Ballina BLOG Naim Dedushaj themeluesi dhe ideatori i “Rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare”

Naim Dedushaj themeluesi dhe ideatori i “Rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare”

490
0

“Rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare” është një organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse që kryen veprimtari në interes të të gjitha rrjeteve të saj anëtare të regjistruara në vendet ku veprojnë. Ky rrjet, qëllimi i të cilit është mjaft i nevojshëm për bizneset shqiptare në diasporë, për dikë ndoshta është edhe i panjohur. Themeluesi apo ai i cili kishte dhënë idenë për themelimin e këtij rrjeti, Naim Dedushaj në një intervistë për portalin Arbresh.info ka folur në detaje për veprimtarinë e “Rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare”.

A mund të na flisni se nga ka ardhur ideja e themelimit të “Rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare”? – Ideja e themelimit të kësaj organizate ka ardhur nga frymëzimi gjatë kohës, ku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një dekadë kemi lobuar për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësisa kam punuar për çështjen e Kosovës. Aty kam parë sa mirë ishin të organizuar Hebrenjtë, por edhe komunitetet tjera si Italianët, Polakët, Armenët, Irlandezët dhe dëshira ime ka qenë që edhe diasporën Shqiptare ta organizojmë ashtu siç kanë bërë edhe komunitetet e tjera. Kur është themeluar Ministria e Diasporës, kur është përgatitur strategjia për diasporën 2013-2018 kam propozuar një projekt të tillë dhe është pranuar me kënaqësi nga ministri i atëhershëm i Ministrisë së Diasporës, Ibrahim Makolli dhe pastaj është përkrahur edhe në kohën e ministrit të ri. Si ide është përkrahur edhe nga Qeveria Finlandeze përmes projektit “Diaspora për Zhvillim”, nga “Qeveria amerikane”, dhe “Këshilli i Natos për Ekonomi”. Kemi filluar nga Zvicra t’a prezantojmë këtë projekt ku është themeluar aty fillimisht si rrjeti i parë dhe pastaj kemi vazhduar në Gjermani, në Austri dhe pothuajse në të gjitha vendet e Europës ku diaspora shqiptare është më e madhe. Kurse më pas është përhapur edhe në Australi, në SHBA dhe në Turqi dhe tani pas dy vitesh të themelimit ky rrjet funksion në katër kontinente dhe në 25 vende të botës duke përfshirë edhe themelimin e rrjetit të diasporës tek arbëreshët e Italisë për herë të parë dhe në Egjipt.

Çfarë përmban më saktësisht ky rrjet? – Ideja është fillimisht që bizneset të njihen aty ku jetojnë. Thonë që njihen por nuk është e vërtetë sepse në bazë të praktikave e kemi parë këtë. Në ato vende ku është themeluar rrjeti i biznesmenëve vetvetiu kanë zgjedhur bordin e tyre, sepse ata i kanë njohur biznesmenët ku jetojnë dhe ne vetëm i kemi përkrahur.

A kontribuon kjo nismë në forcimin e lidhjeve mes bizneseve? – Rolin kyç këtu e ka pasur Ministria e Diasporës edhe nga biznesmenët e diasporës si dhe nga projekti “DD”. Pra pikat kryesore të këtij rrjeti janë që bizneset të njihen, të bëjnë biznes, sepse ka munguar kjo formë në diasporë, dhe të shkëmbejnë ide së bashku në ato vende ku jetojnë që të kenë projekte të përbashkëta e në fund të vijnë të investojnë në Kosovë, në Shqipëri dhe në vise tjera shqiptare me ato projekte të përbashkëta.

A keni ndonjë takim të përbashkët me të gjithë biznesmenët që janë pjesë e këtij rrjeti? – Pas një pune të madhe me një përkushtim të madh në vitin 2014 në Kosovë u zgjodh bordi qendror me një kryesi pak më të zgjeruar, ku kryetar i ‘Rrjetit të bizneseve shqiptare të diasporës’ u zgjodh Nazar Mehmeti, pastaj dy nënkryetarët për SHBA (Ilmi Berisha) dhe për Europën(Yll Blakaj), po ashtu u zgjodh sekretari i përgjithshëm Ismet Ismajli nga SHBA. Në bord janë të gjithë kryetarët e rrjetit të bizneseve kudo në botë. Ky bord përbëhet nga biznesmenët më të fuqishëm që ka diaspora shqiptare. Këtë vit në mbledhjen e fundit më 24 shtator rrjeti i bizneseve arriti një sukses shumë të madh, mblodhi për herë të parë në historinë e shqiptarëve të diasporës shqiptare 700 biznesmenë nga mbarë bota që lirisht mund të themi ishte takim historik i diasporës. Aty propozuan edhe katër kryetar të nderit të cilët janë  Nazim Destani, Behgjet Pacolli, Handar Bajraktari dhe Xhem Xhema. Tani rrjeti i bizneseve funksionon më i fuqishëm pas këtyre takimeve tre ditore dhe është hera e parë që një organizim i tillë bëhet nga vetë diaspora i udhëhequr nga rrjeti i diasporës dhe këto biznese bashkëbisedojnë për mundësitë e investimeve të përbashkëta në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Ky rrjet tani ka hapur zyrën edhe në Prishtinë në “Swiss Diamond” dhe së shpejti do të hapet edhe në SHBA.

A ka kosto ky rrjet, nga kush financohet? – Ky është një rrjet ekonomik ku qëllimi ka qenë bashkimi i kapitaleve të bizneseve. Në të gjitha këto vende ku është themeluar ky rrjet tregon një forcë ekonomike. Shumica e biznesmenëve kanë kontribuar për çështjen dhe çlirimin e Kosovës dhe këta kanë parë nevojën e një bashkimi të një force ekonomike për t’i ndihmuar Kosovës rreth gjendjes ekonomike, për një zhvillim ekonomik e po ashtu edhe Shqipërisë dhe viseve shqiptare. Kjo përkrahet në forma të ndryshme nga anëtarët, kryesia dhe anëtarësia e gjerë.

Cilat janë procedurat në të cilat duhet të kalojë një biznes që dëshiron t’i bashkohet këtij rrjeti? – Ato biznese që duan të regjistrohen njoftojnë në ato vende ku jetojnë. Duhet të jetë biznesmen, nuk ka rëndësi a është i madh, mesatar apo i vogël. Shkon regjistrohet në ato vende ku janë “Rrjetet e bizneseve”, i përmbahet statutit dhe nuk ka ndonjë problem. Ndërsa gjë e re që do të jetë është se puna e ardhshme e kësaj zyre do të jetë promovimi i prodhimeve të Kosovës jashtë në diasporë që ka një rëndësi shumë të madhe.

A keni të regjistruar në këtë rrjet edhe biznesmenë të huaj? – Ky është rrjet për shqiptarë, nuk përjashtohet që investimet të bëhen të përbashkëta edhe me të huaj. Rrjetet kudo që janë në botë promovojnë investimet e shqiptarëve në viset shqiptare, bëjnë atë që shteti nuk ka mundur të bëjë, tërheqin investitorët e huaj sepse ata më së miri i njohin ata dhe përmes tyre i sjellin ata biznesmenë në Kosovë. Nuk përjashtohen të huaj që janë partnerë me bizneset shqiptare të vijnë dhe të investojnë por jo të udhëheqin rrjetin.

Cilat janë sfidat që investuesit shqiptarë hasin kur dëshirojnë të investojnë në Kosovë? – Rrjeti ka një bord të fuqishëm dhe ka arritur pas dy viteve të anëtarësojë fuqinë ekonomike të diasporës shqiptare. Rrjeti e ka logon e vet, statutin e vet, platformën e vet, faqen e vet. Si organizatë është e regjistruar në SHBA dhe rrjetet janë të regjistruara në çdo vend ku ato veprojnë.  Sa i përket investimeve të diasporës në Kosovë unë si drejtor i investimeve pranë Ministrisë së Diasporës them se ka pasur investime në Kosovë nga diaspora pjesa më e madhe. Pas lufte deri më tani diaspora ka investuar shumë dhe është e vërtetë që ka pasur edhe nga ata biznesmenë që janë përpjekur të investojnë por nuk kanë pasur sukses dhe janë tërhequr për shkak të çështjeve të ndryshme si mungesa e funksionimit të ligjit. Është edhe faji i institucioneve që Kosova ka ligje të veta shumë të mira, por duhet vetëm të implementohen, mirëpo nga një pjesë e zyrtarëve shtetërorë nuk zbatohen. Kosova duhet të ketë një përkrahje më të madhe për diasporën shqiptare që investimet të mos mungojnë sepse diaspora është një thesar i madh i Kosovës.

burimi:www.arbresh.info/ Përshtati për ALVA – M. P.