Njihuni me Anën: Gati 30 vjet eksperiencë dhe përkushtim sa 300 njerëz bashkë. Me bagazh për t’u admiruar, ndër profesionistet më të strukturuara dhe këmbëngulëse që ka Shqipëria, veti që ia mundëson formimi i saj si inxhiniere dhe sfidat si nënë e arrirë.

Ana është “inxhiniere” në shumë fusha ku gratë dhe vajzat shqiptare nuk çajnë dot lehtësisht. Njohëse e përkryer e financës dhe auditimeve, monitoruese me filtrat më të imët që keni njohur e me antenat më receptive që ekzistojnë, analitike e detajuar dhe besnike e paepur e punës dhe projekteve ku shërben, Ana ka nxjerrë faqebardhë me dhjetëra nisma e projekte, duke lehtësuar heshturazi punën e shumë ekipeve me shqiptarë, suedezë, zviceranë, gjermanë, austriakë, portugezë, e me radhë. Njohëse dhe besimtare e palëkundur e arsimit profesional dhe aftësive të të rinjve, prej 3 vjetësh, Ana organizon atë që dhjetëra donatorë e milion euro në dy dekada e gjysëm, nuk e organizojnë dot (se mungon shpirti): Konkursin real të aftësive.

Ana është ideatorja dhe bashkë-themeluesja e “Albanian Skills”, konkursi që me këmbënguljen unike të kësaj vajze shqiptare jo si të tjerat, ndez shpresat e të rinjve që besojnë tek aftësitë dhe puna. Çdo Maj, në mënyrë tërësisht vullnetare dhe super-profesionale, Ana dhe Albanian Skills bëjnë konkurs e mbledhin fonde modeste që të çojnë fituesit shqiptarë në konkurset e ngjashme në Europë dhe në botë. Albanian Skills nuk është show politik. As institucional. As organizatë-biznes. As me axhendë të fshehur.

Është nismë e një gruaje të talentuar, profesioniste e me zemër të madhe, që beson tek puna që bën dhe tek ofrimi i mundësisë për të gjithë. E si çdo vajzë e sjellë në këtë faqe, Ana është modeste, pas kuintave, e duruar, e matur, e pa-informuar për prezantimin që i bëjmë dhe tërësisht e respektuar nga të gjithë ata që i njohin punën dhe zemrën.

Burimi:Vajzat per Shqiperine / http://www.albanianskills.org/ ALVA – M. P.