Më 2 mars 1444, 574-vjet më parë mbahet Kuvendi i Lezhës, një përpjekje për themelimin e shtetit tonë të njësuar!
Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të cilat kulmuan më 28 nëntor 1443, ku në vitin 1444 si institucion shtetëror doli Lidhja Arbërore e Lezhës, e cila është themeluar më 2 mars 1444. Datën e saktë e ndeshim te G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut. Kuvendi i Lezhës qe mbajtur brenda lokaleve të Shën Nikollit, kishë katedrale e qytetit. Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve, por në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po në këtë qendër, ç’prej antikitetit është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të njohura të Dardanisë të shtrira deri në Nishin e sotëm. Këtu, në shtratin e kulturës ilire më vonë do të puqën Lindja bizantine me Perëndimin romak. Përveç njoftimit të përmendur nga Biemi, për kuvendin në fjalë ofrojnë njoftime edhe Marin Barleci, Dhimitër Frëngu, si dhe Gjon Muzaka, i cili ndyshe nga Barleci dhe Frëngu, ka lënë një njoftim të shkurtër.

Pas diskutimeve të shumta, Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, princat pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman, një çështje për çka njoftojnë shumë burime të kohës në të cilat theksohet, që Skënderbeu kishte propozuar ngritjën e një aleance ose të besëlidhjes së përhershme në mes të princërve arbër. Në Kuvend u vendos të formohej bashkimi i forcave, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbër, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjellur me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetarë të vetëm. Kryetar i saj u zgjodh promotori i Kuvendit të Lezhës, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Në të vërtetë ky ishte vetëm “Primus inter pares” (“i parë ndërmjet të barabartëve).
Sipas Martin Segonit Novobërdasit, biograf i parë i Skënderbeut (1481) “[…] qe i njohur prej tyre princ i ligjshëm e thirrur mbret”. Sipas Frëngut, ndërkaq Skënderbeu është zgjedhur për komandant të përgjithshëm.

Vendimet e Kuvendit iu dhanë një mbështetje të fortë juridike e morale pozitave të Skënderbeut në marrëdhënie me sundimtarë të tjerë arbërorë. Ai diti t’i shfrytëzonte ato me mjeshtëri për t’i ngritur në një shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e organeve qendrore, të udhëhequra prej tij, për të bashkuar sa më shumë krahinat e lira të Arbërisë. Pushtetin qendror e pranuan edhe shtresa feudale arbërore. Në të vërtetë kjo ishte një domosdoshmëri e kohës, meqë ishte e qartë se me politikën e zgjedhur të shpërndarjes së feudeve të vogla ushtarake, të pronave, për të cilat flet qartë Barleci, pushteti qendror, si kudo në Europë, te feudalët gjeti një mbështetje efektive politiko-ushtarake, shoqërore e kulturore fetare.
Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit kundër pushtuesve të huaj. Si e tillë, ajo do të mbetet gjithnjë një model i fuqishëm edhe për kuvende të tjera (Kuvendi i Dukagjinit, Kuçit, Arbënit, Prizrenit, Pejës, Verrat e Llukës, Drenicës, etj), të cilat ruajtën motivin themelor të Kuvendit të Lezhës, luftën çlirimtare dhe ndërtimin e shtetit të njësuar.
Burimi:Jahja Drancolli