Çlirimi i Tiranës është një nga momentet historike të historisë moderne të Shqipërisë. Forcat e Brigadave që luftonin në kryeqytet i vazhduan pandërprerë sulmet e tyre për asgjësimin e armikut të rrethuar dhe në mëngjesin e 16 nëntorit u hodhën në sulmin përfundimtar për çlirimin e Tiranës. Si rrjedhojë forcat e Brigadës 1 pushtuan Shtëpinë e Oficerëve, Sahatin, Teatrin, etj. Forcat e Brigadës VIII përparuan në rrugën e Kavajës dhe morën takim me krahun e djathtë të Brigadës I, duke e ngushtuar edhe më shumë unazën e rrethimit të armikut në qendër të kryeqytetit. Armiku qëndronte me egërsi në ndërtesat e ministrive, te Banka, te Bashkia dhe tek hotel “London” (ku është ndërtuar Muzeu Historik Kombëtar).  Luftimet vijuan shumë të ashpra gjatë gjithë ditës.

Natën, duke u gdhirë 17 nëntori, komanda gjermane nuk shikonte asnjë mundësi shpëtimi. Ndërkohë që ishin krijuar të gjitha kushtet për të asgjësuar ose për të kapur rob këto forca, gjermanët, duke përfituar nga errësira e natës, dolën nga rrethimi dhe u grumbulluan në fushën e Aviacionit. Që këtej, pasi u organizuan për marshim, lë­vizën drejt Vorës për në Shkodër. Forcat e fundit gjermane që u tërhoqën nga Tirana u goditën në rrugën Tiranë – Vorë – Laç. Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e net luftë të ashpër e të pandërprerë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua. Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme.

Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH-ja për çlirimin e qyteteve.

  • Hapësira e operacionit – 4000 km2
  • Kohëzgjatja – 2 muaj, 19 ditë radhazi për çlirimin e kryeqytetit.
  • Të rënë – 127
  • Të plagosur – 290
  • Humbjet e armikut
  • 3000 të vrarë dhe shumë të plagosur,
  • 300 robër,
  • 25 topa,
  • 4 tanke,
  • 100 mitralozë,
  • 200 automjete,
  • 250 karro me materiale të ndryshme, etj.

Armiku nuk zbatoi dot planin e tij për shkatërrimin e Tiranës. Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e popullit, nga të moshuarit e deri te fëmijët, ishte e ma­dhe, në forma e mënyra të ndryshme. Për realizimin e drejtimit të operacio­nit, përdorim të gjerë gjeti ndërlidhja me radio, si dhe mënyrat e tjera, si takimet me shtabet vartëse, me lajmëtarë etj. Nëpërmjet kësaj veprim­tarie drejtuese u arrit që të ndihmohen drejtpërdrejt e në kohë shtabet e instancave vartëse, të cilat morën dhe zbatuan masa të efektshme, veça­nërisht për njohjen e armikut, organizimin e luftimit, manovrimin e for­cave, drejtimin e tyre etj. Në mënyrë krijuese u zbatua parimi i manovrimit dhe i përqendri­mit të forcave që erdhi duke u rritur shkallë – shkallë, të cilat në fazën përfundimtare arritën në 11 brigada, çka siguroi vijimësinë e pandërpre­rë të operacionit deri në fitore. Drejt u përcaktuan sektorët dhe pikat më nevralgjike të sistemit të mbrojtjes armike, nga asgjësimi i të cilave u bë e mundur ecuria dhe fitorja e operacionit.

Çlirimi i Tiranës është modeli i sakrificës dhe përpjekjes heroike e të rinjve dhe të rejave anë e mbanë vendit që luftuan krah për krah për një Shqipêri të çliruar.

MIRËNJOHJE kontributit të çdo shqiptari në shërbim të kombit.

Burimi:wikipedia

Përshtati për ALVA : E. D.