Në Prishtinë krahas punëtorëve komunal është edhe z. Faik Sefa, një 75 vjeçar që për vite të tëra kujdeset për shtatoren e Shën Terezës. Ai diçka të tillë e bën, krejt në mënyrë vullnetare, sepse përkujdesjen për këtë ambient e ndien si obligim moral. Në intervistën e zhvilluar me gazetaren e Klan Kosova ai shprehet:

“E fshij për çdo ditë, ka 2 herë 3 herë n’ditë, vijnë prej kahmosit e fotografojnë. Pastërtia e ka hijeshinë e vet. Kaq kam mundësi me punue. Që katër vjet përkujdesna për çdo ditë. Mirë e mbajnë, por qishtu qysh e bëj unë, nuk e bën kërkosh. Sa për pare tybe nuk kisha dal. Na jemi të kënaqur për hatër të sajna, një njeriu të madh nuk kam mundësi me bë ma shumë për të.”

Në adresën e tij në Facebook Naim Dedushaj na informon për kontributin e disa bashkatdhetarëve nga SHBA të cilët kanë ndërmarrur një aksion simbolik për shpërblimin e punës vullnetare nga ana e z. Faik Sefa, “Plakut me Plis të bardhë”.

Shprehim vlerësimet tona për aktin humanitar të bashkatdhetarë tanë, aktin e respektueshëm të një njeriu me zemër të madhe si z. Faik Sefa si dhe punën sublime të z. Naim Dedushaj. MIRËNJOHJE!

Postimi i z. Dedushaj 

Si një ndër personat që kanë qenë iniciator për vendosjen e shtatores të së Shenjtës Nëna Tereza së bashku me Presidentin Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, kontribut i vëllezërve Lekë e Pashko Gojçaj nga Malësia me vendbanim në SHBA.

Disa bashkatdhetarë tanë nga SHBA ndërmorrën një aksion simbolik për shpërblimin e punës vullnetare nga ana e Plakut me Plis të bardhë z. Faik Sefa por me një zemër të madhe.

Faiku tash e ca kohë përkujdeset për mirëmbajtjen e shtatores pa asnjë kompensim nga askush, ku si shumë herë të tjera Diaspora u përkujdes që mundi i këtij PLAKU të shpërblehet në mënyrë simbolike. Sot unë kisha nderin që së bashku me Don Lush Gjergjin, ta takoj Faikun dhe ta përcjelli kontributin e këtyre shqiptarëve nga Amerika!

Burimi:Klan Kosova / Naim Dedushaj