Profesori universitar dhe hulumtuesi dr.Ferid Murati, i cili me prejardhje është nga Gostivari, ndërsa jeton dhe punon në Hjuston, Teksas, është fitues i çmimeve dhe mirënjohjeve të shumta për hulumtime në sferën e mjekësisë.

Arritja më e rëndësishme në veprimtarinë e tij shkencore dhe hulumtuese është marrja e Çmimit Nobël për mjekësi dhe fiziologji në vitin 1998 për zbulimin lidhur me zbatimin e oksidit nitrik si molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular.

Fëmijëria e varfër e dy prindërve të Ferid Muratit dhe shkollimi i tyre minimal, ka ndikuar shumë në shkollimin dhe ndërtimin e karrierës së Ferid Muratit dhe dy vëllezërve të tij, njëri stomatolog i njohur e tjetri profesor i antropologjisë me titull PhD.

Ferid Murati ka lindur më 14 shtator 1936 në apartamentin e tyre të vogël dhe të ngrohtë, mbi një furrë buke, në Whiting të Indianës. Vëllai i tij; Abdurrahmani, ka lindur më 1938, ndërsa vëllai tjetër, më i vogli, Turhani, ka lindur më 1944. Biznesi me restorantin ka ndikuar në ardhmërinë e Ferid Muratit dhe të vëllezërve të tij. Sepse, që të tre vëllezërit kanë qenë mjaft të angazhuar me punë në të duke punuar me orë të tëra, duke larë enë dhe më vonë, kur është rritur, duke punuar edhe si kamerier. Ai ka punuar edhe aq shumë sa që bëri edhe një lojë, t’i memorizojë të gjitha porositë në restorantin e tyre, me kapacitet prej 28 mysafirëve dhe të gjithë këtyre, para se të dilnin, ua ka regjistruar llogaritë në kokë dhe ua ka paguar. Prindërit e tij kanë punuar me orë të tëra nga 15-16 orë në ditë dhe nëna e tij ka gjetur kohë, brenda atij orari të punës, të kujdeset edhe për fëmijët.

Murati ishte i vetëdijshëm se pas gjithë kësaj pune të vështirë i nevojitej një shkollim i rëndësishëm që të mos vazhdojë rrugën e vështirë të prindërve të tij. Po ashtu, siç ka thënë me një rast, e ka ditur prej moshës 12 vjeçare se një ditë do të bëhet mjek. Prindërit i kanë inkurajuar dhe u kanë dhënë përkrahje fëmijëve që të shkollohen dhe të ndërtojnë karrierë në profesionet e tyre. Sidoqoftë, Feridi dhe vëllezërit e tij, kanë pasur edhe një farë lirie nga prindërit e tyre, a do t’i kursejnë apo harxhojnë paratë e fituara. Po ashtu, kështu është vepruar edhe në zgjedhjen e religjionit. Kështu që babai i tij, Murati, me gjithë farefisin e tij, ka qenë mysliman, ndërsa nëna, Zhozefina, ka qenë baptiste, ndërkaq, Feridi me vëllezërit është rritur në një bashkësi katolike. Feridi në kolegj është bërë një Episkopalian i baptizuar. Shoqja e Feridit më shumë se 40 vjet ka qenë presbyteriane, aty vajzat e tij janë martuar me hebrej dhe njëra për katolik.

Kur Ferid Murati ka qenë nxënës i klasës së tetë, nga të gjithë nxënësit është kërkuar të shkruajnë për profesionet e tyre të ardhshme, ose për tri-top zgjedhjet e karrierës së tyre. Feridi është përcaktuar për fizicient, profesor dhe farmacist. Sot, Ferid Murati ushtron po këtë profesion fizicient dhe internist, duke bërë hulumtime klinike dhe bazike, si dhe ligjëron në mjekësi, në farmakologji dhe në farmakologjinë klinike me PhD-gradë në Farmakologji.

Pasi kreu shkollën e mesme Ferid Murati ka konkurruar me sukses për bursën Rector Scholarship në Universitetin DePauw, në Greencastle të Indianës, universitet i vogël, por i, shkëlqyeshëm. Shkoi atje dhe ndoqi shkollimin (kolegjin) prej vitit 1954-1958. Në vitet tjera, që pasuan, fitoi më shumë shprehi pune dhe jetonte në anekse ose apartamente të vogla, aty jetonte me shokë, që përbënin “Vëllazërinë”. Shpesh mësonin së bashku dhe bënin gara për nota. Ferid Murati ka qenë kryetar për bursa i vëllazërisë dhe me kënaqësi ka mësuar biologjinë dhe kiminë.

Derisa ishte në kolegj, përsëri ka punuar si kamerier gjatë verës për të mbuluar shpenzimet, si dhe ka mësuar anato¬minë dhe embriologjinë. Sikur të kishte vetëm një punë, verës do të merrte orë plotësuese nga biologjia, kimia, greqishtja, latinishtja. Kurset nga greqishtja dhe latinishtja, thotë Ferid Murati, kishin vlerë të madhe për të mësuar bazat e shumë terminologjisë shkencore.

Në pranverë 1957, në pushimin pranveror në Fort Lauderdale, në Floridë, e takoi Carol Ann Leopold, me të cilën më vonë do të martohet. Ajo dhe familja e saj ishin nga St. Louis. Së bashku me të ishin në Universitetin DePauw, ku ajo studionte anglishten dhe gjuhën spanjolle për t’u bërë arsimtare. Me shoqen time të ardhshme, thotë Ferid Murati, takoheshim në bibliotekë. Ishin këto takime ‘mësimore’ në fillim. Gjatë kërshëndellave u fejuan e pas disa javësh diplomimi në Universitetin DePauw , më 21 qershor 1958, u martuan.

Gjatë vitit të fundit në kolegj planifikoi të konkurrojë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit, në St. Lous. Por, Forst Fuller, profesor në Departamentin e biologjisë si dhe mentor i Ferid Muratit, në Projektin për hulumtime zgjedhore (elektive), për të kuptuar se si peshqit e kryejnë metabolizmin e kalciumit pa gjëndrat paratiroide, e ka këshilluar dhe i ka propozuar Ferid Muratit ta marrë parasysh programin e ri MD-PhD në Western Reserve University. Shpejt konkurroi dhe në shkurt të vitit 1958, pati intervistë në Departamentin e Farmakologjisë. Ferid Murati, ishte i befasuar nga nderi që i bënë atje dhe vendosi ta pranonte ofertën.

Carol ishte e brengosur se tani Ferit Murati planifikonte të studionte më tepër se 7 vjet, por ajo e ka kuptuar dhe përkrahur rrugën e karrierës së tij dhe shumë udhëtime nëpër shtet. Ajo ligjëroi anglisht vetëm një semestër pasi që ngeli shtatzëne. Po ashtu, një kohë punoi si arsimtare, si sekretaresh dhe koordinatore në klinikë, përderisa edhe familja e tyre zgjerohej, katër vajza (duke përfshirë këtu dy binjake që i ngjajnë shumë njëra- tjetrës). Në vitin 1967 lindi dhe fëmija i pestë i Ferid Muratit, djalë.

Prej se filloi studimet, Ferid Murati mentor ka pasur Earl Sutherland, kryetar i Departamentit të Farmakologjisë dhe Theodore Rall, asistent i ri dhe bashkëpunëtor profesional. Feridi me bashkëpunëtorët, zbuluan se efekti i kateholamineve në adenililciklazën në zemër dhe mëlçi, është i varur nga efektet beta adrenergjike që edhe u tregua nga ndikimi i I-isoprotenerolit, I- epinefrinit dhe I-norepinefrinit me inhibim nga dikloroisoproteneroli dhe dështimi i alfa, blokatoreve dhe agonistëve për të pasur efekt. Po ashtu Ferid Murati, zbuloi se acetilholini dhe agenset holinergjike ngadalësonin përgatitjen ose formimin e adenilil ciklazës, “përshkrimi” i parë i hormoneve që e pengon cAMP formacionin. Më vonë Ferid Murati filloi të interesohet për agenset që mund ta bllokonin efektin e cAMP’ në fosforilazëkinazën dhe aktivimin e fosforilazës. Kjo kërkonte njohurinë e shumë analogëve të cAMP dhe nukleotidëve të tjerë cGMP, cIMP, cCMP. Shumë nga këto nukleotidë si dhe analogët e tyre ishin sintetizuar nga Theo Pasternak, profesor nga Gjeneva që bashkëpunonte me Sutherland-in dhe Rall-in. Kjo punë më vonë ndikoi në dëshirën e Ferid Muratit, të punojë në cGMP siç e përshkruan në temën për të cilën mori Çmimin Nobël. Më vonë përsëri filloi të merret me kiminë organike që të përfitojë disa nukleotide.

Ferid Murati, pëlqente të merret me zbulime, ndërsa Earl Sutherland ishte një vizionar që ishte në gjendje t’i bashkojë shumë disiplina në punën e tij shkencore. Murati dhe të tjerët në departament ishin në gjendje të përcaktojnë se hormone të ndryshme, duke përfshirë këtu kaleholaminët, ACTH, holinergjikët, vazopresinin, etj., mundeshin ta rrisin ose ulin aktivitetin e adenililciklazës dhe të formacionit cAMP. Puna e Ferid Muratit, si student dhe puna e të tjerëve, vuri në dukje këtë hipotezë dhe u propozua që receptorë të ndryshëm nga kjo listë e hormoneve që vazhdimisht rritet duhet të ndërlidhen me adenililciklazën që të mund të determinohen mënyrat e formimit të komplekseve.

Studimet në mjekësi Ferid Muratit i shkaktonin kënaqësi dhe mësonte gjithçka që prezantohej para tij. Po ashtu, Ferid Muratit i pëlqente të sillej nëpër klinikat e ndryshme siç janë kirurgjia, gjinekologia, pediatria, ortopedia, neurologjia, etj. Çdo vit Ferid Murati fitonte çmime të ndryshme edhe për mjekësinë klinike dhe hulumtimet. S’kishte dyshim për karrierën e tij akademike në mjekësi, zbulime dhe ligjërime.

Që të siguronte rrogë me aq shumë fëmijë, Ferid Murati punonte dy herë në javë (natën) në klinikën e Cleveland-it, Qendrën gjinekologjike për të ndjekur nënat dhe ndryshimet e komblikut, si përparon shtatzënia, duke asistuar gjatë lindjeve dhe intervenimeve kirurgjike. Gjithë këtë Ferid Murati e bënte për 20 dollarë në natë nga 12 orë. Në mbrëmjet më të qeta mund të mësonte, të analizonte datat e lindjeve dhe të shkruajë protokolle hulumtuese. Disa net duhej të punonte tërë natën e pastaj të ndjekë ligjëratat tërë ditën. Shoqja e tij dhe fëmijët kishin mirëkuptim.

Ferid Murati vendosi të shkojë ne Spitalin Massachussetts Generall për të punuar atje si mjek praktikant prej vitit 1965-67. Kjo ishte një eksperiencë e mrekullueshme për të, me shkencëtarët, ligjëruesit dhe klinicistët më të njohur në botë. Sidoqoftë, Ferid Muratit i mungonte laboratori dhe çdo pranverë lexonte në bibliotekë shumë nga përmbajtjet e mbledhjeve të Federatës (sot mbledhja FASEB), që të shohë se çka lëshonte në “mesenxherët sekundarë” dhe sinjalimin hormonal. Ferid Murati krijoi një fletore që përmbante shumë “eksperimente të qarta” që duhej bërë. Kur më vonë i shkoi në Institutin Kardiologjik ishte në gjendje të bëjë shumë nga eksperimentet e planifikuara në laboratorin e Martha Vaughan-it.

Ferid Murati qëndroi në Institutin e Kardiologjisë për më tepër se tre vjet (1967- 70) kur Universiteti i Virgjinisë e ftoi me detyrë të themelojë dhe zhvillojë Divizionin e Farmakologjisë Klinike me emërim Docent në mjekësi dhe farmakologji. “Nuk munda të refuzoj ofertën”- thotë Ferid Murati. Kuadri pedagogjik, ndikoi në vendimin e tij ta lë Institutin Kardiologjik.

Ferid Murati iu bashkëngjit Kolegjiumit në Universitetin e Virgjinisë, më 1 shtator 1970 dhe me nervozë mendonte se si mund të fillojë karrierë të pavarur hulumtuese. Ai vendosi të punojë me cGMP (gvanozinin monofosfat ciklik), i cili filloi të shfaqet si një “mesenxher sekondar” i ri dhe i mundshëm që ndërmjetëson efektin e hormoneve. Kjo është e detalizuar në temën me të cilën fitoi Çmimin Nobël. Murati qëndroi në këtë Universitet prej 1970-1981 ku edhe u shpall si një nga profesorët më të ri në vitin 1975. Po ashtu nga Ferid Murati u kërkua që të bëhet drejtor i Qendrës për Hulumtime Klinike të këtij Universiteti më 1971 dhe drejtor i Farmakologjisë Klinike më 1973. Nga 82 kolegë dhe studentë që Ferid Murati i ka mësuar dhe ka bashkëpunuar, sot 20 prej tyre janë profesorë, kryetarë, drejtorë dhe udhëheqës të klinikave në tërë botën.

Pas qëndrimit në pozita të ndryshme në shumë universitete në shtet, si kryesues në katedrat e mjekësisë dhe farmakologjisë, në korrik 1981, Ferid Murati vendos të shkojë në Stanford si udhëheqës i spitalit të veteranëve. Atje punon si profesor i medicinës dhe farmakologjisë dhe zëvendëskryetar i mjekësis. Krahas ligjërimit klinik, Ferid Murati, vazhdoi të mbikëqyrë një laboratori të gjerë dhe produktive me 15 studentë, kolegë dhe personel tjetër. Në këtë laborator vinin njerëz nga tërë bota.

Prej vitit 1986-88, Ferid Murati punon si zëvendës i përkohshëm i kryetarit për mjekësi në Stanford, e pastaj shpallet nënkryetar në Abbott. Ai gëzonte të drejtat në të gjitha resurset e Abbott-it, (mjetet, pasurinë) në personelin shkencor, aparaturën, instrumentet dhe në atë që fillimisht dukej si buxhet i pakufizuar për hulumtime. Së fundi, Murati mësoi se njeriu nuk mund të ketë burime të mjaftueshme kur kërkon e hulumton terapitë e panjohura të sëmundjeve të rënda dhe ky është një hap i shtrenjtë. Megjithatë, për katër vite udhëheqjeje të hulumtimeve dhe zhvillimeve të programeve farmakologjike, ata ishin në gjendje të zbulojnë shumë caqe të panjohura barërash dhe nxorën në shesh 24 përzierje të reja për prova klinike në lidhje me sëmundje të ndryshme.

Ferid Murati vazhdoi të ketë një laborator të suksesshëm me investime të jashtme dhe përafërsisht 20 shkencëtarë që punonin me të në oksidin nitrik dhe cGMP. Kërkesat administrative dhe udhëtimet ishin të shumta prej se Ferid Murati ishte zëvendëskryetar dhe poashtu mbikëqyrte shumë bashkëpunime industriale në tërë botën. Kur Ferid Murati e lëshoi Abbott-in ishte mbikëqyrës i 1500 shkencëtarëve dhe personelit. Para se të vinte Ferid Murati në Abbott, kompania nuk kishte shkencëtarë post-doktoralë dhe financime jashtëuniversitare. Kur Ferid Murati e lëshoi kompaninë, kishte rreth 3.5 milionë dollarë përkrahje dhe rreth 35 shkencëtarë në hulumtimet farmakologjike.

Në prill 1977, Ferid Murati u shpall kryetar i parë në Departamentin e ri të kombinuar për shkencat themelore, biologjinë integrative, farmakologji dhe fiziologji në Universitetin e Teksasit – Houston. Po ashtu Ferid Murati krijon një Divizion të ri për Farmakologjinë Klinike. Ai planifikon t’i vazhdojë programet për hulumtime themelore dhe klinike dhe vazhdon të marrë pjesë në medicinën klinike në ligjërime. Po ashtu mendon të vazhdojë disa aventura biznesi. Liria dhe ambienti intelektual i medicinës akademike dhe studentët e zgjuar, si dhe kolegët, janë kënaqësi e vërtetë për Ferid Muratin. Pas gjithë kësaj, thotë në shaka Ferid Murati, shpresoj një ditë t’i them Ron Delismon-it: “Dy Nobela për zeron”.

Murati është një ndër tre amerikanët që fituan Çmimin Nobël më 1998 për medicinë për punën e tyre me NO. Murati dhe kolegët e tij zbuluan përparësitë vitale biologjike të NO gaz pa ngjyrë dhe erë, që i sinjalizon enët e gjakut të relaksohen, zgjerohen dhe kjo çon deri te aplikimi i i pilulave kundër impotencës (Viagra). Kjo përmirëson qarkullimin e gjakut dhe e ul tensionin e gjakut. Ky zbulim ka një rang të lartë aplikimesh, duke përfshirë këtu trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe mundësinë e frymëmarrjes më të lehtë të foshnjave të lindura para kohe. 

Burimi:telegrafi – Halil Zendeli / Përgatiti për ALVA – Vila Dibra.