Tema e Ditës Ndërkombëtare të Paqes për vitin 2024 ishte: “Veprimet për Paqe: Ambicia jonë për Qëllimet Globale”. Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e veprimeve konkrete që çojnë drejt paqes globale dhe për të promovuar vlerat që e mbajnë këtë ideal të gjallë në shoqërinë tonë.
URI ka një traditë të gjatë të festimit të kësaj dite në mënyra të ndryshme, përmes akteve të shërbimit, lutjeve, shëtitjeve për paqe, koncerteve, ekspozitave të artit dhe ngjarjeve ndërfetare; synon të krijojnë ura paqeje dhe mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Në këtë frymë, organizata ALVA-Albanian Values -Vlerat Shqiptare u bashkua me URI-n dhe mori pjesë në festimet e këtij viti, duke mbështetur përpjekjet globale në Ditën Ndërkombëtare të Paqes për të promovuar paqen.
Fjalët e një personaliteti të madh shqiptar, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur në të gjithë botën me emrin Shën Nënë Tereza, për veprat e saj të dashurisë dhe mëshirës janë tepër frymëzuese për ne: “Nëse nuk kemi paqe, kjo ndodh për shkak se kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit. Pa dashuri, paqja është e pamundur.” Ky mesazh rezonon fuqishëm edhe sot, duke i bërë thirrje botës që të rivendosë dashurinë në zemrat dhe veprimet e saj.
Dashuria, themel i paqes në përputhje me mësimet e Shën Nënë Terezës
Mesazhi i Shën Nënë Terezës mbetet aktual dhe i domosdoshëm për të frymëzuar jo vetëm gratë, nënat dhe motrat, por të gjithë shoqërinë globale për rëndësinë e dashurisë. Dashuria është e nevojshme për të ngrohur zemrat e njerëzve dhe për të siguruar qetësinë shpirtërore, që është themeli për parandalimin e konflikteve dhe dhunës. Vetëm kur njerëzit ndihen të dashur dhe të mbështetur, paqja mund të triumfojë në familje dhe në shoqëri.
Shën Nënë Tereza e vlerësonte dashurinë si forca që ndryshon zemrat dhe krijon paqe në shoqëri. Sipas saj, kur dashuria mungon, pasojat janë të dukshme: tensionet dhe ndarjet brenda familjeve, si dhe përçarjet dhe mungesa e respektit në shoqëri. Pa dashuri, shoqëria bëhet më e ftohtë, më e ashpër dhe më e prirur ndaj dhunës. Ajo besonte se dashuria është e vetmja forcë që mund të zbusë zemrat dhe të sjellë respekt e mirëkuptim mes njerëzve, duke krijuar një botë më të drejtë dhe më të qetë.
Shën Nënë Tereza e përqendronte mësimin e saj në shërbimin ndaj më të varfërve dhe më të nevojshmëve. Ajo na kujton se dashuria nuk ka të bëjë vetëm me fjalët, por me veprime konkrete që ngrohin zemrat e të tjerëve dhe i ndihmojnë të ndihen të dashur. Duke shpërndarë dashurinë në shtëpinë tonë dhe në komunitetin tonë, ne kontribuojmë për një shoqëri më paqësore dhe më të drejtë.
Ne falënderojmë URI për mundësinë që na dha për t’u bashkuar për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. Duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës, ne mund të ndërtojmë një botë ku dashuria dhe paqja janë vlerat themelore që na udhëheqin drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.