Treva dhe qyteti i Prishtinës ruan një vertikale të gjatë historike, e cila zë fill së paku nga periudha e neolitit. Në arealin e qytetit dhe në rrethe janë zbuluar gjetje të shumta arkeologjike, të cilat për nga vlera e tyre kulturore denjësisht e prezentojnë jo vetëm Prishtinën e Kosovën por edhe gjërë. Kjo histori e bujshme e qytetit ndikoi në zhvillimin e tij edhe gjatë gjithë shekujve të antikitetit dhe mesjetës, shekuj këto, të cilat në saj të pasurive minerare të Kosovës të shfrytëzuara, sidomos në miniera të Novobërdës, Janjevës e Trepçës i mundësuan Prishtinës të shpallet për qendër të njohur konsullare të Republikës së Raguzës (më 1396). Në të vërtetë nga trashëgimia kulturore materiale që prej periudhës kur përmendet Prishtina me emrin e sotëm nuk është ruajtur pothuajse asgjë. Megjithatë, burimet e shumta të shkruara, që ruhen në arkiva të njohura të rajonit dhe të botës mundësojnë të bëhet një rikonstruim i përafërt me kohën, që jemi duke bërë fjalë.

Në këtë kontekst, një përshkrimin të hershëm na ofron Jan Kantakuzeni (Ίωάννης Καντακουζηνός, 1295/6-1383) perandor dhe historian i madh, i cili kishte vizituar Prishtinën në vitin 1342. Sipas tij, Prishtina (Pristinon) ishte një fshat i pafortifikuar vetëm me një pallat druri. Mirëpo, nga kapërcyelli i shek. XIV, kohë kjo që përkon me zhvillimin me përmasa të mëdha të qendrave xehetare të Kosovës, atëbotë, Prishtinë shpallet për njërën ndër qendrat e njohura konsullare të Republikës së Raguzës (1396, 1399). Me kohë (në gjysmën e parë të shek. XV), qyteti do ta fiton statusin e qytetit autonom në krye me kefaliun ose princin. Nga kjo kohë është i njohur gjyqi, administrata, si dhe burgu i qytetit. Ç’prej kësaj kohe, sipas burimeve të ruajtura Prishtina kishte marrë pamjen e një qyteti europian tipik mesjetar, që zotëronte disa lagje e sheshe; tregun e shoqëruar me shumë dyqane zejtare e tregtare (“Piaza di Pristina”, më 1436), dhe brenda këtij kuadri burimet e shkruara spikasin sidomos fushën për lojëra kalorësiake (1436) dhe tavernën ose mejhanen e njohur të Prishtinës (të parën e këtij lloji te ne), e cila përmendët në vitin 1438!

Burimi: Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut (DAD) nga historiani Jahja Drançolli