Ekzistojnë disa hipoteza për prejardhjen e emrit Tiranë:

  1. Tiranë mendohet se vjen nga fjala Theranda, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin Të ranat, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujërat nga malet përreth.
  2. Tirana vjen nga Tirkan. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të malit të Dajtit. Akoma ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e shekullit të parë para lindjes së Krishtit, e cila mendohet të këtë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop (shek.VI), e quan kështjella e Tirkanit.
  3. Tirana vjen nga Greqishtja e Vjetër Tyros (Τύρος) që do të thotë bulmet. Në fushën e Tiranës, bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.
  4. Tirana ose Tirônë, siç quhet në dialektin e vendit, e ka origjinën nga mënyra se si thirreshin banorët e këtij vendi. Duke qenë se popullsia e vendosur në këtë territor vinte kryesisht nga malet e zonës përreth atëherë nga vendasit ato quheshin “Të rônë” (të rënë). Edhe sot, në gjuhën e përditshme, për familjet që vijnë nga zonat malore përdoret shprehja “kanë rënë (psh) në Durrës” (apo diku tjetër).

Për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut.

Burimi:Wikipedia – Përgatiti për ALVA – Vilma Dibra