“Bashkësia Dibrane” promovoi me rastin e festave të nëntorit dokumentarin historiko-biografik “Historia Shatku” përgatitur nga RTSH me skenar të gazetarit Genc Ymeraj

0
1344

Historia e Shqipërisë është një histori që pulson nga shpirti i qëndresës së dibranëve ndaj asimilimeve, gatuar nga brumi i bëmave të atyre protagonistëve historikë që u ngritën në lartësinë e misonarëve për fatet e kësaj treve.

Ndër shekuj dibranët kanë shpalosur tiparet e tyre titanike në luftërat e drejta me karakter çlirimtar. Ndër këta qëndrestarë ka qenë edhe familja Shatku nga Dibra e Madhe. Pinjollët e kësaj familje kanë qenë në kurbën më të lartë të angazhimeve atdhetare për liri kombëtare dhe për drejtësi shoqërore, që ndër kohëra kanë vendosur gurë kilometrikë në kujtesën tonë kolektive dhe në institucionet politiko-juridike të shtetit shqiptar

Familja Shatku ka dhënë një kontribut të madh për atdheun dhe për më tej na gëzon fakti kur trashëgimtarët shkruajnë libra për paraardhësit e tyre, sikurse është edhe libri ”Atdhetarët Shatku” me autorë Saimir Shatku  dhe Qatip Mara. Libri është një studim i mirëfilltë, i cili fakton me foto dhe dokumente historike historinë e familjes Shatku, duke pasqyruar cilësitë dhe vlerat që mbart kjo familje me kontributin e çmuar në shërbim të atdheut.

Në periudhën e gjatë të tranzicionit që po kalon Shqipëria ku modelet janë të pakta ky libër dhe promovimi i dokumentarit “Familja Shatku” janë një kambanë me tinguj të bukur thirje ndërgjegjësie se se gjurmët vazhdojnë në përçimin e mesazhit për të kujtuar kontributin e paraardhësve dhe si e tillë të qenurit mirënjohës ndaj kontributin të tyre në formimin e shtetit shqiptar përbëjnë modelin nga ku shumë breza do mund të mësojnë nga metodat e tyre që u vunë në shërbim për të mirën e vendit.

Në shumë kapituj të librit, sikurse edhe te dokumentari theksohen cilësitë e veçanta që i karakterizonin personalitetet e familjes Shatku, duke nisur që nga pozicionet e ndryshme drejtuese dhe aftësitë për të qenë të drejtë në vendimarrje dhe iniciator në zhvillimin e punëve që ju ishte përcaktuar kanë dhënë kontributin e tyre në mënyrë të vazhdueshme,duke ndihmuar lëvizjen kombëtare shqiptare. Ata bëjnë pjesë në elitën politike dhe shtetërore të kohës duke qenë vijues të Rilindjes tonë Kombëtare që me kulturën juridike dhe ushtarake kontribuan në ngritjen e institucioneve me kritere dhe parime perëndimore. Personalitet e familjes Shatku të promovuar në dokumentar ishin:

Izet Shatku Dibra 1887-1964 jurist, prefekt i Tiranes, Beratit, Kryetar i Bashkisë Shkodër, nënprefekt i Tiranës, Ministër i punëve Botërore, themelues i organizatës së re kombëtare shqiptare Lidhja Shqiptare e Pejës ose Besa-Besë etj. Në një ndër takimet me shokë ai ishte shprehur: Unë nuk kam lakmi dëfrimet e jetën luksoze, për gjithë dijet e aftësitë e mia dua tí vë në shërbim të luftës  për çlirimin e atdheut, për ta parë Shqipërinë të lirë e të pavarur.

Faik Shatku 1889-1946 avokat, Kryeprokuror, prokuror, Ministre i arsimit Kombëtar, sekretar i përgjithshëm në administratën e lartë publike e këshilltar ligjvënës njeri me vision dhe horizont të gjerë. Gjatë lëvizjes kombëtare në vitin 1908 pjesë e thirjes së tij drejtuar të rinjve janë deri në ditët e sotme tepër reale: “Përpara! Ata që i përkushtohen tërësisht të vërtetës, më në fund do të fitojnë. Përpara! Njeriu me vullnet kapërcen majat e maleve më të larta. Përpara! Të begatohemi nga dielli i diturisë.“

Kolonel Shefki Shatku 1896-1973 Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë së Mbretërisë Shqiptare krijoi organizimin modern dhe profesional të Xhandarmërisë së Mbretërisë Shqiptare. Në gjurmët e parapardhësve ecën më tej edhe sportistët Luan Shatku dhe Geri Shatku

Shoqata Bashkësia Dibrane organizoi me rastin e festave të nëntorit Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, në Muzeun Historik Kombëtar aktivitetin për promovimin e dokumentarit historiko-biografik “Historia Shatku” përgatitur nga Radio Televizioni Publik Shqiptar me skenar të gazetarit Genc Ymeraj.

Aktiviteti nisi duke u kënduar kënga e Himnit Kombëtar Shqiptar nga “Mjeshtri i madh” Kastriot Tusha. Të pranishëm në aktivitet ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e Tij, z. Ilir Meta, i cili në fjalimin e tij përshëndetës përveç të tjerave u shpreh se: “Është shumë e rëndësishme ruajtja dhe promovimi i vlerave dhe kontributeve atdhetare dhe patriotike të qarkut të Dibrës si një ndër krahinat me kontribute të jashtëzakonshme në ruajtjen e integritetit, sovranitetit por edhe të shtetformimit të Shqipërisë. Padyshim familja Shatku dhe përfaqësuesit e saj ashtu si dhe shumë familje të tjera të shquara dibrane kanë një kontribut të rëndësishëm në të gjithë këtë histori”. Më pas Presidenti Meta vijoi me ceremoninë e dekorimit të disa personaliteteve dhe figurave patriotike:

Faik Shatku – Dibra u dekorua pas vdekjes me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të dalluar për shtetin shqiptar, në plejadën e parë të fillimit të shekullit XX. Në një serë detyrash, si përfaqësues i Këshillit të Shtetit, në jetën Parlamentare, në çështjet e arsimit kombëtar, si dhe pjesëtar në komisionet për hartimin e korpusit juridik funksional i cili mban gjallë edhe sot, vlerat e traditës juridike Shqiptare.”

Dalip Rusi u dekorua (pas vdekjes) me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, me motivacionin: “Në vlersim të kontributit shumë të çmuar dhe patriotik, si pjesë dhe organizator i Kuvendit të Pejës dhe Kryengritjeve patriotike të Dibrës dhe trevave të saj, për liri dhe deri në shpalljen e pavarësisë kombëtare.”

Me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” u dekorua pas vdekjes Ali Pustina me motivacionin: “Në vlerësim për rolin dhe kontributin e tij si organizator dhe pjesëmarrës i kryengritjeve antiosmane e antiserbe gjatë shekullit XX, në Dibër dhe trevat e saj. Përfaqësues i grupit që përkrahu lëvizjen kombëtare për liri e pavarësi. Anëtar i Klubit patriotik “Bashkimi Dibran”;

Me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” u nderua Ibrahim Jegeni (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij, si pjesëmarrës dhe organizator i shumë aktiviteteve patriotike dhe kombëtare, pjesë e klubit “Bashkimi Dibran”, lëvizje e cila ndikoi në gjallërimin e ndjenjës dhe vetëdijes kombëtare.”

“Për Merita të Veçanta Civile” u nderua Hasan Bakiu (pas vdekjes), me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në përpjeke për zgjimin kombëtar përmes librit dhe dijes, si dhe një ndër personalitetet e njohura, i cili hapi dhe librarinë e parë në Tiranë. Anëtar i klubit patriotik “Bashkimi”.

“Për Merita të Veçanta Civile”, u nderua dhe Gëzim Ostreni me motivacionin: “Në vlerësim pë kontributin e tij tepër të spikatur dhe të vyer, si drejtues i mjaft veprimtarive dhe studimeve shkencore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare dhe si pedagog i shkencave strategjike. Hartues i disa traktateve shkencore mbi genocidin serb dhe maqedonas, tek Shqiptarët e trevave Shqiptare, e në veçanti në Dibër të Madhe.”

Ministri i Drejtësisë, i Republikës së Shqipërisë, z. Ulsi Manja në fjalimin e tij foli mbi figurën dhe personalitetin e ish-Ministrit të Drejtësisë së periudhës së Mbretërisë Shqiptare, z. Faik Shatku duke theksuar se: “Faik Shatku, së bashku me figurat dhe personalitetet e tjera juridike të kohës si: vëllezërit Ivanaj, Milto Tutulani, Agjah Libohova, Dhimitër Berati, Mehdi Frashëri, si dhe Thoma Orollogaj, do të mbahen mend si juristët e parë të cilin njihnin më së miri praktikën juridike të së drejtës së krahasuar dhe legjislacionet evropiane të kohës. Ishte ky hapi më i rëndësishëm që ato hodhën me kalimin nga sistemi otoman i jurisprudencës në sistemin romano-gjermanik, ku sundoi fryma perëndimore e kuadrit ligjor, e cila vlerësohet dhe sot nga kritikët ligjor dhe juristët e dalluar”.

Duke folur për Faik Shatkun, z. Manja tha se “si jurist i njohur, këshilltar i ministrit të Drejtësisë, sekretar i përgjithshëm, e më pas ministër i Drejtësisë, Faik Shatku u mor gjerësisht me përthithjen e legjislacionit modern europian dhe përafrimin e sistemit gjyqësor shqiptar me ato të tipit francez, italian dhe gjerman”. Manja në përbyllje të fjalimit përmendi edhe personalitete të tjerë dibranë të kohës, të cilët patën ndikim në jetën politike të kohës. “Duhet vlerësuar edhe kontributi i ligjvënësve dibranë në jetën parlamentare, e senatorëve të viteve 1920-1940 me figura dhe personalitete të spikatura të jetës politike të vendit si: Jashar Erebara, Fiqiri Rusi, Abdurahman Dibra, Hafiz Xhemali, Qamil Pepa, Ymer Strazimiri, Faik dhe Izet Shatku Dibra etj.”

Për prezantimin e dokumentarit ishte i pranishëm edhe z. Turan Rusi përfaqësues i familjes Rusi, i cili kishte ardhur enkas nga Amerika për këtë aktivitet, si dhe përfaqësues nga familja Pustina, familja Jegeni, Bakiu, Fagu etj.

Në përfundim të aktivitetit z. Bujar Kapexhiu “Nderi i  Kombit” në emër të bashkësisë dibrane vlerësoi me “Mirënjohje” gazetarin dhe skenaristin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, z. Genc Ymeraj, për dokumentarin, si dhe për frymën e mesazhit kombëtar, shoqëror dhe historik. Moderatore e aktivitetit ishte Manjola Perja, e cila si themeluese e  organizatës ALVA – Albanian Values – Vlerat Shqiptare dhe pjesë e kryesisë së Bashkësisë Dibrane shpreh falenderimin për përgjegjësinë e ngarkuar dhe gjithashtu në emër të komunitetit ALVA përgëzon “Bashkësinë Dibrane” për mbështetjen në promovimin e figurave patriotike dibrane si dhe për organizimin e aktiviteteve të tilla të rëndësishme.