Dita Ndërkombëtare e Lumturisë

0
746

Bota vërtet ka nevojë për një ditë plot buzëqeshje dhe prandaj Kombet e Bashkuara e shpallën Ditë ndërkombëtare të Lumturisë. Ajo ditë është 20 marsi, që është po ashtu edhe dita e parë e pranverës dhe kemi plot e plot arsye për të na qeshur fytyra dhe të jemi të lumtur.

Në korrik të vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara adoptoi një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.

Për të festuar, njerëz në të gjithë botën organizohen dhe u sjellin lumturi të tjerëve. E nëse diku në botë ekziston një njeri që do të ishte model lumturie, atëherë ai është Don Johnson nga Niagara, një muzikant, i cili shpesh mund të gjendet duke argëtuar njerëz në ngjarje të ndryshme, spitale e madje edhe qendra përkujdesjeje shëndetësore.

“Më pëlqen jeta dhe jam mirënjohës se tani jam 87 vjeç dhe gjithçka me mua është OK”, thotë Johnson, shtëpia e të cilit është e mbushur me certifikata dhe pllakate falënderimi nga organizata të shumta.

“Muzika ka një kuptim të madh në jetën time. Kur shkoni në spital apo në qendër përkujdesjeje shëndetësore dhe e shihni ndonjë njeri që nuk është dhe aq mirë, atëherë filloj të luaj ndonjë këngë që ata e pëlqejnë, sikur kjo të ishte gjëja e fundit që mund të bëj për ta. Ndoshta i kam bërë të ndihen të lumtur vetëm për një ditë apo për të paktën disa minuta”. Johnson megjithatë thotë se ka ditë kur nuk është dhe aq i disponuar, por e gjitha që i duhet të bënte është të merrte instrumentin e tij të preferuar, një lloj kitare e quajtur “banjo”, dhe përnjëherë shkon në një botë tjetër.

“Nuk mund ta blini lumturinë – duhet ta përjetoni”.

“Nuk ka shpërblim më të madh në jetë sesa të dish se e ke ndihmuar dikë përgjatë rrugës, që të ketë një të nesërme më të mirë”, ka thënë banori 67-vjeçar i Nigaras. “Bëni gjëra të caktuara për njerëzit për shkak se brengoseni për ta. Nuk ka të bëjë me kërkimin e ndonjë shpërblimi. Ka njerëz përreth botës, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë njëri-tjetrin. Lumturia ka të bëjë me dashurinë për familjen, njerëzit, besimin, flamurin dhe shtetin”.

Dhe çfarë nënkupton lumturia për njerëzit si Michael Busseri, asistent profesor i psikologjisë në Universitetin Brock, i cili ka bërë studime në këtë fushë?

“Në pjesën më të madhe, lumturia varet nga vetë fakti se si njerëzit e definojnë atë”, ka thënë Busseri, i cili pranon se nuk e ka përgjigjen magjike.

“Disa njerëz e imagjinojnë lumturinë si diçka që ndodh nga momenti në moment, nga minuta në minutë dhe në rastet kur ndihen pozitivisht apo negativisht. Të tjerët e imagjinojnë lumturinë më shumë si një veçori karakteri – është pjesë e personalitetit të tyre dhe e bartin atë me vete në çdo eksperiencë që përjetojnë”, thotë ai.

Në disa studime të tjera, të kryera gjatë viteve të fundit, lumturia është zhvilluar bazuar në idetë e vetë mënyrës së jetesës, nëse ajo është me kuptim dhe me qëllim. Por një përgjigje e vetme dhe definitive nuk është nxjerrë asnjëherë.

Të famshmit për Lumturinë

“Numëroni moshën sipas miqve, jo sipas vjetëve. Vlerësoni jetën sipas buzëqeshjeve, jo sipas lotëve”. (John Lennon)

“Çdo minutë zemërimi ju shkakton humbjen e gjashtëdhjetë sekondave lumturi”. (Ralph Waldo Emerson)

“Lumturi është kur ajo që mendoni, ajo që thoni dhe ajo që bëni janë në harmoni”. (Mahatma Gandhi)

“Lumturia nuk është diçka që ju ofrohet si e gatshme. Ajo vjen nga vetë veprimet tuaja”. (Dalai Lama XIV)

Burimi:www.koha.net