“Sako” – një nga veshjet më elegante të trashëgimisë shqiptare

0
17

Në veshjet tradicionale shqiptare, sakoja (ose xhaketa tradicionale) është një veshje e jashtme e sipërme, e cila bën pjesë sidomos në kostumet qytetare në zonat e Jugut (si në Berat, Çamëri, Fier dhe Vlorë). Ajo tregonte shijen, pasurinë dhe elegancën e shtresave të larta. “Sako” është një nga veshjet më elegante të trashëgimisë shqiptare, punuar me mjeshtëri nga artizanët dhe ruan ndikime të dukshme të luksit bizantin. Kjo veshje ishte simbol i shijes së hollë, finesës dhe statusit shoqëror të grave të aristokracisë në mbarë Shqipërinë e Jugut.

Sako pa mëngë (e Beratit): Një nga veshjet më elegante të mjeshtërve beratas, e shoqëruar shpesh me motive të veçanta si “sako me sahat” për shkak të qëndisjeve të vogla të ngjashme me sahatët e xhepit në pjesën e përparme

“Sako” pa mëngë është një veshje e gjatë deri poshtë pulpave, me supe të ngushta, e ngushtë në pjesën e sipërme dhe që zgjerohet gradualisht drejt fundit. Pjesa e pasme është më e gjatë, duke i dhënë veshjes një pamje madhështore dhe hijeshi të veçantë.

Ajo përgatitej me cohë të zezë të importuar dhe zbukurohej me qëndisje prej ari, fije mëndafshi dhe gjashtë rreshta gajtanësh që rrethonin të gjitha anët e saj, duke krijuar një jakë me pamje solemne. Ornamentet përfshijnë motive të thjeshta dekorative si vijëzime, gjarpërime, dredhëza dhe lule me katër petale.

Kjo veshje kombinohej me një linjë të gjatë prej mëndafshi (byrynxhyk), me mëngë të gjera të qëndisura me ar dhe temina, një jelek të shkurtër të stolisur me fije ari, si dhe një brez argjendi me pafta dhe gurë të çmuar, që plotësonte hijeshinë e kostumit.

Sako me mëngë (e Çamërisë dhe Fieri): Sako treçerekëshe ose me mëngë të gjata, e kombinuar me jelekë dhe breza argjendi me pafta, që plotësonte kostumin tradicional.

Sako Veshja Shqiptare ALVA

Artikulli paraprakPorti i Shkodrës rreth 1888