Dinastia pa fund Arbana- Mema

Një detaj shumë i rëndësishëm për familjen më të madhe sportive, një dinasti e vërtetë Arbana-Mema. E njohur dhe me prejardhje nga Arbana, një fshat në jug të kryeqytetit, pas një vendimi të qeverisë së Mbretit Zog, që urdhëronte familjet të mos mbanin si mbiemër emrin e fshatit, qytetet ku jetonin apo kishin origjinën, familja Arbana e detyruar e ndryshoi duke përdorur atë Mema, një lagje e vogël, në zonën e Arbanës.

Pastaj transferimi në Tiranë, te rrugica “Zela”, më pas e njohur si “Shqyqyri Bërxolli”, ngjitur me shtëpinë e profesor Luigj Shalës vegjetoj ndër vite “Dinastia Mema”, e cila nis rrugëtimin e saj në sporte në vitin 1947 me Haxhi Arbanën (Mema), që 17-vjecar veshi për herë të parë fanellën e Tiranës, ndërkohë kulmin e talentit të tij e pati në vitet 50-të tek Partizani.

Aty kanë dalë Memat: vëllezërit Haxhi, Beqir, Osman dhe Ali, si dhe fëmijët e tyre Sulejman e Ardi. Osman Mema mban rekordin me 7 tituj kampionë, mund të jetë i vetmi në Shqipëri, 3 me Partizanin e 4 me 17 Nëntorin.

Beqiri, i vëllai ndryshe nga djemtë e tjerë të Mustafa Memës luajti basketboll me Tiranën, dhe pati fatin të jetë në një ekip me emra të mëdhenj si mjeshtrat Feti Borova, Fatmir Meka, Njazi Lleshi, Boris Bumci dhe Xhorxhi e Andon Kona. Osmani, djali i tretë mesfushori i “betontë” i Tiranës dhe i Partizanit, katër herë kampion me bardheblutë më 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970, që para këtyre kishte regjistruar në karrierën e tij tre të tillë me Partizanin gjatë kohës kur kryente shërbimin ushtarak.

Aliu, djali i fundit padiskutim më i madhi i “Dinastisë Mema”, e padyshim ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Veçmas fanellës bardheblu, me të cilën mban katër tituj kampion më 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970, dhe të kombëtares në 12 ndeshje (e para në fitoren 1-0 ndaj Danimarkës më 30 tetor 1963, me golin e Panos në 3′, dhe e fundit në barazimin historik 0-0 me Gjermaninë më 17 dhjetor 1967), ka veshur edhe ato të Vllaznisë (kur kreu zborin 6-mujor pas universitetit), dhe të Dinamos nëpër takime ndërkombëtare. Luiza, bashkëshortja e Aliut, atlete ka garuar për Tiranën. I biri i tyre Ardriani, luajti me Tiranën, më të cilën fitoi pesë tituj kampionë më 1994-1995, 1995-1996, 1966-1997, 1998-1999 dhe 1999-2000, me kombëtaren dhe Partizanin, tashmë ndihmës i teknikut Ilir Daja te Skënderbeu i Korçës. Sulejmani, djali Haxhiut, luajti me Shkëndinë, Tiranën (dy herë kampion 1981-1982 dhe 1984-1985), kombëtaren dhe më pas si trajner drejtoi Tiranën (fitoi dy tituj 1995-1996 dhe 1998-1999). Në një sezon drejtoi Partizanin 2003-2004, me të cilin fitoi kupën e Shqipërisë.

Bashkëshortja e tij, Emanuela (Axhani) volejbolliste e shquar e Tiranës dhe ekipit kombëtar. Ledia, vajza e tyre e vogël u shqua shumë si notare. Klevis, një futbollist i talentuar, që pritej të merrte stafetën e “Dinastisë Mema” në fushën e blertë, nipi i Beqirit, veshi fanellat e Shkëndisë, Tiranës e Dajtit, por për fat të keq “fluturimi” i tij drejt majave të futbollit u ndërpre. Para disa kohësh 20-vjeçari Klevis Mema u nda papritmas nga jeta.

Burimi:Gazetari Bedri Alimehmeti “Mjeshtër i Madh”