Nëntogere Ilirianë Bunjaku fiton çmimin “Shpatën Ndërkombëtare” si kadetja më e mirë ndërkombëtare

0
670
Nëntogere Ilirianë Bunjaku fiton “Shpatën Ndërkombëtare” në Akademinë Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar.
Në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar, në një konkurrencë shumë të fortë, pas studimeve intensive shumë sfiduese, oficerja e FSK-së, nëntoger Ilirianë Bunjaku, fitoi çmimin “Shpata Ndërkombëtare” si kadetja më e mirë ndërkombëtare.
Në ceremoninë e organizuar, me rastin e diplomimit të kadetëve të Akademisë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst, përveç saj, me sukses u diplomua edhe nëntoger Ardit Deliu. Me këtë rast, shpatën ndërkombëtare, nëntoger Bunjakut ia dhuroi shefi i Shtabit të Mbrojtjes, gjeneral Nicholas Carter.
Rezultatet e treguara gjatë studimeve të kurorëzuara me titullin e kadetes më të mirë në këtë akademi, ndër më të famshmet në Botë, atë e bëjnë ambasadore të shkëlqyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kjo e arritur e jashtëzakonshme e nëntogeres Bunjakut është reflektim i profesionalizmit, aftësive dhe potencialit të madh të FSK-së në perspektivën zhvillimore të saj. Gjithashtu kjo është vlerë e çmuar e partneritetit tonë me Mbretërinë e Bashkuar si dhe mirënjohje e madhe për investimin e vazhdueshëm të tyre në kuadrot tona të talentuar.
Burimi:Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës