Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “SHOTA” është themeluar më 30 Shtator 1950, si Ansambël Shtetëror, me vendim të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, sikurse edhe tri ansamblet e tjera në ish Jugosllavi: “Llado” – Zagreb, “Kollo” – Beograd dhe “Tanec” – Shkup. Ky vendim e bënte këtë Ansambël njërin ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë.

Ansambli “Shota” ka si objekt të veprimtarisë së vet, zhvillimin e artit skenik, ruajtjen e trashëgimisë kulturore-shpirtërore, realizimin e vlerave skenike, zhvillimin dhe kultivimin e vlerave etnomuzikologjike e etnokoreografike si dhe promovimin e tyre brenda dhe jashtë vendit. Mirëpo më datë 18 Mars 1954, me një vendim të çuditshëm të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, pa ndonjë arsyetim të dhënë, ndërpritet funksionimi i këtij Ansambli. Ndodhi kjo në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët e Kosovës, të cilët praktikisht ishin në një shtetrrethim të plotë nga Serbia dhe i mohoheshin të gjitha të drejtat Nacionale. Në këtë periudhë shumë familje shqiptare u dëbuan për në Turqi. Një numër i madh i aktivistëve u burgosën dhe u persekutuan. Kjo periudhë kulmoi me aksionin famëkeq të armëve, të vitit 1956, të udhëhequr nga ish ministri i brendshëm i Jugosllavisë Aleksandar Rankoviç. Ish anëtarët e Ansamblit, duke mos pasur zgjedhje tjetër, iu bashkuan atyre pak SHKA-ve që funksiononin në Kosovë, për të mbajtur vazhdimësinë e veprimtarisë kulturore. Pjesa më e madhe e të cilëve kaluan në SHKA “Gerçek” të Prishtinës.

Pas një pauze dhjetëvjeçare, në Mars të vitit 1964, meqë politika e viteve 60-ta në Kosovë, ishte demaskuar nga kreu i ish shtetit Jugosllav dhe ideologu i saj, ishte dënuar, u krijuan sërish kushtet për ri-themelimin e Ansamblit Profesional të Këngëve dhe Valleve. Kështu në këtë periudhë, sërish me vendim të Kuvendit të Kosovës , u riaktivizua ky ansambël i cili u emërtua Ansambli Shtetëror “Shota”*.

Përderisa periudha 1950-1954 kryesisht kishte shërbyer për të ndërtuar trupën artistike, në periudhën pas vitit 1964, Ansambli “Shota” luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore të Kosovës, e në veçanti të këngëve dhe valleve shqiptare, meqë shqiptarët përbënin rreth 90% të popullatës së Kosovës.

Ky Ansambël bëri afirmimin e vlerave të mirëfillta kulturore kombëtare siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike, me të cilat ky ansambël është prezantuar në mëse 50 shtete të ndryshme të botës, në të gjitha kontinentet. Sipas evidencës, gjatë kësaj periudhe 60 vjeçare, Ansambli “Shota” ka shfaqur mbi 7.500 Koncerte në Kosovë, ish-Jugosllavi, Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi dhe Australi.

*Nga viti 1994, Ansambli funksionon me emërtimin e ri: Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”

Burimi:www.ansamblishota.org/al/ Përshtati për ALVA: M. P.