Starti i përpjekjeve për ta vendosur Skënderbeun në Londër filloi pikërisht nga një njohje e hershme me ish-bashkëpunëtorët e mi britanikë, që operuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bashkëpunimin e dikurshëm me ta në vitet e luftës partizane u mundova ta vija në shërbim të këtij misioni të ri. Ishte njohja që zë fill qysh para 60 vjetësh, pikërisht aty nga fundi i verës së vitit 1943, ku Enver Hoxha, atëherë komisar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ish-profesori im në Liceun Francez të Korçës më ngarkoi të zëvendësoja Koço Tashkon pranë misionit anglez të parashutuar në vendin tonë, që drejtohej nga majori Neel, si edhe me një mision tjetër që shoqërova për te Baba Faja Martaneshi dhe Haxhi Lleshi në Dibër.

Ditët e mira të miqësisë me mysafirët britanikë të asaj periudhe të zjarrtë u përpoqa për t’i riaktivizuar me aq sa të mundesha dhe për të thënë të vërtetën, më shërbyen jo pak në përpjekjen për të sensibilizuar opinionet zyrtare e kulturore në Britani, për projektin e një busti të Heroit tonë Kombëtar aty.

Një motiv tjetër për t’u mbështetur në këtë nismë të rëndësishme ishte qëndrimi shumë i mirë i kryeministrit, Toni Bler, për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës. Vendosa t’i shkruaj një letër personale dhe shfrytëzova të gjitha njohjet për të garantuar mbërritjen e saj në dorë të kreut të Anglisë, aq i dashur për shqiptarët kudo që janë. Njohja dhe bashkëpunimi ushtarak i dikurshëm me misionarët britanikë dhe mbrojtja që u bëmë sidomos atyre në malet e Shqipërisë në kohën e luftës së përbashkët, më dha dorë në këtë komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin britanik. Letrën e kisha përgatitur në kohën kur pati një lëkundje të madhe nga disa shtete evropiane, lidhur me vazhdimin e luftës së NATO-s në Kosovë, deri në mundjen e Jugosllavisë. Në atë kohë, kaq me rëndësi për fatin e Kosovës, kryeministri Toni Bler, i mbështetur nga mbretëresha Elisabet, dha mendimin që krahas bombardimeve të fillonte edhe lufta në terren. Ky vendim i tyre më preku, prandaj e ndjeva të nevojshme t’i çoja edhe një mesazh falënderimi dhe mbështetje kryeministrit britanik, në cilësinë time si veteran i thjeshtë i Luftës II Botërore, një vullnetar për çlirimin e Evropës nga bisha nazifashiste. Sigurisht, në kurajën për të bërë këtë letër krejt personale më motivonte fakti se kështu vazhdoja luftën për të drejtat e njeriut në botë, me gjithë moshën time të thyer. U prezantova me emrin tim të vërtetë dhe si veteran i Luftës së Dytë Botërore e falënderova atë dhe mbretëreshën, që kur Evropa po lëkundej dhe kishte mendime të ndërpritej lufta e Kosovës, ata mbajtën qëndrimin fisnik, duke e çuar atë deri në fund. Me atë rast i kërkova mbështetjen e projektit tonë për ngritjen e përmendores së Skënderbeut në Londër. Letra e 10 qershorit 1999 i ra në dorë kryeministrit, Toni Bler, sipas premtimit që më kishin dhënë. Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe më njoftoi pranimin e dhuratës sime, bustin në bronz të Skënderbeut nga ana e kryeministrit britanik, dhe falënderimin që më bënte personalisht me këtë rast. Më njoftuan ndërkaq për formalitetet që duheshin bërë pranë Bashkisë së Londrës për caktimin e vendit të ngritjes së bustit të Skënderbeut etj. Deri më sot janë bërë disa takime në Londër në rang ambasadorësh, duke filluar nga ish-oficeri britanik, Reginald Hibert, i misioneve angleze të parashutuara në Shqipëri, të cilin e kisha pasur edhe mik në shtëpinë time në Gjenevë, me ambasadorë të tjerë, si edhe me shqiptarë nga bashkësia e tyre e Londrës, ku krijuam degën e shoqatës sonë “Solidest”. Shkëmbyem disa letra me Ministrinë e Jashtme britanike si edhe me ambasadën tonë në Londër.  Skënderbeu, ky simbol bashkimi na përkiste të gjithëve.
Më vonë edhe vetë presidenti Moisiu e vazhdoi interesimin që tregoi dikur si drejtues i kryesisë së Organizatës së Bashkuar të Veteranëve. Kësisoj, kur shkoi në Londër si president, u azhurnua për ecurinë e projektit të ngritjes së bustit të Skënderbeut në kryeqytetin britanik. Unë mendoj se rruga për ngritjen e një përmendoreje të Skënderbeut është e çelur tashmë prej disa vitesh. Mjafton të ndiqet çështja pranë organeve bashkiake që ai, nga një ëndërr e paarritshme, të bëhet realitet. Realizimi i projektit të Skënderbeut në Londër mori kohën e vet. Unë mendoj se vetëm bashkimi i shqiptarëve me miqtë britanikë, prej të cilëve është rasti të falënderojmë kujtimin e ambasadorit, Reginal Hibert, dhe kryetarit të Shoqatës së Juristëve Britaniko-Shqiptar, bëri të mundur vendosjen e Skënderbeut në një park të Londrës.

Burimi:http://www.preshevajone.com/ Përshtati për ALVA: R. H