Shote Galica, e emëruar në lindje si Qerime (Halil) Radisheva, ka lindur në Drenicë, Vilajeti i Kosovës,  në vitin 1895. Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, “Heroinë e Popullit“.

Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.

Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës së regjimit të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël). Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Humbi në luftime nga masakrat e shovenistëve serbë 22 anëtarë të familjes. Më 3 korrik 1927 Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku u largua nga jeta në Fushë Krujë në vitin 1927.

Më 1962, u ngrit një lapidar në Fushë-Krujë, vepër e skulptorit Kristaq Rama. Është nderuar  me titullin e lartë “Heroinë e popullit”.

Burimi: wikipedia / ALVA