- Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarë.
Kjo kala është përmendur që në shekullin e IV. Megjithatë aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III -të.
Gjurmë të mëpasshme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke.
Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek e V -të dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani në 1531.
Në mesin e gjirit të Vlorës, male të larta i afrohen së tepërmi bregut, duke e ndarë atë në dy pjesë. Në këtë zonë, paksa e tërhequr në thellësi, ngrihet një kodër 379 m e lartë, në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Pikërisht këtu, lugina e lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës, duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me hinterlandin. Faktor me rëndësi ky, pasi më në jug, malet fitojnë lartësi të madhe, ndërsa më në veri, largësia midis bregdetit me luginën e lumit të Vlorës rritet mjaft shpejt. Këto janë dhe kushtet që përcaktojnë rëndësinë strategjike të Kaninës, si ndaj kalimit nga pjesa jugore në atë veriore (dhe në të kundërt), po ashtu dhe ndaj lidhjes së trevës së lumit të Vlorës me Gjirin e Vlorës. Nga ana tjetër, kodrat përreth saj krijojnë kushte të mira për zhvillimin e blegtorisë, ndërsa në lindje gjenden troje mjaft të gjera dhe të përshtatshme për bujqësi, duke plotësuar kështu krahas pozitës strategjike dhe atë ekonomike.
Kushtet e mësipërme ndikuan në këtë vend, qysh në periudhën antike, të linde një qendër e fortifikuar, jeta e së cilës zgjat thuajse pandërprerje, deri në shekullin e kaluar. Natyrisht, roli i kësaj qendre nuk ka qenë kurdoherë i njëjtë, kështu ajo ka pasur rol të dorës së parë ose ka qenë në varësi të qendrave të tjera në funksion të kushteve ekonomiko-shoqërore të periudhave përkatëse.
Përveç kushteve strategjike dhe ekonomike, vendi plotëson dhe kërkesa të tjera të nevojshme për ngritjen e një qendre të fortifikuar: mundësinë e komunikimit, praninë e ujit të pijshëm, nxjerrjen e gurit të ndërtimit, si dhe mbrojtje natyrale.
Qyteti i Fortifikuar i Kaninës është ngritur aty nga shekulli i IV p.e. sonë. Në të gjithë sistemin fortifikues dallojmë disa faza ndërtimi që shtrihen në dy periudha, në periudhën antike, si dhe në atë të periudhës mesjetare.
Në antikitet kemi mbeturinat e murit ilir, gjurmët e të cilit u zbuluan në të gjitha anët e kështjellës. Në murin ilir kemi të përdorur sistemin “izodomik katror“.
Në antikitetin e vonë kemi rindërtim në muret rrethues të kështjellës. Këtu kemi të bëjmë me një mur të ndërtuar me teknikën “opus mixtum“.
Periudha e mesjetës, si ajo e hershme e më tej, përfaqësohet me rindërtimet dhe meremetimet e murit rrethues. Në fazat e mesjetës, muri është ndërtuar kryesisht prej gurësh mesatar të papunuar dhe blloqe antike te ripërdorura të lidhur me llaç gëlqere. Në muret rrethues të periudhës mesjetare kemi përforcime me kulla, me trajta të ndryshme.
Veç rrethimit të fortifikimit, në territorin e brendshëm të kështjellës në të gjitha pikat, u zbuluan mure ndërtesash, që ndonëse të dëmtuara, na lejojnë të kapim gjurmë të planimetrive dhe të krijojmë një ide mbi trajtën e banesave të kësaj qendre në lashtësi.
Në territorin brenda kështjellës, gjenden të zbuluara dhe elementë të tjerë ndërtimorë, si rrugë me kalldrëm, kanale e strera.
Burimi:Forumivirtual / Përgatiti për ALVA – Vilma Dibra