Shtrimja

  1. Kanuni i Skanderbegut shtrihet në Shqipninë Qendrore nder krahinat e Principatës së Kastriotve e të ndikimit të tyne: Krujë, Mat, Diber, Valm (Elbasan) prej lumejve Mat-Fand në veri e deri poshtë lumit Shkumbin (Librazhd) në jug, dhe prej Detit Adriatik në prendim e deri në kufijt ma lindorë të Dibres e të Ohrit në lindje.
  2. Ky kanu themelin e ka të perbashkët me kanunet e maleve shqiptare. Ky kanu thirret i Skanderbegut, pse ky bani disa ligjë kanunore të veçanta per krahinat e veta dhe të ndikimit të vet. Mund te quhet edhe kanuni i Arbënit.
  3. Me islamizimin e pjesës së madhe të krahinave të Kastriotve, kto erdhen kohë mbas kohe tue i perzie e xevendsue disa ligjë të kti kanuni me ligjë të Sherjatit të Turkisë pushtuese. Megjithkta kto krahina nuk e humben kurr as lidhjen as frymen e ktij kanuni.
  4. Kanunet e veçanta të ndonji krahine, quhen, motra per krahinat tjera dhe shtihen në perdorim per arsye e rasa të njillojta.
  5. Krahinat e ndikimit të Kastriotve ndahen:në Bajrakë, si Kruja, Kthella e Rranxa; n’Ogja qe: Matja dhe në Male: Dibra. Kto janë njisi toksore në vete.
  6. Auktoriteti ma i nalti në setcilen njisi: Bajrak, Oxhak, Mal asht mbledhja e pergjithtë e tyne, kurse per të gjitha bashkë mbledhja e pergjithshme e perfaqsuesve qe të çojnë ato në nji vend të caktuem së bashku.
  7. Krahinat e masiperme, shtepisë së Gjomarkajve të Mirdites, ia njohin prijen e pysin si themel kanuje së pergjithtë, e marrin per pleqni, si te gjitha krahinat e tjera shqiptare, por ndonji varuni prej soje nuk kanë pasë kurr.

Burimi: Auktori Atë Shtjefen Gjeçovi “Kanuni i Skanderbegut” – Shtrimja Art. I/ Përshtati për ALVA: M. P.

Përdorimi dhe botimi i lajmeve dhe informacioneve të ndryshme mund të bëhet vetëm me kusht që autorësia të ruhet dhe të vendoset në mënyrë të qartë burimi i lajmit dhe materialit nga www.alva.al. Çfarëdo kundërveprimi në këtë drejtim do të bëhet subjekt i procedurave përkatëse.