Kosovare Asllani, që luan për klubin futbollistik Linköpings FC, është nderuar me një statujë në Suedi. Sulmuesja, e cila mbron edhe ngjyrat e shtetit suedez, ka thënë se kjo është ndër rastet e parë që një femër futbolliste nderohet me një statujë në këtë shtet.
“WOW. Jam jashtëzakonisht shumë krenare të jem ndër femrat e para futbolliste që nderohet me një statujë në Suedi”, ka shkruar futbollistja shqiptare në rrjetet sociale. “Bashkë mund të krijojmë barazi gjinore në futbollin suedez. Bashkë shkruajmë historinë”, përmbylli postimin e saj Kosovare Asllani.
Në karrierën e saj, Kosovare Asllani ka luajtur për PSG-në dhe Manchester Cityn. Më parë, Asllani pati thënë se “kur ishte gjashtë vjeç, një familjar i saj i kishte thënë se futbolli nuk ishte për femra”. Kjo deklaratë dhe mendime të tilla, pati thënë ajo, e kanë shtyrë drejt sukseseve në karrierë.
Sipas të dhënave zyrtare të Federatës së Futbollit të Suedisë, Asllani ka shënuar 32 gola në këto 126 ndeshje. Suedia ka 70 fitore me Asllanin në fushë, 24 barazime e 32 humbje. Mesfushorja ofensive i ka edhe katër paraqitje për U-23 të Suedisë, 15 paraqitje për U-19 të Suedisë dhe gjashtë paraqitje për U-17 të Suedisë.
Kosovare Asllani ka lindur në Kristianstad të Suedisë. Babanë e ka nga Mitrovica, kurse nënën nga Gjakova. Familja e saj ka migruar në fillim të viteve ’90.
Burimi: Koha.net