Çdo 5 Maj përkujtohet dita e Dëshmorëve të Atdheut, Dëshmorëve të Kombit siç jemi mësuar ti quajmë.

Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur  u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.

Statusi i Dëshmorit të Atdheut

Statusi i Dëshmorit të Atdheut u njihet: (SIPAS Ligji Nr. 8607, datë 27.04.2000)

a) personave të rënë në luftë për liri dhe pavarësi kombëtare para 28 Nëntorit 1912 dhe shtetasve shqiptarë që kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, para 7 prillit të vitit 1939;

b) shtetasve shqiptarë që kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (7 prill 1939 deri më 29 Nëntor 1944) dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre; që kanë vdekur për shkak të plagëve të marra në luftë ose janë ekzekutuar, ose kanë vdekur nga tortrat në burgje e kampe përqëndrimi nazifashiste deri më 9 maj 1945;

c) shtetasve shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë, deri më 9 maj 1945;

d) shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë në vitet 1998-1999;

dh) shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist, deri më 9 maj 1945 ose kanë vdekur nga plagët e marra në këtë luftë;

e) shtetasve shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial, për mbrojtjen e institucioneve shtetrore nga terrorizmi, ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit;

ë) shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë.

ASPEKTI LIGJOR

Përpara krijimit të shtetit  shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendën e tyre, nëpermës këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë së tyre nga brezi në brez.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Në vitin 1923 ligjërohet vetëm pensioni për familjen e tij, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve

Gjatë luftës nacional çlirimtare, filluan përpjekjet e para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Të rënët i bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në rradhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.

Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin  e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftrat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët  e Atdheut.

Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qëndrat e rretheve të vendit, ku u përqëndruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat  e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumetin  “Nënë Shqipëri”.

Më 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. 

Në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04,  “Statusi i  Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës

Dëshirojmë të falenderojmë këtu kolonelin në rezervë, zotin Halil Katana kryeredaktor i revistës Pavdekësia, për të gjitha të dhënat që na disponoi.

Burimi: albanians.gr Gaston Sanxhaku / Përshtati për ALVA:V. D.