Persqopi është një nga vendbanimet ilire më të rëndësishme në zonën e Tiranës.
· Duke iu referuar periodizimit të fortifikimeve të Ilirisë Jugore dhe Epirit, nga pikëpamja arkitektonike, Persqopi i përket periudhës që përfshin gjysmën e dytë të shekullit të IV p.er. Kjo periudhë shënon një zhvillim të madh të fortifikimeve të Ilirisë Jugore si Bylisi, Amantia, Zgërdhesh, Olimpi, Persqopi etj.
· Duke analizuar burimet antike nuk gjejmë asnjë autor që citon dhe flet për këtë vendbanim me emrin që e njohim sot. Gjurmët e vetme flasin që territori i Persqopit ishte i banuar nga fisi ilir i Parthinëve.
· Qyteti antik është i lokalizuar në faqen e Malit të Vilës, që është maja e fundit më e lartë e zinxhirit malor të Krrabës (590 m lartësi). Pozicioni strategjik i tij bënte të mundur kontrollimin e një territori të gjerë dhe rrugëve që kalonin në këto vise. Ky është i vetmi fragment i murit fortifikues, më i larti i konservuar në të gjithë territorin e Shqipërisë, më një shtrirje rreth 60 m gjatësi dhe lartësi prej 7 m me 10 rreshta gurësh të ndërtuar në mënyrën izodomike.
· Hyrja është tërthore, me një gjerësi rreth 2.6 m. Kjo është e vetmja hyrje që mund të dallohet sot në këtë vendbanim. Muret janë ndërtuar me dy parete me blloqe guri kuadratik.
· Muri i jashtëm ka një trashësi prej 2m dhe ai i brendshëm është më i hollë rreth 1m. Lidhja e dy pareteve është realizuar përmes mureve të tjera të tërthorta të vendosura në 5.6 – 6.1 m distancë nga njëri-tjetri. Hapësirat boshe që krijohen mes mureve janë të mbushura me dhé dhe gurë të dimensioneve të ndryshme, duke krijuar atë tipologji muri që quhet emplekton.
· Përveç mureve antike, në Persqop ruhen dhe gjurmë të shumta të banesave, si dhe gjurmët e një varri dhe të një ujësjellësi që furnizohej me ujë nga Mali Vilë. Këto të dhëna janë një tregues i rendësishëm i fuqisë ushtarake, ekonomike dhe politike të vendbanimit antik të Persqopit.