“Jubileu i Skënderbeut në 110-vjetorin e themelimit të Klubit patriotik “Bashkimi Dibran”, ishte tema e Konferencës Shkencore që u organizua nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe Akademia e Shkencave të RSH, në një nga sallat e Hotel “Tirana” International. E përbashkëta e referateve dhe kumtesave që mbajtën akademikë dhe profesorë të mirënjohur ishte epopeja e lavdishme skënderbejane si dhe origjina dibrane e kastriotëve.
Në fjalën e hapjes së kësaj konferencë, Prof. Dr. Bujar Kapexhiu “Mjeshtër i Madh” evidentoi aktivitetet më të suksesshme të shoqatës, objektivat dhe programin e veprimtarive të saj në vazhdim. Ai foli për rrugëtimin historik nga klubi patriotik, “Bashkimi Dibran”, tek djelmënia dibrane, e deri më sot tek shoqata “Bashkësia Dibrane”.
“Sot ne kremtojmë dy gëzime në një ditë, Jubileun për Skënderbeun si një figurë me vlera epike ku krenohet e jo vetëm Dibra dhe Shqipëria por dhe më gjerë, si dhe 110 vjetorin e “Bashkimit Dibran”, shoqata më e vjetër historike, patriotike dhe kulturore në vend”, – tha Prof. Kapexhiu. Duke vijuar me një rrugëtim historik nga klubi “Bashkimi Dibranë tek Shoqata “Bashkësia Dibrane”, kreu i kësaj Shoqate tha se “Është fakt se ky klub e realizoj misionin e tij plotësisht duke i shërbyer çeshtjes kombëtare dhe përhajes së kulturës dhe gjuhës shqipe. Ky klub, duke bashkuar forcat demokratike dhe përparimtare kundër pushtuesit, pati një rëndësi të madhe, per t’i bindur dibranët në realizimin e bashkimit të një force kombëtare dhe politike. Klubi atdhetar “Bashkimi Dibran” dhe shoqëria “Djelmënia Dibrane” kanë patur në gjirin e tyre shumë anëtar aktiv, që spikatën në realizimin e aspiratave për pavarësi dhe zhvillim kombëtar”.
Krenar për organizimin e një veprimtarie me rëndësi jo vetëm për Skënderbeun por dhe për vlerat dhe personalitet e komunitetit tonë në tërësi, kreu i “Bashkësisë Dibrane” evidentoi mjaft kauza të realizuara nga kjo shoqatë mbishekullore si: aktivitete kulturore, shkencore dhe akademi përkujtimore për figura të ndryshme dibrane. Kapexhiu vlerësoi të një rëndësie të të veçantë dhe lobimin e sensibilizimin e gjerë që ju bë nga ana e tre ekspertëve, pjesë e komunitetit dibran në Tiranë, çështjes së lumit Radika, për devijimit e ujrave natyror nga Dibra e Madhe në Maqedoni. Madje, sipas tij, ky projekt, falë kontributit të “Bashkësisë Dibrane” dhe ndikimit të organizmave ndërkombëtar nuk i cënoj këto ujra.
Pas tij mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Akademisë së Shkencave Akad. Prof. Dr. Salvatore Bushati.
Ndërsa Prof. dr. Adem Bunguri prezantoi të dhëna të reja arkeologjike mbi disa fortifikime të Skënderbeut në Dibër.
Me mjaft interes u ndoq referati i mbajtur nga prof. dr. Bajram Xhafa “Dibranët në epopenë skenderbejane”. Po ashtu tëhoqi vëmendjen e dhjetra pjesëmarrësve në këtë tubim edhe fjala e znj. Zenepe Dibra e cila u ndal kryesisht tek roli i dibranëve të Shkodrës në periudhën e rilindjes e më vonë.
“Trojet shqiptare ndërmjet Drinit e Detit në shek. XV. Rëndësia strategjike”, ishte tema e kumtesës që mbajti dr. Ardian Muhaj.
Në mbyllje të konferencës Kryesia e Shoqatës “Bashkësia Dibrane” vlerësoi me “Çertifikata Mirënjohje” disa nga veprimtarët e saj më të mirë për kontributin e pakursyer në aktivitetet dhe gjallërimin e shoqatës.
Burimi: http://www.kohajone.com/ Halil Rama – Përshtati për ALVA:Manjola Perja