Lulekuqja e mjera
asgjëkundi s’ka shtëpi
e shkon jetën n’arrati
ajo s’është si të tjera
s’ka stoli!
Fushës, kodrës, del vetiu
verës ngrohet, dimrit ngrin
vetë shkundet, vetë mbin
dhe, kur skuq, vjen veriu
dhe e përfshin
nëpër këmbë gjith’ e shkelin,
vend në kopshtet ajo s’ka
dorë ndihme kurrrë s’pa;
As e mbjellin, as e vjelin
shkoj u tha…
Po veç ngjyra e saj si zjarri,
Si një yll që xixëllon
Tërë bota e imiton
Eshtë shenjë për së mbari
Nga shikon
Ajo ngjyrë kur zë shfaqet
Mbreti fronë shkon e le
Njerëz robër fare s’sheh
Vjen e drejta del në faqet
si Zot je
Ajo ngjyrë nd’ato fletë
Është shpresa që tregon
një të ardhme q’ëndërron
Është flamuri ynë vetë
që valon.
Aleksandër Stavre Drenova i njohur më së shumti me nofkën Asdreni (Drenovë, 11 prill 1872 – Bukuresht, 1947) ka qenë poet, publicist dhe veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit.


