O perëndia ime, më mëso lutje jete në altarin hyjnor
t’ia them fëmijëve bashkë me frymën e ngrohtë të gjyshes.
Ti nuk njeh goditjen e breshërit dhe ortekun në dëborë
po njeh veç stinimin e pranverës si pëllumb a dallandyshe.
 
O perëndia ime ti më je si këmbanë e shpirtit të purpur,
ti i ke merituar sa e sa dekorata, mirënjohjet dhe kurora,
para teje thinja e parë më duket lule e brishtë dhe bukur.
Para teje jam si fëmijë fytyrëskuqur që akoma i dridhet dora.
 
Para teje mali ndjen frymimin i kërrusur nga pesha e kohës
Dielli i dëbon retë për fytyrën tënde ëmbëltore
Para teje jam vogëlushe që gjunjët ia ka vrarë dita e lojës
Fjala e hapi i parë më zgjojnë kujtime fëmijërore.
 
Me ty kurbetin përcolla mes zërave engjëllorë të gëzimit
Librat kanë përkëdheljen tënde në çdo shkronjë e në çdo faqe
Kur flet ti, bora madhështohet bukurisht mes rizgjimit
Kur flet ti, shpatet mbushen me mijëra luledele e manushaqe.
 
Oh, perëndia ime, mos më mëkato për fjalën e pathënë
me bekimin tënd si nënë frymoj në ditën që erdhi.
Ulem gjunjaz para fëmijëve të mi që e kanë jetën si këngë
prita si udhëtar pas natës të rivinte mëngjesi.
 
Mos më bëj HERO për urimin tënd që e mbaj në zemër
si të ishte një letër postjeri të futur në trupin e lagur.
Për ty shtigjet e jetës i them të gjitha emër për emër.
Ziles së mallit i bie qoftë dhe me dorën e përgjakur.
 
Para teje jam nxënëse e përkëdhelur e Akademisë së Moshës
Me ty gjithë ylberet ia vë shpirtit të behartë mëmësor 
Nëse një çast jeta do më vërë në lakun e egër të kohës
Me ty do të bëhem kapitene stuhishë, në çdo kohë.
Burimi:Namik Selami
Foto:Interneti, Hektor Pustina, Micky Haxhiislami Albanian vintage photography people cities culture and history
Përshtati për ALVA:J. H. & M. P.