NJË VËSHTRIM MBI ORIGJINËN TONË TË HERSHME
Qyteti antik Albanopolis ose Zgërdheshi i sotëm gjendet ndërmjet qytetit të Fushë – Krujës dhe atij të Krujës, vetëm 10 km larg Aeroportit “Nënë Tereza”. Megjithëse ende i pazbuluar dhe studjuar mirë, tani atje duken qartë muret rrethues dhe disa objekte të tjerë karakteristikë. Të dhënat e para të shkruara për këtë qytet gjenden në veprën e Ptolemeut “Gjeografia”, në shekullin e dytë të erës tonë. Mendohet që qyteti ka qenë kryeqendra e fisit ilir të Albanëve, nga të cilët rrjedh edhe emri ynë në botë, gjeneza e pasaportës tonë ndërkombëtare.
Sipas studimeve të dijetarit të shquar shqiptar Prof. Selim Islami, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit të IV deri në shekullin e I para erës së re. Ai u ndërtua fillimisht mbi bazën e një vendbanimi të fortifikuar të fiseve ilire të këtyre trevave gjatë periudhës proto urbane. Studime e gërmime të pjesshme që njihen, janë bërë në këtë qytet që në mesin e shekullit të XIX nga shumë dijetarë të huaj ndër të cilët austriaku Georg Hahn. Rilevimi i parë topografik i zonës së qytetit është bërë në qershor të vitit 1919 nga arkeologët austriakë Praschniker e Schober. Veçanërisht ata bën rilevimin e sistemit të fortifikimit dhe studjuan muret karakteristikë rrethues të ndërtuar me blloqe gurësh kuadratikë shumë të mëdhenj.
Është provuar që në kohën e lulëzimit të tij, Albanopoli ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Ilirisë dhe që kishte marrëdhënie të fuqishme tregtare me qytete dhe treva të tjera. Gjatë gërmimeve atje janë zbuluar gjetje të shumta ndër të cilat shumë monedha të prera në Dyrrah, Apolloni, Lisus, Korkyrë, Maqedoni etj.
Me kalimin e shekujve, për shkak edhe të luftrave e lëvizjeve të mëdha në Ballkan e në tërë Europën, Albanopoli e humbi rëndësinë e tij si qytet por ka lënë pas gjurmët e një qytetërimi të lashtë që dëshmojnë historinë e lavdishme të shqiptarëve. Të vizitosh Albanopolin do të thotë të kesh mundësi të lexosh pak nga historia e Shqipërisë.
Ndërsa e viziton këtë vend të lashtë dhe njihesh me përmasat, shtrirjen përgjatë faqes së një kodre të tërë, kur sheh fragmentet e mureve që qëndrojnë ende, pozicionin strategjik, kur shijon pamjen mjaft piktoreske dhe njihesh me historinë e lashtë, mbetesh i magjepsur dhe fajtor që nuk e ke njohur më parë, që e ke injoruar këtë vlerë të madhe deri tani, dhe madje kritikon në faje dhe persona të tjerë që ndoshta e kanë ditur dhe nuk të kanë treguar.
Foto 1: AlbanopolisFoto 2: AlbanopolisFoto 3: AlbanopolisFoto 4: Artikulli Kërkime Historike “ALBANOPOLIS”
Kruja, në vetvete ka një histori të lavdishme, por është më e vonë se ajo e qytetit antik Albanopolis, e megjithatë, të dyja këto qytete (Fushë-Krujën dhe Krujën e sotme) i bashkon një simbolikë madhore në kontributin që ato kanë dhënë në identitetin tonë kombëtar. Kruja si qëndresa e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, dhe qyteti antik Albanopolis si origjina e pasaportës sonë ndërkombëtare, dy fakte mjaft tërheqës për çdo historian apo vizitor të thjeshtë, dhe kaq pranë njëri-tjetrit këto vende, kaq pranëAeroportit Ndërkombëtar, dhe Tiranës, kaq afër portit të Durrësit.
Burimi: Shoqata “Albanopolis” – Shkruar nga Dritan Zaimi / Përgatiti për ALVA – Vilma Dibra