Më falni nëse gabova sot, të paktën u përpoqa, FOLA – VIKTIMA E SHKELJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT

0
917

Më lejohet të gaboj sot 10 dhjetor në Ditën e të Drejtave të Njeriut, duke shprehur se kam të drejtë ta gëzoj jetën e barabartë sikurse kanë jetuar paraardhësit e mi, pa cënuar njeri. Gaboj shumë se po kërkoj një të drejtë- të drejtën time në një vend ku e drejta nuk dëgjohet. Ku Individi me grada shteti nuk sheh as dëgjon se nuk ka interes as të degjojë as të veprojë. Kam bërë gabim shumë kur lexova Kushtetutën e Shqipërisë.

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË: Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit.

U gabova se shpresova që nënpunësi i shtetit që paguhet me taskat e popullit tim, ku jam unë taksapaguese gjithashtu sikurse shumë të tjera gra si unë, duhet minimumi të më dëgjonte, se duhet të respektojë uniformën apo emrin e nënpunësit të shtetit. Afërsisht 30 vjet demokraci, tranzicioni ende vazhdon po deri kur edhe sa duhet me prit ne gratë që të na trajtojnë siç e meritojmë. Unë jam njeri, si e tillë dëshiroj të më trajtojnë me etikë, unë kam dinjitet.

Thonë se “të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta” por realiteti qenka ndryshe shumë.

Gabova nëse ju shqetësova dhe një letër ju dërgova Ju Liderëve të vendit tim, z. President Shkëlqesia juaj Ilir Meta, z. Kryeministër Edi Rama, Ministrit të Brendshëm Bledar Çuçi, Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë znj. Lindita Nikolla e shumë lidera të tjerë ndërkombëtarë gjithashtu të cilët janë pro lirisë dhe të drejtave të njeriut. Shumë faleminderit për mirëkuptimin tuaj. Ëndërrova dhe shpresova se drejtësia do vihej në vend, po gaboba sot, mendoj nesër mos të ëndërroj me sy hapur.

Të nderuar Lidera të Atdheut tim! Bij dhe Bija të Nënës Shqipëri

“Bëje Botën Portokalli” është fushata globale e 16 ditëve për ti dhënë fund dhunës me bazë gjinore nëpër botë. Në Shqipëri kjo fushatë ndjehet të jetë shumë e domosdoshme të zhvillohet gjatë 365 ditëve të vitit.

Shqiptarët ndër shekuj i kanë ndejtur besnik “Kanunit”, kushtetutës kanunore, ku gruaja ishte e paprekshme, respektohej, mbrohej dhe nuk lejohej të dhunohej. Periudha e tranzicionit që po kalon Shqipëria ka vënë në krizë vlerat njerëzore. Rritja e madhe e numrit të grave dhe vajzave të dhunuara, të vrara përbën një kërcënim jetik për shoqërinë shqiptare sepse po cënohet figura dhe dinjiteti i gruas shqiptare. Gratë shqiptare janë vetësakrifikuar ndër vite por asnjë herë ato nuk u dorëzuan para sfidave. Pandemia i ka thelluar edhe më shumë problematikat ekzistuese referuar dhunës në familje. Mentaliteti patriarkal qe ekziston tek ne tashmë po e pranon dhunën si zgjidhje të vetme, normale. Para 100 vjetësh, para krijimit të shtetit shqiptar, ekzistonte patriarkalizmi por ndryshimi ishte i madh se gratë shqiptare nuk vriteshin siç ndodh sot. Dhuna nuk justifikohet ndaj asnjë njeriu dhe si e tillë ajo është e patolerueshme në të gjitha format që transmetohet ndaj gruas.

Ju shkruaj si qytetare, shtetase shqiptare, viktimë e shkeljes së të drejtave të njerut me dëshirën për të kontribuar në parandalimin e rasteve kur shkelen të drejtat e njeriut dhe cënohet dinjiteti i gruas, familjes shqiptare. Unë vazhdoj të besoj te zbatimi i ligjit dhe sistemeve të vlerave që sigurisht do mund të parandalojnë dhunën e çdo forme ndaj gruas. Sugjeroj duke nisur nga:

  • Përmirësimi i mjeteve të komunikimit në zyrat e pritjes së institucioneve shtetërore me qytetarët, i cili është i rëndësishëm për rolin që luan në parandalimin e problemeve të dhunës në familje, me bazë gjinore etj.
  • Krijimi i një sektori për rishqyrtimin e rasteve problematike, sidomos për rastet ku viktima e dhunuar është grua.
  • Forcimi i bashkëpunimit të SPZ – Specialistit të Zonës me banorët e zonës. Solidariteti i komunitetit do ndihmonte në parandalimin e shumë rasteve të dhunës në familje, me bazë gjinore etj.
  • Përdorimi i mekanizmave të reja në sektorin publik në mbrojtje të gruas ndaj mendësisë patriarkale, që ende ekziston në vendin tonë dhe mbetet problemi kryesor në luftën kundra dhunës ndaj gruas.

Diskriminimi ndaj grave forcohet nga mentaliteti patriarkal, ku “më i forti”, bën ligjin ndaj “më të dobtit”. Një grua e dhunuar, një dinjitet dhe personalitet i mohuar, përbën cënim të emancipimit dhe demokratizimit të shtetit. Çdo grua shqiptare meriton të ketë një jetë të qetë dhe të sigurtë ku ligjet zbatohen sipas niveleve bashkëkohore.

Solidarizohem për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e çdo gruaje nga dhuna, duke promovuar vlerat e saj si dhe duke kontribuar në ndërgjegjësimin ndaj rolit të saj të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare ndër vite. Bashkë ne do të mund të ndihmojmë në krijimin e mundësive që të rikuperohemi sa më mirë nga kjo situatë pandemike. Së bashku ne jemi më të fortë. Çdo kush prej nesh ka të drejtë të jetojë i lirë duke respektuar gjithashtu të drejtat e të tjerëve. Çdo ditë neve na duhet të jemi në solidaritet kundra dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje etj. dhe në mbështetje të vlerave. Çdo ditë kundra dhunës ndaj grave, së bashku për një jetë më të mirë.

Më falni nëse gabova sot, të paktën sot u përpoqa, FOLA. Faleminderit që e lexuat deri në fund! Faleminderit nga unë VIKTIMA E SHKELJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT

@Viktima e shkeljes se te drejtes se njeriut @manjolaperja

#viktima #grua #viktimaeshkeljessetedrejtessenjeriut #ditartedrejtavetenjeriut #ditanderkombetareetedrejtavetenjeriut #tedrejtatenjeriut #manjolaperja #barazigjinore #kundradhunesndajgruas