1 Mars – Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Siç dihet, në Evropën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian. Por në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse, nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi reforma gregoriane, ata janë respektivisht, muajt e nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë.

Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit. Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë.

Shkurt, Dita e Verës simbolizonte ringjalljen e natyrës. Tradicionalisht dalja nga dimri shoqërohej me një bilanc, sidomos për gjënë e gjallë. Aq sa edhe në gjuhën e përditshme të shqiptarëve, sidomos të zonave të thella malore të izoluara gjatë dimrit, ishte bërë zakon që njerëzit të pyesnin njëri-tjetrin: “Si dole në verë?”, ose “Sa nxore në verë?” (sa bagëti ?) etj. Pra “me dalë në verë” kishte kuptimin me mbijetue, me ia arrit asaj dite (Ditës së Verës). Vera simbolizonte të mirën, mbarësinë, dritën, gëzimin. Kjo, kundrejt dimrit, të egrit, kiametit, gazepit.[4] 

Ja disa shprehje, si për të ilustruar këtë ide: “Asht si vera”, “Ka një djalë e një çikë si vera”, “Tu bëftë jeta verë/behar”, “Asht rritë jetim, pa verë në jetë të vet”, “Ajo punë iu ba verë” (iu pri mbarë) etj. Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve, në majën e Tomorrit, të Çikës, të Gramozit, të Korabit, të Dejës, Krujës, Dajtit, Gjallicës, të majës së Hekurave etj. Kjo, për të qenë sa më afër Perëndisë së Diellit, jetëdhënësit, para të cilit luteshin për begatinë përgjatë vitit të ri. Madje adhurimin e tyre për perëndinë e tyre “Diell”, shqiptarët e përjetësuan me emrin “e diel” (sikurse anglezët), ndryshe nga popujt e tjerë evropianë, të cilët e kanë emërtuar Dita e Zotit.

Dita e Verës shoqërohej me zjarre (zakonisht dëllinjash) mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit. Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një gjalmë i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë). Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve të nderura. Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat. Kjo është bërë, deri vonë, edhe në Tiranë. Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare. Megjithatë, kremtimet kanë pasur nuanca të ndryshme për krahina të ndryshme.

Etnologu i mirënjohur Bernardin Palaj, njohës i thellë i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së Veriut, ka shkruar që në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës. Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore. Si festë pagane, ajo është kremtuar që në lashtësi.

Mëse një shekull më parë, kur Shqipëria ishte ende nën sundimin osman, Konica shkruante, për shembull, se “Dita e Verës është një ditë në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve…” Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë (mbarë) shqiptare? Të paktën në atë masë që ajo (referuar prof. Kristo Frashërit), ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Edhe nëse në disa vise ajo filloi të venitej, përsëri duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në një festë mbarë shqiptare. Dita e Verës, ashtu sikurse edhe Viti i Ri, është festë e të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, ideje, bindjesh, përkatësish, apo besimi fetar. Por në të vërtetë kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani. Pse? Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.

Si dëshmi po sjellin këtu një përshkrim të kuptimit dhe kremtimit të “Ditës së Verës” nga shkrimtari dhe publicisti shqiptar i madhi Faik Konica botuar në vitin 1911:

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqiptare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.

Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.[1]

Kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë: “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar…” Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës: “Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari!”.

  • Marsi është muaji i tretë i vitit në Kalendarin Gregorian i cili ka 31 ditë.
  • Muaji Mars e ka marrur emrin nga perëndia romake e luftës që po zhvillohej atë botë pas përfundimit të dimrit.
  • Në kohën e Romës së lashtë, Marsi quhej Martius, dhe mbahej si kohë me fat për të filluar një luftë.
  • Në kohën e Grekëve të lashtë, Marsi quhej Anthesterion.
  • Në anglishten e vjetër një emërtim tjetër për muajin Mars ishte “Hlyde” që do të thotë “me zë të lartë” që sigurisht ka kuptimin e erërave të forta me zhurmë gjatë këtij muaji.
  • “Marsi” është muaji i vetëm me 3 bashkëtingëllore rresht.
  • Një proverbë e vjetër thotë “Marsi vjen si luan dhe ikën si qengj” që do të thotë vjen pas dimrit dhe largohet me fillimin e pranverës.
  • Shprehja “I çmendur si Marsi” daton që nga viti 1529 që është figuracion i egërsisë së meshkujve në mbretërinë e kafshëve gjatë muajit Mars, që njihet edhe si periudhë e shumimit.
  • Marsi është një akronim për qytetarët e përgjegjshëm dhe mjekësorë.
  • Karakteristika e fillimit të muajit Mars janë akuamarina, lulet e verdha dhe ato violetë.
  • Marsi fillon në të njëjtën ditë të javës me nëntorin në të gjithë vitet, dhe në të njëjtën ditë të javës me shkurtin në vitet e rregullta.
  • 7 Marsi është Festa e Mësuesit, dhe 8 Marsi është Festa e Gruas në Shqipëri.

1 ^ https://www.epokaere.com/faik-konica-cka-eshte-dita-e-veres/FAIK KONICA – DITA E VERES

4^ Argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit

Burimi:http://lajmi.net/https:/www.epokaere.com/ Përshtati për ALVA: V. P.