Mijëra besimtarë katolike kanë mbushur kishat për të festuar dhe kujtuar një nga momentet më të rëndësishëm të besimit, ringjalljen e Krishtit.

Pashka është festa më e madhe në kalendarin liturgjik. Besimtarët katolikë kremtojnë sot Pashkët, ku gjatë drekës mblidhet e gjithë familja, me një tryezë të mbushur plot me gatimet më të mira, për festuar ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit të tij.

Besimtarët katolikë i drejtohen kishës të shtunën deri në mesditë, duke mbajtur në duar një shportë me ushqime, që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, ku nuk mungon Buka e Pashkës, vezët e kuqe, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës.

Ata mbajnë kreshmë për 40 ditë, duke kufizuar ngrënien e disa ushqimeve në kujtim të Jezu Krishtit, i cili, ia doli të mos dorëzohej dhe të qëndronte pa ngrënë dhe pirë për 40 ditë duke e privuar veten nga produktet shtazore.

Ky agjërim nis që nga e mërkura e përhimtë dhe mbaron të dielën e Palmave, periudhë e cila kujton 40 ditët e kaluara në shkretëtirë nga Jezu Krishti në lutje dhe agjërim.

Të premten Krishti kryqëzohet e më pas ndodh mrekullia, ai ringjallet. Pas meshës tradicionale, festa vazhdon gjatë ditës së dielë, ku nuk mungon simboli i saj, veza e Pashkës.

Pashka festohet nga shumë besimtarë katolikë në shumë vende të botës. Kjo është një ditë për të festuar me miqtë dhe për të kujtuar Lavdinë e Zotit.

Burimi: /ATSH/- /k.s/TIRANË, 21 prill