Jeta dhe karriera e Ali Memës, një nga perlat e futbollit kombëtar, nga fillimet, debutimi, protagonist me “17 Nëntorin” e famshëm të viteve ’60-’70. Po, historia e tij është vërtet e rrallë. Në rolin e portierit kur priti penalltitë në finale me “Besën”, lojtar formacioni në barazimet e mëdha me Irlandën, Gjermaninë, deri tek transferimi enigmë në Shkodër si futbollist i Vllaznisë. Refuzimi, fletërrufetë që shpërthyen kur nuk pranoi publikisht të luante kundër Tiranës, pastaj takimet me Kilmarnok, Standard, Ajaks dhe mungesa në sfidën e jetës.

Dashuria e bujshme dhe pasionante me Lizën, një Klaudia Kardinale për kohën dhe çfarë bën sot Ali Mema, ai që çmendi turqit kur e panë për të pestën herë në Stamboll? Një përfaqësues unik i klubit kryeqytetas, atij futbolli nostalgjik e argëtues.

Jetëshkrimi

“Mjeshtri i Madh” Ali Mema ka lindur më 1 shkurt 1943 në Tiranë, u rrit në rrugën “Shyqyri Bërxolli”, në qendër të kryeqytetit, ku jetonte me familjen dhe ku përfshiheshin edhe vëllezërit e tij Haxhi dhe Osman, të cilët të dy do të bëheshin futbollistë profesionistë.  

Karrierën e futbollit e ka filluar në moshë të vogël kur ishte vetëm 5 vjeç, në rrugët e lagjes, së qytetit të lindjes Tiranë, në mjediset e shkollave dhe gjithashtu në ato të Shallvare, të punës etj. Ishte kohë kur luanin me topa prej lecke. 

Në vitin 1957 ka filluar aktiviteti i tij në Pallatin e Pionierëve, Tiranë.

Ai ndoqi shkollën “Kostandin Kristoforidhi” pranë shtëpisë së tij, ku përfaqësonte ekipin e futbollit të shkollës. 
Gjatë kësaj periudhe, deri në vitin e dytë të shkollës së mesme, luante për rreth 6 orë në ditë, në ndeshjet e organizuara në grupe, me skuadra dhe lagje. Pas përfundimit të vitit të dytë të shkollës së mesme, kur afërsisht ishte 15 vjeç, u aktivizua në ekipin e futbollit të rinisë “17 Nëntori” Tirana, me trajner Xhavit Demneri dhe më pas, në vitin 1960, kur ishte vetëm 17 vjeç kaloi në ekipin e futbollistëve të rritur të Tiranës. 

Në 1962 u bë lojtar i kombëtares shqiptare dhe ndeshja e parë e tij me kombëtaren, ishte kundër Danimarkës. Që nga viti 1963 ka qenë lojtari i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, nga ekipi i Tiranës, Dinamo, Partizan dhe Vllaznia.
U diplomua në Fakultetin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” Tiranë. Deri në 1972 ka qenë lojtari i ekipit të futbollit të Tiranës. Që nga viti 1972, me përfundimin e karrierës si futbollistit, bëhet trajner i dytë i ekipit të Tiranës, deri në vitin 1987.

Gjatë karrierës së tij futbollistike si trajner në ekipin e Tiranës, ka qenë titullar i “Kampionatit Kombëtar” dhe “Kupa e Republikës”.
Në periudhën 1958-2010, (përveç 1987-1989), ishte një figurë e rëndësishme në ekipin e Tiranës si lojtar, trajner dhe inspektor i futbollit.

TITUJ 

 Në vitin 1964 ka marrë titullin “Mjeshtër i Futbollit” dhe më pas atë të “Mjeshtër Nderi i Futbollit”.
Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri”.
Me iniciativë të ndërmarrë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në vitin 1999, i është dhënë titulli: “Mjeshtër i Sportit Shqiptar”.
Është dekoruar me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës” nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Në vitin 2006, u nderua nga Federata Shqiptare e Futbollit, me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar”.

“Shoqata Tirana” e ka nderuar Ali Memën me titullin “Fisnikëria tiranase”.

Mban titujt: “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, në “Librin e Artë” të Klubit të Futbollit “Tirana”.

 

Klubet Sportive

1960–1966 “SK Tirana” 17 Nëntori, Tirana

1966–1968  “Vllaznia” Shkodër, kjo gjatë kohës kur kryente zborin ushtarak passtudentor,

1968–1970 “SK Tirana” 17 Nëntori, Tirana

1970–1971 “Partizani” në kupat ballkanike, Tirana

1971–1972 “SK Tirana” 17 Nëntori, Tirana

Trofetë

Gjatë karrierës së tij të futbollit, si lojtar në ekipin e Tiranës, ka qenë titullar i 4 titujve të “Kampionatit Kombëtar” dhe 1 të “Kupa e Republikës”.
Gjatë kësaj periudhe ka fituar disa kupa të caktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ka marrë pjesë në më shumë se 70 takime ndërkombëtare.

Kampionate: 4 me SK Tirana “17 nëntori” në sezonet 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Kupa e Shqipërisë: 1 me SK Tirana “17 nëntori” 1963

Kampionate si zv-trajner: 3 me SK Tirana “17 nëntor” 1981-1982, 1984-1985, 1996-1997

Me ekipin Kombëtar: 12 ndeshje

Me ekipin olimpik: 3 ndeshje

Takime ndërkombëtare miqësore dhe zyrtare për Kupën e Kampioneve dhe Kupën Ballkanike midis klubeve: 80

Imazh i madh e nostalgjik, çfarë përfaqësonte Ali Mema?

Nuk kishte televizion, por stadiume të mbushura plot dhe fundjava, prag dhe postndeshja ishte më shumë se një festë sportive që përfshinte gjithë qytetin. Një futboll i bukur, rivalizues, plot kualitet, elegancë, zgjuarsi, ego, inteligjencë, sakrificë, ndershmëri dhe trimëri, interpretues i të cilit është edhe Ali Mema. Me një shikim periferik, vizion loje, organizator, njeriu asist, Mema ka qenë oksigjen për skuadrën edhe kur ajo ishte në momente të vështira.

Kurajoz, i palodhur me temperamentin e jashtëzakonshëm që e karakterizonte, ai ishte një impuls i madh për shokët, tifozët, duke ndryshuar jo në pak raste rezultatin e takimit. Çdo ndeshje ka qenë një betejë për Ali Memën, ndonëse 172 cm i gjatë, u ka shënuar të gjitha skuadrave duke realizuar gola të rrallë, me kokë, nga goditjet standarde, madje nga çdo pozicion.

Ndër mesfushorët më të mëdhenj të historisë së futbollit kombëtar, një talent i rrallë, ai të impononte respekt. Shumë i sjellshëm, asnjëherë polemizues dhe i ashpër me kundërshtarët, madje as problematik me arbitrat.

Luante me të dyja këmbët, por arma e tij e fuqishme ka qenë loja në ajër, sepse ishte zotërues i plotë i qiellit kur kërcente. Ka mbajtur 4-ën dhe 6-ën, por simbol në fanellën e Ali Memës ka qenë nr.5. Një lider autentik për ekipin dhe shpirtin e garës që injektonte tek të gjithë, si një furtunë e vërtetë, britma e së cilës tingëllonte fort jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje. Ali Mema është dëshmitar e një kohe kur futbolli kishte vlera të mëdha sportive, sociale, humane për familje, tifozë, fëmijë, breza etj. Loja e tij ka qenë më shumë se një poezi, plot art dhe pasion.

 

Një karrierë e shpejtë

Një karrierë e filluar nga fusha e Shallvares, ajo e Agait, me skuadrën e lagjes dhe rrugicave, te SHNUMI, pasi aty ku kishte shtëpinë në Spartakiadat në Shtëpinë e Pushimit të Pionierëve në Plepa.

Ishte 13 vjeç, nxënës në shkollën “Kostandin Kristoforidhi”, kur në vitin 1957, ditën e përurimit të fushës së futbollit të Pallatit të Pionierëve, zhvillohet ndeshja e të rinjve të 17 Nëntorit me Pallatin me të cilin Aliu ishte titullar me trajner Hiqmet Mecen.

Duke parë një talent, një xhevahir në duar, mjeshtri Demneri e afroi te skuadra e tij dhe shumë shpejt, kur ishte vetëm 17 vjeç, papritur do ta informonte të paraqitej tek të rriturit. Këtu startoi karriera e shkëlqyer e tij, gjatë të cilës do të ketë disa trajnerë, pa dyshim M. Allën, por edhe Z. Konçin, L. Boriçin me Kombëtaren dhe Xh. Shaqirin me Vllazninë.

Me 17 Nëntorin e famshëm

Tipik lojtar i futbollit pasionant e agresiv kryeqytetas, me të cilin u ndërtua dhe u krijua 17 Nëntori i madh i periudhës ’60-’70. Bëhet fjalë kur në harkun kohor 1963-’64, te kjo skuadër afrohen lojtarët që aktivizohen me klubet e tjera, si Halili, Frashëri, O.Mema, Bytyçi, Bukoviku, Kazanxhi, Kasmi dhe bashkë me Xhaçkën, Bathoren, Tafajn, Elinin, Dhalesin, Nurishmin, Ishkën, Konomin, T. Gjokën, A. Çelën, Bylykun etj., nisin ciklin e një grupi që ka tjetër filozofi e që e dominon për një 5-vjeçar të plotë mjedisin futbollistik shqiptar duke sjellë një futboll të ri, ndryshe nga ai i luajtur deri në ato vite.

Më spektakolar, duke rivalizuar e thyer njëkohësisht hegjemoninë disavjeçare të dyshes Partizani- Dinamo, 17 Nëntori i Myslym Allës shfaqet një skuadër e përbërë krejtësisht me futbollistë që ishin produkt i talenteve të shkollës me traditë tiranase.

Me këtë skuadër ka luajtur edhe Ali Mema. Kampion në 1964-’65, 1965-’66, 1968 dhe 1969-’70, deri në takimin e fundit, në vitin 1972, kur e mbyll karrierën pas 12 vitesh si protagonist.

Penalltitë që i dhanë famë edhe si portier

Mbrojtës i djathtë i qendrës, stoper, mesfushë, sulm, kudo. Por edhe portier. Ai ka pritur 3 penallti në finalen e paharruar me Besën. Prill i vitit 1963, finalja e Kupës së Republikës, 3-2 për Besën në Tiranë dhe pas një jave 1-0 për 17 Nëntorin në Kavajë.

Fusha e vjetër, pas 120 minuta lojë shifrat ishin në barazim 3-3. Do të ekzekutoheshin 5 penalltitë vendimtare, një formulë shumë e avancuar për kohën – e ideuar nga Anton Mazreku – e papraktikuar më parë në Shqipëri, madje në asnjë vend tjetër, as nga FIFA e UEFA në aktivitete zyrtare të saj.

Pasi Bukoviku ka realizuar për tiranasit, Ali Mema (zëvendësonte Metanin dhe Beliun të dëmtuar) i futur në portë nga trajneri Alla, ka pritur tre 11- metërsha të gjuajtur nga T’habit Rexha, “Biti” siç e thërrisnin, i cili, përveçse futbollist, ishte edhe një këngëtar i njohur i qytetit.

Pak muaj më vonë, skena u përsërit sërish: në përfundim të një ndeshje miqësore, midis Kombëtares dhe Besës në fushën e Kavajës, “Biti” i pat propozuar Memës që të qëndronte në portë pasi do të gjuante edhe një herë nga pika e bardhë: “Biti” godet dhe Mema ia pret përsëri.

Dumja e pëlqen, stërvitet te Partizani

Ali Mema ka përfunduar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike, pas të cilit duhet të kryejë zborin 6-mujor. Sapo është mbyllur sezoni 1965-’66, 17 Nëntori është shpallur kampion, njëkohësisht ai është edhe lojtar i përfaqësueses në kulmin e formës dhe famës.

Partizani e nuhat situatën dhe ka rastin që ta marrë në klubin e tij pasi e kanë mobilizuar pranë repartit ushtarak në Laprakë, madje ka zhvilluar edhe disa seanca stërvitore, ku gjen Panon, me të cilin ka luajtur bashkë te 17 Nëntori i vitit 1960, në Kombëtare.

Gjeneral Petrit Dume e pëlqen, këmbëngul dhe i propozon të qëndrojë te Partizani, por Mema ia ka bërë të qartë se është kundër, e pa dëshirën e tij është e pamundur. Atëherë e nisin në Shkodër.

Nga 6 në 18 muaj, në repart me Bujar Kapexhiun

Historia e transferimit në Shkodër e Ali Memës është një ndër “mekanizmat” e sistemit, e betet enigmë qëndrimi i gjatë i tij në Shkodër ende sot. Nga një zbor 6-mujor, ai u kthye në një shërbim ushtarak që zgjati 18 muaj. Nisi në verën e 1966 dhe Ali Mema u kthye në Tiranë në fillim të vitit 1968 (bashkë me Foto Andonin e Partizanit). Në Divizion, në repartin 901 të këmbësorisë, aty ku e kanë caktuar, i janë bashkuar edhe aktorët Bujar Kapexhiu e Fatos Haxhiraj. Edhe ata për zborin 6-mujor.

Madje, vetëm Memës i kanë lejuar të mbajë flokët dhe Kapexhiut mustaqet, pasi “ky luan në film” – thoshte Kapisyzi, gjenerali i famshëm i divizionit.

Si mbret në Shkodër dhe fletërrufetë pse refuzoi të luante ndaj 17 Nëntorit

Transferimi i Ali Memës te Vllaznia u prit me entuziazëm dhe simpatia e lidhja e tij me klubin, qytetin, tifozët, familjet, futbollistët ka qenë dhe mbetet unike edhe sot. I gjithë mjedisi e ka jetuar ardhjen e tij dhe, nëse ka një futbollist që është pritur e trajtuar si mbret, është Ali Mema kur shkoi në Shkodër. Janë 18 muaj ndër më të bukurit e karrierës së tij. Në familjen Dedja, Duria (nëna e Mendu Dedjes) i ka shërbyer me gjithçka.

Një fakt i rëndësishëm është se në aspektin sportiv te Vllaznia, Mema u përshtat shpejt duke injektuar egon, shpirtin e sakrificës. Por kur vinin përballjet me 17 Nëntorin, kanë qenë momentet më të vështira gjatë karrierës shkodrane të Ali Memës.

“Para një sfide, kur flitej se Alija ishte në pikëpyetje nëse do të luante apo jo, trajnerin Xhod Shaqiri e thërrisnin në Komitetin e Partisë”, kujton Ramazan Rragami. “Pse nuk don me lujt Mema? – e pyesin. – Ai është titullar dhe duhet me qenë në fushë”. Si një strateg, Shaqiri gjykon se është më mirë të mos e aktivizojë dhe kështu vepron.

Mirëpo të nesërmen, qytetarët sportivë pasionantë shkodranë, të painformuar, shpërthejnë në fletërrufe ndaj trajnerit por mosaktivizimin e Memës.

Por, edhe në një sfidë tjetër 17 Nëntori-Vllaznia (Kupë, takimi i dytë) në pjesën e parë Mema godet traversën e portës veriore të kryeqytetasve që mbrohet nga Tafaj, por në pushim, me sinqeritetin që e karakterizon, i është drejtuar trajnerit: “Nuk mundem, e kam shumë të vështirë të luaj kundër Tiranës”. Janë pjesë të memories sportive, në veçanti asaj shkodrane, të klubit Vllaznia për të cilin ai luajti deri në sekondën e fundit. “Alija, Alija dona gol!”, ka bërtitur stadiumi “Vojo Kushi” kur kërkohej goli i shumëpritur. Sa herë është kthyer si kundërshtar vetëm e kanë duartrokitur.

Letër qeverisë dhe Beqir Ballukut

Qëndrimi shumëmujor pas përfundimit të 6 muajve të zborit në Shkodër me Vllazninë e detyroi të atin e Memës që t’i shkruante një letër qeverisë, në të cilin i kërkonte kthimin e Ali Memës në shtëpi, pranë familjes. Një kërkesë e tillë iu dërgua edhe Beqir Ballukut si ministër i Mbrojtjes që ishte. I kërkohej motivi i qëndrimit të tejzgjatur pa arsye dhe kthimin e Ali Memës pranë familjes, pasi ishte i martuar dhe me fëmijë. Letra humbi dhe nga Dikasteri nuk pati asnjëherë përgjigje zyrtare.

Qëndroi te Vllaznia edhe në muajt e parë të kampionatit të 1968-ës, i cili u zhvillua në harkun e një viti kalendarik, duke fituar me tiranasit titullin kampion në muajin dhjetor pas një rivaliteti deri në fund me Partizanin.

Prenk Jakova mbyll provat e “Skënderbeu”-t

Një çast tejet emocionues e lidh karrierën e Ali Memës me artistin, kompozitorin Prenk Jakova, një nga kolosët e mëdhenj të muzikës shqiptare. I njohur me “Mrika”-n, si opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, apo me “Margjelo”- n, edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, mbetet unik episodi kur ai ishte në Tiranë duke zhvilluar provat me orkestrën e Teatrit të Operës dhe në kulmin e intensitetit për të vënë në skenë operën e dytë të tij “Skënderbeu”, ai iu drejtua orkestrës dhe me zërin e një muzikanti i thotë: “Do t’i mbyllim shpejt provat, se do të nisem për në Shkodër, pasi sot lot për herë të fundit Alija”.

Mungesa në ndeshjen dramatike dhe sfidat e mëdha

Nuk ka qenë i pranishëm dhe nuk ka luajtur në takimin e paharruar për klubin, historinë e sportit shqiptar, siç ka qenë përballja 17 Nëntori-Partizani në fund të qershorit 1967. Takimi përfundoi 2-1 për tiranasit, por në përfundim të sfidës, në korridorin e “Qemal Stafa”-s, ka një grindje midis lojtarëve e konsideruar si shfaqje e huaj, skuadrat e përjashtuan nga vazhdimi i kampionatit, ndonëse kishin mbetur vetëm 3 javë, 17 Nëntori thuajse kampion e pas një vendimi të FSHF-së titulli iu dha Dinamos në vendin e tretë pa asnjë mundësi për të marrë trofeun.

Dhe pikërisht në këtë përballje Ali Mema nuk ka qenë prezent, pasi luante në Shkodër. Ndërsa në Kupën e Kampioneve ka disa në të cilat ka qenë protagonist: takimet e dyfishta me skocezët e Kilmarnok, pastaj me belgët e Standart dhe në barazimin e madh 2-2 me Ajaksin e Krujfit në Tiranë në shtatorin e vitit 1970. Pastaj duelin Mema-Overat në takimin Shqipëri-RFGJ, 0-0 në Tiranë, por edhe rastin e humbur kur i vetëm para portës me Standartin ia dha topin në dorë portierit, gjatë një kombinimi perfekt të “liverpulçes”, skemë taktike e njohur që 17 Nëntori aplikonte në goditje dënimi.

Një manovrim që habiti belgët e që do ta bënte të famshëm nëse realizonte, ndërkohë që me të tilla goditje kishte ndëshkuar skuadrat në kampionatin shqiptar.

Mema, një emër që habiti turqit

I rrallë është fakti që habiti turqit dhe veçanërisht median kur e panë Ali Memën për herë të pestë në vendin e tyre me pesë fanella të ndryshme: Katër herë në harkun e pak viteve, me ngjyrat e Dinamos, 17 Nëntorit, Partizanit e Vllaznisë, të gjitha takime për Kupën Ballkanike.

Si përforcim i marrë nga Dinamo në vitin 1 9 6 1 kur luante me “17 Nëntorin” dhe nga Partizani kur ishte me Vllazninë, një ndeshje kjo e rivalizuar deri në fund, që fitohet 3-2 në minutat shtesë nga turqit me një autogol. Pastaj me 17 Nëntorin në vitin 1964, me Vllazninë para se të largohej dhe në një takim miqësor me përfaqësuesen e Tiranës.

“Kush është ky Mema që vjen me pesë fanella të ndryshme në Turqi?”, shkruanin ato, duke e shoqëruar me foto me të gjitha bluzat me të cilat ai kishte luajtur atje.

Bashkë me Bizin e Rragamin

Në Shkodër gjeti Danin, Capalikun, Gjonin, Dedjen, Lekajn, Gjergjin, Hoxhën, Danin S., Pukën, Selmanin, Kocobashin, Qerajn, në veçanti me Bizin luajti për një kohë të gjatë te Vllaznia dhe pak muaj me Rragamin kur ky u kthye në Shkodër, në fillim të ’68-ës.

Por, kolosët e mesfushës shqiptare do t’i bashkonte edhe kombëtarja, madje në disa sfida epokale, të paharruara: Në barazimin 1-1 me Irlandën në Tiranë në nëntorin e ’65-ës janë Rragami Partizani, Ali Mema 17 Nëntori madje edhe Foto Andoni “Partizani”.

Ndërsa tre mjeshtrit e mesfushës do të jenë bashkë në takimet vijuese gjatë vitit 1967: Në Dortmund, prill: RFGJ-Shqipëri 6-0, në formacion janë: R.Rragami Partizani, A. Mema 17 Nëntori dhe S. Bizi Vllaznia. Pastaj në Beograd, Jugosllavi-Shqipëri 4-0, nëntor, sërish në fushë: Rr.Ragami Partizani, S. Bizi Vllaznia dhe A. Mema 17 Nëntori.

Ndërsa në takimin e 17 dhjetorit Shqipëri- RFGJ 0-0, reparti i mesit përbëhet nga: A. Mema Vllaznia, R. Rragami Partizani, S. Bizi Vllaznia. Me ekipin përfaqësues, Ali Mema luajti në 11 takime zyrtare dhe 1 miqësore. I pari më 30 tetor në Tiranë, Shqipëri- Danimarkë 1-0 dhe i fundit ai ndaj RFGJ-së, 0-0 në “Qemal Stafa”.

Marrëdhëniet me Lym Allën, si asnjë tjetër

Askush përveç Ali Memës nuk ka pasur një raport të tillë komunikimi me strategun, krijuesin e 17 Nëntorit legjendar, trajnerin e shquar Myslym Alla, i vetmi, të cilit njeriu shumë autoritar ia kishte krijuar këtë privilegj. Në Kuçovë rezultati është në barazim, ndërsa Mema i dëmtuar qëndron në stol. I ka kërkuar që ta aktivizojë, por vendimi i Allës është i padiskutueshëm. Këmbëngulja e tij edhe kur kanë mbetur pak minuta e ka detyruar Allën ta aktivizojë dhe menjëherë 3-0 për 17 Nëntorin. Asnjëherë s’i jepte detyra, t’i tregonte se ku dhe si do luante, pasi në skemat e tij Ali Mema ishte i kudondodhur.

Dëmtimet, gjuri i lidhur apo i fashuar me gjunjëza e kanë shoqëruar në pjesën më të madhe karrierën e tij. Në shi, baltë, çfarëdo terreni dhe kushtesh natyrore ai ka luajtur edhe pse i kushtëzuar nga dëmtimet. Gjithashtu në stërvitje, duke ia ditur temperamentin, edhe pse i dëmtuar, Alla nuk e hiqte, madje e aktivizonte me ekipin e dytë për të krijuar rivalitet.

Po kështu edhe kur ishte në rolin e zv.trajnerit vite më vonë ka qenë trajner e lojtar në stërvitje në krah të Fatmir Frashërit, Enver Shehut, S. Memës. Kishte intuitë, e lexonte shumë mirë ndeshjen. Por, ajo që kujtohet për Ali Memën është e lidhur me seancat stërvitore. Dita e enjte, kur skuadra zhvillonte lojë kontrolli, Ali Mema luante me skuadrën e dytë.

Ndeshja kthehej në një sfidë tërheqëse, rivalizuese dhe brenda grupit ajo zhvillohej me ego të madhe. Ali Mema, ndonëse jo në moshën e futbollistëve, luante kudo dhe kundër më të mirit. Ka qenë model edhe në këtë drejtim si askush tjetër.

Dashuria pasionante për Lizën

Ajo e Ali Memës me Lizën është një ndër historitë më të bujshme të dashurive të sportistëve të njohur shqiptarë. E tillë ka qenë dhe mbetet, madje është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës, karrierës së Ali Memës.

Shumë e bukur, një Klaudia Kardinale për kohën, njohja, dashuria e tyre filloi dhe shpërtheu në Teknikumin e Fiskulturës, pastaj në ILKF, për t’u kurorëzuar kur ishin të rinj, vetëm 23 vjeç, me Almën fëmijën e parë. Luiza Filipi, një atlete rekordmene në shtizë e disk për shumë vite ka qenë mësuese e edukimit fizik në gjimnazin “Partizani”.

Ali Memën nuk mund ta imagjinoje kurrë pa Lizën dhe e kundërta, një kopje shumë tërheqëse. Si një tip i veçantë për linjat estetike që kishte, ajo tërhiqte vëmendjen e të gjithëve, por edhe “kjo është Liza, gruaja e Ali Memës”, ishin fjalët shoqëruese. Jetuan të lumtur deri në çastin e fundit kur në vitin 2004, shumë e re, Liza u nda nga jeta.

Çfarë bën sot Ali Mema?

E la futbollin në vitin 1972, kur, me një orientim të Komitetit të Partisë të Tiranës, cikli i 17 Nëntorit u konsiderua i mbyllur dhe skuadra duhet të rinovohej.

U larguan shumë titullarë, midis tyre edhe Ali Mema, kur është vetëm 29 vjeç, me një karrierë brilante dhjetëvjeçare. Mësues i edukimit fizik në Politeknikumin 17 Nëndori, atje ku doli në pension, gjithmonë me biçikletën e preferuar.

Kurrë duhan e pije alkoolike, i rregullt në jetë e sport e shumë familjar. Nga të dy fëmijët, djali Ardiani e pasoi profesionin e të atit, si futbollist, trajner dhe mësues i edukimit fizik, por jo në lartësinë dhe në famën e Ali Memës. 

Dhe së fundi: Nëse do të kishte një “Oskar”, apo një “Top të Artë” për atë çfarë ka demonstruar, si një kampion i vërtetë, model për shokët, skuadrën, trajnerët, brezat, futbollin jo vetëm tiranas, për të gjithë ata që e kanë parë drejtpërdrejt, Ali Mema do të ishte fitues i padiskutueshëm.

Një udhëheqës i vërtetë, një “Ser” o “Signore” do të ishte fjala e vetme përmbledhëse që të jep idenë e plotë e që sintetizon figurën e jashtëzakonshme të Ali Memës për gjenialitetin që ai djalë simpatik, elegant me futbollin e tij origjinal dhe demokratik transmetoi në fushat e lojës ku ai luajti.

Dokumentari “I bukuri Ali Mema…!”

Dokumentari i gazetarit sportiv Fatmir Mëneri përjetëson një nga figurat më të mëdha të dinastisë Mema, “I bukuri Ali Mema…!”. Me regji të Ylli Pepos dhe kamera të Xhemal Reçit, që është bërë për një nga figurat më të mëdha të dinastisë Mema për gjithçka që ka dhënë për fanellën bardheblu. E kjo jo vetëm si lojtar polivalent, mbrojtës, mesfushor, sulmues, por dhe portier, por dhe si ndihmëstrajner, trajner dhe punonjës i klubit bardheblu. 

Dokumentari zgjat 30 minuta, nëpërmjet rrëfimeve të Fatmir Frashërit, Niko Xhaçkës, Perikli Dhalesit, Lutfi Bytyçit, Buja Tafaj, të kavajasve Gërmani e Karriqi, shkodranëve Dani, Rakiqi, Juka, Rragami, elbasanasve Rudi e Shkalla, lushnjarit Xhoxhaj, të portierit të Partizanit e kombëtares Mikel Janku dhe dinamovitit Iljaz Çeço ka sjellë gjithçka për karrierën e Ali Memës.

Madje kanë ardhur dhe kujtimet e sportdashësve, tifozë të kahershëm të Tiranës. Dhe mbyllja e dokumentarit me këngën e Tiranës të Rik Bunecit duket se ka sjellë dhe titullin e tij: “I bukuri Ali Mema…!”.

 

Vlerësime nga Dashamirësit dhe miqtë e Mjeshtrit Ali Mema

Sot mbush 75 vjeç një njeri i rrallë, një zotni si thonë tironsit, një ish-futbollist që për më shumë se një dekadë ishte fisniku i fushës së blertë, një qytetar 100 karat, një model i veshjes dhe sjelljes, një futbollist që e veshi fanellën e ekipit kombëtar që në moshën 18 vjeç dhe ky është ALI MEMA. Në kohën kur ai erdhi në fushën e blertë kishte dhe mesfushor të tjerë, ishte Ragami e Shllaku…por Mema befasoi, me energjinë, me vizionin, pasimin dhe goditjen me këmbë dhe me kokë. Një teknikë e lartë e kontrollit të topit në vend dhe në ecje, pasimi i shkurtër dhe ai i gjatë preçiz, dinamizmi që ndërtonte ishin të tillë të nivelit prej talenti. Me Skënder Hykën, Luigj Bytycin e Josif Kazanxhi në mesin e fushës dhe me treshen e sulmit vrastare Niko Xhaçka, Bahri Ishka që luanin nga krahët dhe Arben Bukovikun në qëndër, pas vitit 1965 ekipi Tiranës, “17 Nëntori” në atë kohë, solli në Shqipëri futbollin modern sepse drejtohej nga i Madhi Myslym ALLA. Mos harrojmë se luante Skënder Halili, Fatmir Frashëri e Gëzim Kasmi në atë skuadër. Provat u bënë më Ajaksin e Amsterdamit që po revolucionarizonte futbollin botëror duke sjellur atë që u quajt futbolli total. Gjithmonë kam pasur respekt për Ali Memën, model në fushë, kurrë nuk kundërshtoi gjykimin, kurrë nuk dëmtoi kundërshtarin, kur nuk e shkeli etikën sportive, një shëmbull i olimpizmit sportiv. Gjithnjë me biçikletë dimër verë. Edhe kur drejtoi si trainer, modest në sjellje dhe i suksesshëm në fushë. ALI MEMA i ke bërë Tiranës, ekipit kombëtar dhe na ke bërë ne të gjithëve që si thonë francezët: CHAPEAU-të të heqim kapelen. Jetë të gjatë fisnik! Përparim Kabo 1 shkurt 2018.

“Më i madhi i futbollit bardheblu dhe ndër më të mëdhenjtë e Shqipnisë”. Bedri Alihmemeti 1 shkurt 2018

Burimi:http://albaniansport.net/ wikipedia / www.panorama.com.al nga Uvil Zajmi /www.albanianews.it/ adela kolea /Bedri Alimehmeti/

Përshtati për ALVA:Manjola Perja