Për të rinjtë,

Në këtë 8 dhjetor dhe çdo ditë të jetës, uroj LIRI dhe DEMOKRACI!
Çdo të riu, të reje, do t`i këshilloja: “Rezisto, vepro dhe mos u tjetërso!”

Rezisto ndaj çdo tjetërsimi vlerash: sot përpiqen të të mbushin mendjen se ai që punon ndershmërisht është i humbur; se ai që është i drejtë vuan dhe nuk fiton; se respekti, mirënjohja, fisnikëria, humanizmi nuk vlejnë më. E kaq mjafton për të të zhytur në frikë e mosbesim. Ke humbur gjithçka kur humbet besimin, ndaj rezisto!
Rezisto ndaj asaj që nuk funksionon dhe të serviret si perfekte, ndaj flluckës bosh që të serviret si sukses, ndaj mediokritetit dhe pengesave që has!

Bëj më të mirën tënde!

Merr pjesë dhe vepro për të ndryshuar edhe pse mund të mos duan që ti të jesh pjesë! Rezisto ndaj autokratëve!

Bëju të ditur se njeh të drejtat dhe detyrimet e tua dhe se kërkon të jetosh e të veprosh me dinjitet!

Shih me dyshim çdokënd që predikon e hiqet si pishtar demokracie, por që sjellja e tij, e saj nuk e justifikon! 
Rezisto ndaj barazimit të vlerave në mënyrë të padrejtë!

Shpesh do të ndihesh i, e dekurajuar që të gjithë “futen në një thes” edhe pse nuk e meritojnë të jenë aty, edhe pse nuk vlejnë njësoj sa ti, por mos harro se jemi një vend i ri në demokraci e ku tranzicioni ka bërë punën e vet.

Mos u ligështo, por vazhdo të ndriçosh edhe kur të tjerët do të përpiqen të zbehin dritën tënde!

Bëj më të mirën duke respektuar dhe ruajtur vlerat e tua njerëzore. Përpiqu t`i ndryshosh këto mendësi!
Rezisto ndaj të gjithë atyre që të thonë se ky vend nuk bëhet më, por që nuk kanë lëvizur prej këtej se kanë përfituar dhe përfitojnë mjaft dhe ti vuan sot pasojat e tyre!
Vepro me ndershmëri sepse jeta është e gjatë për të rënë në kompromise afatshkurtra të shëmtuara, sepse jeta është e bukur kur i arrin sukseset me shpatullat e tua, sepse ke mbi vete detyra e detyrime ndaj atyre që po rriten, sepse ke si askush tjetër një gjë shumë të çmuar: moshën më të bukur!

Ju dua më të mirën!

Burimi: Prof. Dr. Esmeralda Kromidha

Artikulli paraprak8 Dhjetori “Dita Kombëtare e Rinisë Shqiptare”
Artikulli tjetërArben Kola – E veçanta e “AL-BEN GUIDE”