Aktori simpatik Xhevat Limani, duke e konsideruar masën e popullit një forcë të madhe shoqërore, rrëmben prej tij magjinë e artit dhe krijon veprën e tij të figuruar aq mirë të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut në një poemë dramatike të arrirë.
Unë e konsideroj një fitore kombëtare  këtë realizim skenik, të shfaqur në një hapësirë të madhe. E çmoj një kontribut të madh në historinë e shpalosjes së vlerës së Heroit tonë të madh dhe ai “shpalos vlerat e mëdha të Heroit, nëpërmjet biografisë së tij dhe veprimtarisë së madhe, në mbrojtje të tokës së ARBËRIT”.
Krenaria, temperamenti, vullneti i Xhevatit, si disa nga virtytet, tiparet më të bukura, fakton njeriun e pamposhtur, i cili shfaqet gjithmonë kundra klasave dhe rrymave politike.
 
XHEVAT LIMANI, bën pjesë në gjeneratën e fuqishme të heronjve të gjallë. Është luftëtar i mendimit paqësor, Atdhetar e trimëror. Ka një ligj në zemrën e tij që zëvendëson “ushtarin” sundimtar të shpatës me “ushtarin” mendimtar të paqes. Një gjë mjaft e bukur kjo. Ai vjen nga lufta e nga  dhimbja që shkakton ajo. Vjen nga ajo kohë, ku ëndrra vritej dhe sot përplaset përsëri me kohën “moderne”, ku i duhet të marshojë e të lëvizë me një përzierje e çmenduri, në realitetin e qytetërimit të sotëm. Dhe portreti i tij duket triumfator. Me marrjen përsipër të rolit të Kryeheroit, Skënderbeut, ai shfaqet madhor në skenën e teatrit, në qytetin e Strugës.
Duhet thënë se si shkrimtar, dramaturg, ai është shquar dhe në shkruarjen e poemës dramatike me shumë aftësi dhe profesionalizëm. Emocioni përshkon çdo kend të skenës duke rrëmbyer dhe shpirtrat tanë. Dhe pse drama poetike  aktrohet vetëm me dy personazhe, përsëri skenari është i mjaft i realizueshëm, i plotë, pasi, nëpërmjet monologjeve interpretuese, “zbresin” në skenë”, në fushat e betejave të fituara një galeri e madhe personazhesh të njohur, të cilët shfaqen në paraqitjen shoqëruese të rrëfimit të ngjarjeve dhe të pjesëzave interpretuese nëpërmjet “fonisë”.
Era Hoxha,  sopranoja klasike e  moderne, e bija e aktorit Xhevat Limani, sjell rolin e saj në këtë dramë melodioze, kaq bukur e pranë spektatorit, rolin e Donikës, gruas së Skënderbeut.
Kjo dramë poetike është ndryshe. Është melodioze. Aktrim i kënduar, aktrim i recituar. Ndjehet rrymë e re në skenën e teatrin strugan.
Fryn erë e re e sjellë dhe e mbartur nga Kontinenti Amerikan me një aftësi të studiuar. Improvizimet mbushin skenën me aktorë, pavarësisht numrit të vogël të intepretimit të personazheve, por ka harmonizim të të gjithëve, të cilët janë marrë me realizimin e kësaj drame poetike.
Personalisht,  u përhumba në muzikalitetin ëmbëlndjehës të Era Hoxhës. Tradita dhe modernia gërshetuar mbi trup të saj. Flakëron fustanella e kuqe klasike, e cila  rëndon hijshëm te shpata në dorë të aktorit dhe skena ringjall personalitetin shumëplanësh të  heroit tonë. Troku kalërësor, bën të tundet vendi dhe jashtë kësaj godine teatrale, festohet ringjallja e Heroit. Struga përkujton  550 vjetorin e vitit të Skënderbeut.
Ky pra është Xhevat Limani, një aktor shumë dinamik, i cili me interpretimin e tij “ngjall” Heroin!
Aktori, që në prezantim të parë, të bën të mendohesh dhe të vëresh me kujdes profilin dhe karakteristikat e tij… Simpatik, i vrazhdë, shpirt rebel, patriot, dhe brenda tij një botë e fshehtë “fëminore”. I plotëformuar me tipare të bukura të gërshetuara  me të “egra”. Jo më kot ju përshtat, me kaq komoditet, roli i Skënderbeut.
 
A mos vetëm kaq ishte udhëtimi ynë në Strugë?
Jo! … Bexhet Asani,  Prof. shkrimtar, publicist, poet ishte i pranishëm me gjithë vitalitetin e tij të krijimit. Ishte herë e dytë që unë merrja pjesë në analitikat e vlerave të tij. Madje, kam referuar edhe për veprën e tij “Sudime letrare” një kumtesë, e cila është vlerësuar për trajtimin e saj. Bexhet Asanin do ta konsideroja  “Njeriu i Paqes”  për çka jep, ofron  dhe vepron. Një fjale e urtë thotë:  “Sytë janë pasqyrë e shpirtit” dhe miku ynë strugan reflekton vetëm mirësi, humanizëm.
Mbresa të fuqishme në analitikën e librit të tij më të ri “Orbita e Fjalës”, një vepër me studime, kumtime, histori , madje dhe me aforizma.
Një  gjetje e bukur e Lidhjes sonë “Pegasi” për të zhvilluar këtë analitikë  në një tryezë me shkrimtarë, poetë, artistë, përfaqësues të shoqërisë civile, jo vetëm nga Shqipëria, Maqedonia, por edhe nga SHBA. Madje, duhet thënë se këtu kishte prezentë dhe muzikologë, prof.  në Universitetin e Shkupit.
Një analitikë e  zhvilluar bukur e thjeshtë rreth tryezes në darkën e punës së  asaj mbrëmje të ngrohtë vere, në qytetin e bukur Strugë. Kjo darkë e shtruar nga i nderuari, aktori Xhevat Limani, ishte befasuese. Fjala e zgjedhur, fjala profesionale, fjala e studiuesve profesionistë, intepretimet e aktorit, fjalët e përfaqësuesve të Shoqërisë Civile të ardhur nga SHBA,  ishin me të vërtetë mbresalënëse dhe lanë shije të jashtëzakonshme. Bexhet Asani, shkëlqente atë natë nga vlerësimi i njerëzve me shumë nivel, të cilët vlerësuan veprën e tij më të re, e cila pasuron fondin e librit të Kombit. Folën të gjithë: Xhevati, Haxhiu, Samiu, Nuria, Mahmuti… e tjerë.
Bexheti i emocionuar i falënderoi të gjithë për vlerësimet dhe tregoi punën e tij të përkushtuar edhe në SHBA, ku tani jeton, pa harruar kurrë Strugën. “Orbita e Fjalës” është kumtimplote. “FJALA” është shenjtëri. Nga Fjala u krijua Universi.
Ishte me të vërtetë një ditë e bukur, e cila do të mbahet mend për dinamikën dhe bukurinë  e saj.
Burimi:http://www.zeriyt.net/ Strugë, 23 korrik 2018 nga Nexhmije Hasani/Përshtati për ALVA:M. P.