Prof. Anton Çetta, lindi më 03.01.1920 në Gjakovë, po atë vit familja e tij u shpërngul për në Tiranë, ku ai ka kryer edhe  shkollën  fillore. Shkollën e mesme e ka kryer në Liceun e Korçës, ku asokohe studionte elita intelektuale e trojeve shqiptare. Më pas, ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali. Sapo ishte kthyer nga Italia, në kohën kur forcat italo shqiptare kishin depërtuar në Kosovë dhe trojet e pushtuara shqiptare nga Monarkia serbe-Kroate e Sllovene, Anton Çetta në fillim gjen punë në Post-telegrafinë e Tiranës prej nga kalon në detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren. Është njëri ndër intelektualët dhe folkloristët më të shquar të kohës sonë.

1945-1946 meqë kishte arsim të lartë për kohën,  punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj. Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Frënge, në Universitetit të Beogradit, në Serbi.

1950 kreu studimet ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet.

1952-1953 së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti, në tri vëllime, këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.

1953 botoi librin e parë.

Nga viti 1954 u mor intensivisht me mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore shqiptare. Është i njohur edhe si poet për fëmijë me vepren e tij “Në prehën të gjyshes”.

1953 -1987 vazhdoi të botojë libra e tekste të ndryshme  për nevojat e shkollës shqipe dhe sidomos poezi për fëmijë. Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, por edhe në  të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

1960 – 1968 ligjëroi lëndët: “Letërsia e vjetër shqiptare”, “Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine” në Universitetin e Prishtinës.

Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Më 1990 profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve, ai ishte vetë zëri i Kosovës dhe Kosova mishërim i idealit të tij. Duke qenë se gjatë mbledhjes së folklorit kishte vizituar të gjitha viset shqiptare, ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit. “Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90.

Foto: Duke udhëtuar nëpër terren të thepisur diku në Komunën e Ferizajt.

Njeriu që u bë udhëheqës dhe simbol i aksionit të pajtimeve të gjaqeve në Kosovës në fillim të viteve ’90, Anton Çetta kishte raste që bënte mijëra kilometra, me veturë dhe këmbë, në përpjekje për t’i pajtuar familjet e armiqësuara, anekënd Kosovës. Gjatë aksionit të pajtimit të gjaqeve, mijëra familje të armiqësuara ia kishin zgjatur dorën njëra-tjetrës. 

Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjidhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së. Për aktivitetin shkencor, kulturor e kontributin e tij në përkthimin e shumë veprave, Anton Çetta iu ndanë mirënjohje, çmime e shpërblime të shumta. Punën e tij në fushën e folkloristikës shqiptare dhe angazhimi me pajtimin e gjaqeve e kanë çmuar lartë studijues shqiptarë dhe të huaj. U largua nga jeta në vitin 1995, në Prishtinë. 

Çmime & Vlerësime

 “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”

Libra

“Anton Çetta dhe filozofia e pajtimit të gjaqeve” libër i shkruar  Gjon Keka.

Me projektin e tij të pajtimit të gjaqeve ai i shërbeu popullit dhe shoqërisë, i shërbeu iluminizmit të popullit, shoqërisë dhe publikut të gjerë. Prof. Anton Çetta donte që vendi të kishte paqe, të ardhme, të kishte rend pasi, siç edhe dihet rendi ndihmon në mbarëvajtjen e shtëpisë.” Gjon Keka

“Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta” është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për Paqen dhe Pajtimin midis njerëzve, si dhe për të drejta të njeriut. Shprehja e mrënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë medalje bëhet nga Presidenti i Kosovës.

Burimi:http://www.radiokosovaelire.com/ http://www.gazetaexpress.com

Përshtati për ALVA: M. P.