Më 2 mars 1444, 574-vjet më parë mbahet Kuvendi i Lezhës, një përpjekje për themelimin e shtetit tonë të njësuar! 
Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të cilat kulmuan më 28 nëntor 1443, ku në vitin 1444 si institucion shtetëror doli Lidhja Arbërore e Lezhës, e cila është themeluar më 2 mars 1444. Datën e saktë e ndeshim te G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut. Kuvendi i Lezhës qe mbajtur brenda lokaleve të Shën Nikollit, kishë katedrale e qytetit. Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve, por në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po në këtë qendër, ç’prej antikitetit është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të njohura të Dardanisë të shtrira deri në Nishin e sotëm. Këtu, në shtratin e kulturës ilire më vonë do të puqën Lindja bizantine me Perëndimin romak. Përveç njoftimit të përmendur nga Biemi, për kuvendin në fjalë ofrojnë njoftime edhe Marin Barleci, Dhimitër Frëngu, si dhe Gjon Muzaka, i cili ndyshe nga Barleci dhe Frëngu, ka lënë një njoftim të shkurtër. 
Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore, për të trajtuar probleme madhore në kuvende të përbashkëta. Në këtë aspekt edhe kuvendi në fjalë i inicuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, shënonte një nivel drejt ngritjes kombëtare. Sipas Marin Barlecit, bashkohës dhe historian i Skënderbeut, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si, Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres-Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnojeviqi (Gojçini), bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut. Në anën tjetër edhe pse kishte premtuar, përfaqësuesi i Republikës së Raguzës, nuk u pa në Kuvend. Nuk u pa as përfaqësuesi i Republikës së Venedikut. Madje, kjo Republikë, duke qenë në paqe me sulltanin, duke mos dashur t’i prishte marrëdhëniet me të, nuk iu dha asnjë premtim princërve arbër. 
Pas diskutimeve të shumta, Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, princat pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman, një çështje për çka njoftojnë shumë burime të kohës në të cilat theksohet, që Skënderbeu kishte propozuar ngritjën e një aleance ose të besëlidhjes së përhershme në mes të princërve arbër. Në Kuvend u vendos të formohej bashkimi i forcave, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbër, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjellur me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetarë të vetëm. Kryetar i saj u zgjodh promotori i Kuvendit të Lezhës, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Në të vërtetë ky ishte vetëm “Primus inter pares” (“i parë ndërmjet të barabartëve).
Sipas Martin Segonit Novobërdasit, biograf i parë i Skënderbeut (1481) “[…] qe i njohur prej tyre princ i ligjshëm e thirrur mbret”. Sipas Frëngut, ndërkaq Skënderbeu është zgjedhur për komandant të përgjithshëm.
 Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm që u mor në Kuvend, ishte formimi i një ushtrie të përbashkët, përkatësisht të një ushtrie federale, që do të ishte në gatishmëri për të marrë pjesë në luftë, e në rast nevoje do të ndihmonte sundimtarët arbër për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Kapiten i përgjithshëm i ushtrisë, u caktua Skënderbeu. Pran tij ekzistonte një Këshill i Luftës. Në fillimet e veta ai përbëhej nga princat, që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës, të cilët ishin zotuar se do të luftonin me forcat e tyre të armatosura. Veprimi i parë i Skënderbeut që të krijoj një ushtri jo të përbërë nga mercenarë, sikurse ishte zakon i kohës, por një ushtri të disiplinuar dhe të ushtruar si duhet. Kështu, u mblodhën rreth 8000 luftëtarë, 3000 ndër këta e përbënin gardën e Skënderbeut, me këmbësorë dhe kalorës të lehtë e të rëndë; 3000 u vënë nën komandën e Moisi Golemit, i cili do të mbronte kufijtë nga do të vinin osmanët. Skënderbeu zgjodhi edhe ushtri vullnetare, për t’i pasur të gatshëm në rast lufte. Kështu Prijësi arbërorë sipas burimeve që zotërojmë mund t’i bënte ballë fuqive të sulltanit me forca prej 10.000-12.000-15.000 vetash. Vendimet e Kuvendit të Lezhës është dashur që ta ruanin edhe autonominë e princave arbër. Andaj, secili sundues kishte trupa të veçantë për të mbrojtur zotërimet dhe interesat e veta dhe ruanin të drejtën të hynin në marrëdhënie personale me vende dhe forca të tjera jashtë kuadrit të Lidhjes. Por, kur u pa se me një ushtri aleatësh të pasigurt nuk mund t’i rezistohej sulmeve të furishme të ushtrive osmane, Skënderbeu iu kushtua organizimit të një ushtrie të re.
Vendimet e Kuvendit iu dhanë një mbështetje të fortë juridike e morale pozitave të Skënderbeut në marrëdhënie me sundimtarë të tjerë arbërorë. Ai diti t’i shfrytëzonte ato me mjeshtëri për t’i ngritur në një shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e organeve qendrore, të udhëhequra prej tij, për të bashkuar sa më shumë krahinat e lira të Arbërisë. Pushtetin qendror e pranuan edhe shtresa feudale arbërore. Në të vërtetë kjo ishte një domosdoshmëri e kohës, meqë ishte e qartë se me politikën e zgjedhur të shpërndarjes së feudeve të vogla ushtarake, të pronave, për të cilat flet qartë Barleci, pushteti qendror, si kudo në Europë, te feudalët gjeti një mbështetje efektive politiko-ushtarake, shoqërore e kulturore fetare.
Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit kundër pushtuesve të huaj. Si e tillë, ajo do të mbetet gjithnjë një model i fuqishëm edhe për kuvende të tjera (Kuvendi i Dukagjinit, Kuçit, Arbënit, Prizrenit, Pejës, Verrat e Llukës, Drenicës, etj), të cilat ruajtën motivin themelor të Kuvendit të Lezhës, luftën çlirimtare dhe ndërtimin e shtetit të njësuar.
Artikulli paraprakQendra e qytetit të Lezhës në vitet 1950-60 nga Paulin Z. Zefi
Artikulli tjetërGëzuar të gjithëve ju Vëllezër dhe Motra Shqiptarë 574 vjetorin e Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës! nga Alejandro Greco