“Ku kemi vlera ne shqiptarët? Vlera s’ka më.” – janë një pjesë e diskutimeve të shumta që vazhdojnë ende të më adresohen, sa herë ju prezantohem se ku konsiston puna ime si drejtuese e organizatës ALVA – Albanian Values – Vlerat Shqiptare.

Tashmë vëmendja ka ndryshuar ndaj vlerave, ndoshta edhe shkaku i pandemisë që ka përfshirë të gjithë botën, bëri që njerëzit të rikthejnë vëmendjen ndaj vlerave edhe më shumë. Ne e nisëm këtë mision shumë vite më parë, mbase ishim edhe kundra rryme, po e nisëm.

Mirësia e të gjithë dashamirësve ndaj vlerave dhe përkushtimit të punës tonë kushtuar vlerave shqiptare, na ka nxitur të vazhdojmë misionin që kemi nisur. Dashamirësia që shprehin profesionistët, historianët, studentët, pedagogët, etj. ndaj kombit, është vlera e cila ekziston mes nesh shqiptarëve, dhe kur kultivohet në mënyrën e duhur çdo kush do ishte më i qartë, përse dhe sa të shumta janë arsyet e motivimit që gjenden tek atdheu ynë dhe vetë kombi shqiptar.

Ndjehem shumë krenare për atdheun tim. Për më tepër si përfaqësuese e Shqipërisë në Komunitetin Global të Vlerave përgjegjësia rritet, që angazhimet tona të jenë të niveleve të njëjta me kombet e tjera pamvarësisht se ato kanë eksperienca disa vjeçare më shumë se ne. Asnjëherë nuk është vonë për vepra të mira, dhe ne jemi në kohë për të mundësuar realizimin e planeve në shërbim të kombit tonë bazuar tek vlerat.

Pjesë e objektivave tona përveç emancipimit të gruas, është gjithashtu rritja e mirëqenies së individit, familjes, shoqërisë dhe mbarë kombit. Asgjë nuk është e lehtë, por jo e pamundur, kur ekziston dëshira e mirë për të sjellë ndryshim në komunitet.

Certifikimi si Këshilluese e Transformimit Kulturor prej një ndër kompanive më të mëdha në botë kushtuar vlerave na detyron për më tej të mundësojmë në Shqipëri atë që bota e zhvillon dhe ka shumë vite e praktikon, rimëkëmbja e vetes, komunitetit dhe vendit bazuar në vlera.

“Pse kemi vlera ne shqiptarët?” – është pyetja tjetër që më adresohet shpesh, dhe këtu diskutimi është më i nxehtë sepse argumentet nga pala tjetër janë të shumta për të mposhtur atë që unë dhe ekipi ALVA-s po punojmë ndër vite për të identifikuar dhe promovuar vlerat shqiptare.

Së fundmi doja të ndaja me ju një tjetër lajm të mirë. Pas një periudhe të madhe pune, vjen vlerësimi nga Presidenti i Shqipërisë Shkëlqesia e Tij z. Ilir Meta Medalja: Titulli “Për merita të veçanta civile” me Nr. dekreti: 13057. Eshtë kënaqësi e madhe dhe nder gjithashtu të vlerësohesh nga atdheu yt, dhe për më tepër në mesin e komunitetit dibran.

Emocion është pak të them. Ky vlerësim, si advokuese e vlerave dhe njëkohësisht si drejtuese e organizatës “ALVA”, është një motivim më shumë për të çuar përpara nismat e ndërmarra  nga organizata jonë në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne ndjehemi akoma edhe më tepër të motivuar për të rritur edhe më lart imazhin e kombit shqiptar, në çdo fushë dhe aspekt që përfshin vlerat më të mira shqiptare.

Organizata ALVA ka ndërmarrë disa nisma gjatë këtyre viteve si: “Unë e vlerësoj atdheun tim”, “Unë e vlerësoj Gruan”, “Gratë Heroinat e Vlerave të COVID-19” dhe nisma e fundit krijimi i Rrjetit Ndërkombëtar të Vlerave – INEVA.

Dita Ndërkombëtare e Vlerave për vitin 2021 është më datë 21 tetor dhe tema për këtë vit është “Rikthimi te Vlerat”. Kemi shumë punë përpara, po ky vlerësim për vlerat që mbart vetë vlerësimi është një nxitje për të mundësuar më të mirën jo vetëm duke nisur nga dibranët e Dibrës së Madhe po për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.

E dini si i jam përgjigjur pyetjes referuar aktivitetit të parë, me rastin e Ditës Botërore të Vlerave Shqipëri 2018, ku ne sapo kishim përfshirë Shqipërinë si pjesë e Komunitetit Global të Vlerave: – Përse do e bësh aktivitetin tani? – Dua të shoh sa njerëz të mirë ka atdheu im, -ju përgjigja. Dhe atdheu im e tregoi, kur në aktivitetin e parë, pa shumë marketing na nderuan me pjesëmarrjen e tyre, Komuniteti Dibran “Bashkësia Dibrane”, tiranasit, vlonjatët, gjirokastritët etj, diaspora shqiptare gjiithashtu. Ju falenderoj shumë për mbështetjen ndër vite.

Falenderim të veçantë, për z. Bujar Kapexhiu, z. Saimir Shatku  dhe Presidentin e Shqipërisë Shkëlqesinë e Tij z. Ilir Meta, duke na motivuar më shumë me këtë vlerësim ne të rinjve  në misionin e nisur për kultivimin e vlerave shqiptare si në Shqipëri dhe kudo në botë. Sa herë që “Vlerat Shqiptare” do shkëlqejnë aq herë duhet të ndjeheni krenarë se keni dhënë kontributin tuaj që ato të jenë në lartësinë e duhur. Çdo shqiptar që vlerëson veten, familjen, atdheun kombin, ka dhënë indirekt kontributin e tij në vlerësimin ndaj “Vlerave Shqiptare”. Faleminderit edhe z. Edmond Panariti që mundësoi dhënien e titullit në emër të Presidentit të Shqipërisë.

Dua të falënderoj nga zemra, familjen time, prindërit, në veçanti motrën time dhe familjen e saj, çdo shqiptar/e, mikeshë, mik, dashamirës/e, organizata, trajnerë të huaj apo shqiptarë, diasporën shqiptare, stafin, komunitetin “ALVA”, çdo person që ka dhënë kontributin e çmuar në mundësimin e këtij vlerësimi. FALEMINDERIT!

“Do të te sulmojnë, do përpiqen të ta përvetësojnë idenë, punën por ti sërisht vazhdo” – këto janë këshillat e të nderuarit veteranit Astrit Leka, këshillë që shpesh herë e kujtoj. Faleminderit për këshillën i nderuar Mik.

“Ti mundesh të bësh diçka për atdheun tënd” më këshillonte para shumë viteve trajnuesi im në workshopin e zhvilluar në vendet e zhvilluara nordike, Suedi, dhe pasi insistoja duke i treguar arsyet që unë kisha atributet e një lidere në pozicionin e punës ku kisha vite që punoja, po asnjë njeri nuk ma kishte evidentuar; ai mu përgjigj shumë thjesht – Shqipëria po kalon një periudhë tranzicioni po ti mund të bësh diçka për vendin tënd. Dhe unë e bëra, krijuam organizatën ALVA. FALEMINDERIT!

Uroj planet e organizatës “ALVA” të mund të realizohen që ëndrra të bëhet realitet jo vetëm për mua po për të gjithë ju që besoni te vlera, dhe tek më e mira juaj, në mënyrë që ju të frymëzoheni nga vlerat më të mira.  Veç atyre që e kanë përjetuar këtë ndjesi nuk do më kuptonin përgjegjësinë që mbart ky vlerësim askush, sepse ky vlerësim vjen si drita mes errësirës në këtë periudhë pandemie. Ndjehem shumë e vlerësuar nga atdheu im. Kam vite që vlerësimet i marr më së shumti nga bashkëpunëtorët e huaj për angazhimin, përkushtimin dhe punën që po bëj në atdheun tim, për atdheun tim, në të mirë të kombit tim.

Edhe një tabu tjetër u thye, që shqiptarët nuk dinë të vlerësojnë, u vlerësova në kohë, dmth në jetësi, për më tepër në këtë periudhë ku përkushtimi për jetën është më i madh.

FALEMINDERIT SHUMË NGA ZEMRA!

FALEMINDERIT SHQIPËRI!

FALEMINDERIT SHQIPTARËVE KUDO NDODHENI

BEKIME TË GJITHEVË!

Miqësisht

Manjola

Personi ose Institucioni: Manjola Perja

Nr. dekretit: 13057

Medalja: Titulli Për merita të veçanta civile

Përshkrimi: Për kontributin e veçantë në dobi të bashkësisë, si Drejtore Ekzekutive e Organizatës ‘Vlerat Shqiptare’. E dalluar si aktiviste e shoqërisë civile në rritjen e angazhimit qytetar, emancipimit shoqëror, edukimit dhe vetëdijes kombëtare. Ideatore dhe organizatore e mjaft veprimtarive për rolin e gruas shqiptare.