“Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore”:Mbështetur ligjit 9048, dt. 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, neni 5, pika 2: “Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpall Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”. DKTK është festa më e re në festat e shquara që populli ynë do të festojë dhe do të kujtojë me respekt duke nisur nga viti 2003.
29 shtatori është dita kur kujtojmë me respekt trashëgiminë kombëtare shqiptare, pjesë e trashëgimisë evropiane, kur të gjitha vlerat e saj materiale e shpirtërore bëhen një së bashku me njerëzit që ato i krijuan dhe i ruajtën për t’ua përcjellë brezave si dëshmi e identitetit kulturor dhe evropian. Kjo është dita kur të gjithë ne përulemi me respekt për kontributin e restauratorëve, arkitektëve, studiuesve dhe shkencëtarëve, bartësve të folklorit dhe artizanëve, të gjithë njerëzve të njohur apo anonimë të cilët i dhanë kuptim fjalës Shqiptar.
DKTK u shpall për dy arsye: E para, në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i ushtarakëve: Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani, të cilët ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apollonisë, në vitin 1916, gjatë luftës së I-rë botërore, dhe së dyti se zhvillohet paralelisht, në fund të muajit shtator me aktivitetin “Ditën e Trashëgimisë Kulturore”, një aktivitet i cili kulmon fushatën e Këshillit të Evropës: “Europa, një trashëgimi e përbashkët”. Festimet për herë të parë, të datës 29 Shtator, si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore në vitin 2003, në rang kombëtar përfshinë një seri aktivitetesh multikulturore. Në vitin e dytë të festimeve të saj, në vitin 2004, më 29 Shtator krahas festimeve të këtin përvjetori, u hap edhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, 29 Shtator- 5 Tetor. Kjo festë po shndërrohet në një tribunë të ballafaqimit të vlerave të identitetit tonë kulturor kombëtar si dhe në një moment reflektimi dhe konvergimi idesh dhe projektesh
mbështetur memories dhe trashëgimisë sonë të përbashkët europiane.
Major Kamber Bënja, me Nr. vendimi 26 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit të Rrethit, Përmet, datë 29.04.1971, u shpall “Dëshmor i Popullit”.