Muzika Popullore Shqiptare, përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Në përshkrimet e studjuesve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë shekujve XVIII-XIX është arritur përafërsisht në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor, por ka edhe krom edhe naftë.

Folklori muzikor bën një jetë aktive edhe sot, ndërkohë që gjurmët e lashtësisë së tij janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike etj.

Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur, çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore etj. Këtyre u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone, kordofone, areofone.

Folklori muzikor shqiptar e bën jetën e vet në një ndarje specifike, që lidhet me format e të shprehurit muzikor dhe me tipet kryesore të instrumenteve të përdorur. Lumi i Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përveçse ndan dy dialektet kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të Shkumbinit, shërben edhe si kufi natyror për klasifikimin e tipologjisë së folklorit muzikor. Në veri të lumit Shkumbin lokalizohet zona monodike e të shprehurit muzikor, e shoqëruar kjo me shkallët modale (diatonike apo kromatike) sëbashku me vegla muzikore specifike për këtë zonë, si lahuta dhe çiftelia. Ndërkohë, për trevat që shtrihen në jug të lumit Shkumbin është karakteristik fenomeni i të shprehurit muzikor në iso-polifoni (ang. Poliphonie with burdon) me përdorimin e shkallëve pentatonike si dhe të instrumenteve specifik si gajde dhe bicula (fyell i dyfishtë). Krahas muzikës fshatare pa shoqërim me vegla (a capella), duke nisur nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, lindi dhe u kristalizua muzika popullore qytetare, që në Jug të Shqipërisë takohet kyesisht në qytetet Korçë, Vlorë, Sarandë, Delvinë, Përmet, Leskovik, Pogradec, me formacionin polifonik të Sazeve (të përbërë nga instrumente të importuar si klarineta, violina dhe fizarmonika, si dhe nga vegla popullore karakteristike si lahuta, dajre, fyell), ndërsa në Veri në qytetet Shkodër, Durrës, Elbasan, Kavajë, etj., shoqëruar nga ansamble popullore monodike ose monodi me shoqërim (të përbërë nga vegla të importuara si klarineta, fizarmonika dhe violina, por edhe nga vegla të traditës popullore, si kemanxhia, fyelli, etj).

Nisur nga roli i dorës së parë që ka në traditën shqiptare, folklori muzikor studjohet si lëndë e veçantë në shkollat e mesme të përgjithshme, në ato artistike, si edhe 

në Akademinë e Arteve të Tiranës, ku formohen edhe etnomuzikologët e ardhshëm.

Regjistrimet e folklorit muzikor shqiptar nisin që prej viteve 1900 e më tej. Përpara viteve 1940 ato janë realizuar pranë shoqërive Odeon, Columbia, Pathé, His master’s voice. Regjistrime më të vona takohen edhe në formën e CD-ve, si CD me muzikë të “Familjes Lela”, prodhuar në Francë më 1992 nga Judigo; dy CD me muzikë toske të “Laver Bariut”, prodhuar përkatësisht në Greqi dhe Angli, etj.

Burimi:Wikipedia / përgatiti për ALVA – Vila Dibra