Shtëpia Botuese TOENA e ka filluar veprimtarinë e saj në janar të vitit 1993 me tre punonjës. Në organikën e saj sot përfshihen mbi 30 punonjës, si dhe një rreth i gjerë bashkëpunëtorësh (mbi 100) nga të gjitha fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare.

Që nga dita e krijimit të saj ajo ka botuar rreth 24000 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore dhe universitare, libra informativë, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë të shumëllojshëm, manualë për specialistët dhe profesionistët, letërsi artistike nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si dhe albume e harta të ndryshme.
Në katalogun e botimeve të Sh. B. Toena gjatë këtyre 20 vjetëve kanë hyrë nga emrat më të njohur të letrave shqipe, të traditës dhe bashkëkohorë. Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Luan Starova, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Teodor Laço, Visar Zhiti, Bashkim Shehu, Kim Mehmeti, Natasha Lako, Diana Çuli, Zija Çela, Bardhyl Londo etj. etj., janë vetëm disa prej tyre.
Në një seri kolanash të rëndësishme po organizohen prej kohësh veprat më të mira që ka botuar dhe po boton “Toena”. Të tilla janë seritë  “Poezia e zgjedhur shqipe”, “Tregime të zgjedhura shqiptare”, “Letërsi ballkanike”, “Përralla nga popujt e botës”, “Biblioteka e librit për shkollat”, “Letërsi e zgjedhur për fëmijë” dhe ajo më e rëndësishmja “Visare të letërsisë shqipe” (VLSH), që do të përfshijë veprën e plotë ose të zgjedhur të mbi 40 autorëve më të rëndësishëm të letërsisë së traditës.
Kjo kolanë ka filluar me botimin e veprës së plotë të Naim Frashërit (6 vëllime), dhe është ndjekur nga botimi i veprës së plotë të Andon Zako Çajupit, Pashko Vasa, Jul Variboba, Filip Shiroka, Gavril Dara i Ri. Shumë prej autorëve më të njohur bashkëkohorë të letërsisë së huaj kanë ardhur në shqip të botuar prej Botimeve Toena: André Gide, André Malraux, J. M. G. Le Clezio, Marc Levy, Eric Emmanuel Schmitt, Tahar Ben Jelloun, Veronique Ovaldé, Marie Ndiaye, Roberto Bolano, Alberto Bevilacqua, Carmine Abate, Raffaele Nigro, James Patterson, Christine Southerland etj. janë disa prej tyre. Paulo Coelho, shkrimtari brazilian që ka thyer rekordet botërore të përkthimit, publikimit dhe shitjes i ka dhënë, gjithashtu, Sh. B. Toena ekskluzivitetin në gjuhën shqipe.
Po ashtu, autorët e huaj klasikë, që nga letërsia greko-romake e deri te Shekspiri, Gëte, Tolstoi. Përfaqësuesit më të shquar të romantizmit, realizmit kritik etj. zënë vend të dukshëm në listën e gjatë të autorëve të botuar gjatë 20 vjetëve.
Në botimet për fëmijë Toena sot është zotëruese e fushës me rreth 60 tituj të botuar në vit. Emrat më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë, si Odhise Grillo, Gaqo Bushaka, Tasim Gjokutaj, Bardhyl Xhama, Bedri Dedja, Skënder Hasko, Ferhat Çakërri, Dionis Bubani, Bekim Gaçe etj. do t’i gjeni gjithmonë në katalogët e kësaj shtëpie botuese.
Nga përkthyesit më të njohur të gjuhës shqipe kanë bashkëpunuar e bashkëpunojnë me Sh. B. Toena. Emra të tillë si Shpëtim Çuçka, Henrik Lacaj, Robert Shvarc, Vedat Kokona, Perikli Jorgoni, Nonda Varfi, Durim Taçe, Nasi Lera, Xhevat Lloshi, Gëzim Qëndro etj. kanë sjellë në shqip me siglën e Toena-s me dhjetra e dhjetra vepra të rëndësishme nga letërsia e huaj klasike dhe ajo bashkëkohore. Aktualisht Shtëpia Botuese Toena boton mbi 150 botime të reja në vit, dmth në çdo 2 ditë një libër i ri.

Botimi i periodikëve

Prej vitesh Toena boton periodikun “Universi Shqiptar i Librit – Autori, Libri, Kritika”, revistë e përdymuajshme për botimet shqiptare me synim informimin dhe ngjalljen e kritikës letrare, si dhe të buletinit informativ “Botimet Toena”, për librat e reja që nxjerr kjo shtëpi botuese çdo tre muaj.

Shtypshkronja e Shtëpisë Botuese Toena

Shtëpia Botuese Toena ka shtypshkronjën e saj të nivelit bashkëkohor, një nga më të mëdhatë dhe më të kompletuarat në vend, me përgatitje të kompjuterizuar dhe me të gjitha proceset e mekanizuara, me kapacitet rreth 160 000 fletë tipografike në orë.

Shpërndarja e librit dhe libraritë

Shtëpia Botuese Toena merr përsipër shpërndarjen e librave që ajo boton. Me personelin, mjetet e transportit dhe libraritë që disponon organizon shpërndarjen dhe tregëtimin e botimeve të saj në të gjithë vendin, si dhe disa prej qyteteve kryesore të Evropës, kryesisht atje ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh. Disa prej librarive të saj janë hapur në qytete të tilla si Tiranë, Durrës, Vlorë, Orikum, Sarandë, Prishtinë, Shkup.

Panairet ndërkombëtare të librit

Që nga dita e krijimit të saj, Shtëpia Botuese Toena merr pjesë rregullisht në shumë panaire ndërkombëtare të librit, si në Frankfurt, Gjenevë, Bolonjë, Torino, Paris, Bruksel, Goteborg, Selanik, Sofje, Shkup etj., duke bërë kështu promovimin e autorëve shqiptarë në botë, si dhe shpërndarjen e veprave të tyre kudo që ka shqiptarë.

Panairet panshqiptare të librit

Shtëpia Botuese Toena është pjesëmarrëse e përhershme në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen për librin në Shqipëri dhe trojet e tjera shqiptare. Presidenti i saj i nderit, z. Fatmir Toçi, me cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ka qenë një nga organizatorët kryesorë të panaireve panshqiptare të librit si në Tiranë (nëntor), Vlorë (korrik), Sarandë (gusht), Ulqin (korrik), disa prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë e Kosovës, etj.

 Instituti i Librit dhe i Promocionit

Që nga viti 2007 Shtëpia Botuese “Toena” funksionon si një Institut i Librit dhe i Promocionit, duke i dhënë përparësi promovimit të librit shqip kudo që ka shqiptarë dhe në botë. Bordi themelues i këtij instituti përbëhet nga personalitete të njohur të letrave shqipe si: Jorgo Bulo (kryetar), Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Piro Misha, si dhe drejtorja e përgjithshme Sh. B. Toena, Irena Toçi.

Adresa:
Redaksia e revistës
“Universi i Librit”
Rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë
Kutia Postare 1420
Tel.: (355) (4) 240116
Tel./Fax : (355) (4) 240117
E-mail: toena@toena.com.al
toena@icc-al.org
redaksia@toena.com.al
www.toena.com.al

Burimi:http://www.toena.com.al/ Përshtati për ALVA:V. T.
Përdorimi dhe botimi i lajmeve dhe informacioneve të ndryshme mund të bëhet vetëm me kusht që autorësia të ruhet dhe të vendoset në mënyrë të qartë burimi i lajmit dhe materialit nga www.alva.al. Çfarëdo kundërveprimi në këtë drejtim do të bëhet subjekt i procedurave përkatëse.