Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjerë. Liria e saj është e plotë në viset e vendit tonë ku s’ka hyrë pseudo-qytetërimi i Azisë. Gruaja shqiptare është inteligjente dhe s’i mungojnë cilësitë morale të larta. Është e vërtetë se të drejtat e saj i janë mohuar. Po edhe do kujtuar kurdoherë se, të drejtat fitohen prej atyre që janë të denjë t’i marrin, prej atyre që dinë përdorimin e mënyrës për t’i fituar. Dhe më tepër akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarit.

Duhet pra që gruaja shqiptare të përpiqet dhe të rrëfehet e denjë për të drejtat njerëzore. Lipset që të bëjë forcime për t’u lartësuar intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohur vendin e vërtetë që i ka hije të zërë.

Atëherë do të bindet gruaja shqiptare se, në ringjallje të këtij vendi duhet të marrë pjesë, të bashkëpunojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë, për lumturinë e përbashkët, që kështu, duke siguruar jetën dhe fatin e bardhë të djemve dhe të burrave, të kenë siguruar dhe rrojtjen fatmire të tyre.

Atëherë, sikundër çdo shqiptar sado i pasur, i ditur dhe i lumtur të jetë, e ka për detyrë që të kujdeset për të mjerët, për ata që janë fatzez, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë, sado që t’i qeshë fati në bukuri dhe lumturi, duhet që të bëjë pak therori nga koha dhe dëfrimet e saj, të kujdeset për gratë e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të madh që pres prej grave tona është përhapja e parimeve të higjienës dhe të mirërrojtjes fizike. Burri s’vete dot në shtëpi ku një e varfër dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë, ku një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me zërin dhe dorën e saj të njomë, mund të lehtësojë plagët fizike dhe morale, të shpjerë ngushëllimin, të ngrejë një fëmijëri afër fikjes, të shpëtojë një tjetër që mund të rrëzohet.

Ca më pak se nga burrat do të gjendet një grua që të rrëfehej indiferente në gjallërinë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi shtet. Ca më mirë nga burrat, gratë do të dinë, se jeta dhe lumturia e tyre është e varur te jeta dhe lumturia e Shqipërisë, që pa shëndoshur të gjitha palët dhe shkallët e kësaj popullsie, vet s’mund të quhen jashtë rrezikut.

Burimi:/www.ballikombetar.info/Përshtati për ALVA:M. P.