolizuar qëndresën kombëtare të popullit nëpër histori, si simbol qëndrese, poeti liriko-epik, i drejtohet Shkëlzenit, të cilin e personifikon me gjithë kombin, si paralajmërim e qëndresë të rreziqeve, si të pathyeshëm dhe mjeshtërisht e artistikisht, e glorifikon me vargje:
”Shkëlzeni është zbukurue
plisin e bardhë e paska nue
popullin e ka lajmrue
dimri na u ka afrue….”
Mendoj se kjo strofë paraqet një gdhendje mjeshtërore artistike që buron nga një ndjenjë e thellë me trashëgimi kombëtare, si dëshirë primare për lirinë e kombit.
Duke skalitur në faqet e këtij libri emra të merituar të luftëtarëve të lirisë dhe të historisë sonë, autori Shaban Nokshiqi, i kushton një poezi të gjatë trimave të paepur, qëndresës së paparë në luftëra të gjata, si vëllëzërit Emin e Beqir Arifi, ku pos tjerave shkruan:
”Sekerica fort gjëmon
fort shqiptarët po luftojnë
pa dekë kufinin nuk e lëshojnë
tokat tona s’mujm me falë
trashëgue prej t’parve tanë…”
Pastaj, në kuptimin e qëndresës në fronte, rrjedhin vargje të fuqishme qëndrese të pa parë, ku imagjinata fishtjane e autorit, i shtjellon fort bukur:
”Ç’ka ke hangër,
çka ke pi
qysh vetëm në borë e shi
kam majt shpirtin me lvore ahi
njiqnd vjet me dal sabahi….”
Një moshë e shtyrë dhe nostalgjia si ndjenjë ngacmuese. Tani, dihet mirëfilli se autori i librit më të ri, ”N’kufi të shqipes e thej gurin”, z.Shaban Nokshiqi, ka vite të ngarkuara mbi supet e tij dhe se përjetimet janë shumë të gjata, të mundimshme, një jetë shumë kontroverse, e cila padyshim se ka lënë gjurmë, e këto gjurmë i shndërron në art, pasuri letrare, për t’ua dhuruar gjeneratave. Këtë edhe po e bënë z. Shaban Nokshiqi, duke na trasuar një rrugë të mundimshme, ecje nëpër flakë, një përvojë me vlera historike si trashëm. Në këtë kontest Shabani nuk i këndon vetëm të kaluarës, por edhe të sotmes, me baticat e zbaticat e saja. Shabani, duke qenë vetë emingart, që njëzet e më shumë vite në SHBA, duke parë e ndier në shpirt peshën e kurbetit, pasojat në gjeneratat e reja, pamëshirshëm aludon më thesarin e tij krijues që mos t’i lënë trojet e shkreta, mos ta lënë shtëpinë pa Zot, mos t’i lënë djepat e zbrazët në këtë truall të lasht. Nuk është vetëm vetmia si shkas, por edhe rreziqet që sjellë apo ka sjellë eksodi shqiptarë kurdoherë. Në poezinë ”Puna e kurbetit”, pos tjerash shkruan:
”E provuam shpesh punën e kurbetit
plot me djem asht fundi i detit…”
ose:
”Nuk ka nanë që s’digjet malli
Kah kqyr derën,mos po i vjen djali…”
Dhe, ajo që aludon poeti në këtë poezi, si porosi imanente, vijnë vargjet:
”Ktheni djem, msyne vatanin
babës e nanës kajani hallin
hajde e mos rrini n’gurbet
leni helmin, për këtë shërbet…”
Me pjekuri mund të them se këto vargje, kanë në vetvete karakterin edukativ, që ndikojn në ndalimin e ikjes nga vendi, shtojnë dashurinë ndaj atdheut e vendlindjes. Në këto kohë, këso vargje janë specifike e me peshë, ju ngjajnë rilindësve për nga porositë. Mbi të gjitha, krijuesit kanë synim, pa asnjë dyshim, edhe ndikimin në masë, ndryshimin e raporteve shoqërore për një jetë sa më të mirë e të begatshme për të gjithë, për një harmoni brenda kufijve të vendit të vet.
Një poezi nostalgjike, mjaft e sinqertë, plot dashuri e respekt nga autori, me rastin e ftesës së Bytyqit në Dajt, vjen si një kushtrim shpirtërorë. Në pamundësi që të jetë pjesëmarrës në atë manifestim, poeti Shaban Nokshiqi, shprehet me vargje:
“Ja la Dajtit ni amanet
veç për mue çoje ni shnet
t’parin shnet çoje për Ptyçn
m’nderuet mue e krejt Nokshiqin…”
Janë këto vargje me shumë refleksion, me shumë ndjenjë, kur dëshira të shtytë të jesh në mesin e atyre që të donë, por mundësia fizike frenon.
Marrë në tërësi, libri me poezi i autorit, është edhe një e arritur e suksesshme në moshën këtij burri me freski të paparë, një pasuri me larmi temash të ndryshme që duhet pasur lakmi. Ky libër i thurur bukur me vargje epike, bartë në brendësi zjarrin e një kohe plot vuajtje e gjak, një libër me përjetime të rënda personale, shoqërore e kombëtare, me të cilat vargje,j o vetëm se plotësohet një vakum historiko-letrarë në fushën e letërsisë.
Burimi: Libri “Gurë të ngulur në Nokshiq” autor Shaban Bali Nokshiqi / www.voal-online.ch nga Tahir Bezhani Gjakovë, 09.08.2014/ /Dritarja Online/ www.tesheshi.com nga Gjon Neçaj/Tropoja poetike/Revista Drini nga Gjona Neçaj/