Vështrim me veten
Të desha, o jetë
Për ty lexova libra e pyeta njerëz
Për ty
Thura ëndrra vajzërore pranë një manastiri
Putrat e mia
Doja që të më dërgonin në shtigje të paprekur
Por ah,
Mbeta vetëm si një lule në një vazo trëndafili.
Doja
të mbetesha pa borxhe për ditët që më jepje
Doja
Të isha sfidante e pllakës së varrit ku zgjohet mëshira
Për ty, jetë,
Në jastëkun e varfër sinorë të tjerë ëndrra prekte.
Në ca lisharse
Hidhesha në degët ku vritej kaltërsia.
Kur nisja këngën
Hyja në valle tingujsh në varr e në kishë
Më shumë
Se në lindje e në dasmën e një çifti pëllumbash
O jetë,
Ti më vije te këngët, e varfër, me butësi
Në një livadh
Që matej vetëm me mollëza të buta duarsh.
Më thanë
Që të mësoja ligjërimin e Ajkunës në bjeshkë.
Të tregoja
Se si ecte Kostandini mbi kalin përrallor
Më treguan
Për monologun e një të burgosuri e të Hamletit fatkeq.
Para
Mëmës-viktimë e një kurthi dinakëror
E prapë
Kërkova një kapistall të karvanoja ditët e mia.
Ani
pse lulet vyshkeshin pa diell që te gonxhja
Ah,
Nuk e gjeta një parfum, të spërkasja ëndrrat e mia!
Në kërkim
Të një udhe ku të viheshin lumturisht kurora .
Më treguan
Ca pragje ku kishte gardianë të padukshëm
E zgjohesha
E trishtuar nga klithma që nxirrte gjoksi
Unë ecja,
Këmbëzbathur prekja ferrat në barin e fushës.
Mërmërija
Mallkimet e fshehta e ia dërgoja vetëm zotit.
Numëroja
Ca pengje e plagë në shpirtin e plagosur
Doja shërim
Në farmacitë ku më ngrinin vetëm supe
Në zemër
ngrija një mal të lartë, të lulëzuar.
I tharë
Në çast nga gjëmimet e largëta me duhma lufte.
Më vunë
Në kurthin e numrave që nxirrte tabela
Më thanë
T’i numëroja ato si yjet e qiellit me re
Tek unë
Vinte strukja, vyshkja-zezonë tek dera
Tek unë
kënga digjej në gjoks e donte një fole.
Burimi:Namik Selmani
Fotografia:Albert Cmeta