Gjergj Kastrioti Skënderbeu i mbledh shqiptarët në Vatikan. Më datë 19 nëntor, një grup prej rreth 200 vetësh, shoqëruar nga kardinali Ernest Simoni, nga autoritete kishtare e civile, u pritën në audiencë nga Papa Françesku, me rastin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së tij.

Organizuar nga e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj, takimi u mbajt në Sallën Klementine në Vatikan, që u mbush me njerëz nga Shqipëria e nga trevat e tjera, ku banojnë shqiptarë, por edhe me arbëreshët e Italisë. Grupi shoqërohej nga kardinali Simoni, nga pesë ipeshkvij katolikë –  imzot George Frendo, imzot Angelo Massafra, imzot Simon Kulli  dhe imzot Giovanni Peragine të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe dy ipeshkvij arbëreshë: imzot Donato Oliverio i Eparkisë së Ungrës dhe imzot Giorgio Gallaro i Horës së Arbëreshëve – por edhe nga krerë e përfaqësues të besimeve të tjera fetare nga Shqipëria, nga presidenti i Parlamentit shqiptar e nga ministra e autoritete të tjera politike. Dalloheshin kostumet arbëreshe e ato të veriut shqiptar, veladonët e ipeshkvijve, kapela e kuqe e kardinalit, veshjet për festë të besimtarëve, ndonjë fytyrë kureshtare e Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, artistët me origjinë shqiptare, që njihen tashmë, në të gjithë botën.

Papa/Kjo foto është e drejtë eskluzive për ALVA.AL

Fjalët e Papës Françesku

Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar. Por Ati i Shenjtë nuk mbeti në kohët e shkuara. I nxiti shqiptarët për “një impenjim të risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”. U foli për “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri – pohoi Papa – kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë, në bashkëpunim e vëllazërim”. Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend, më 21 shtator 2014. E së fundi, kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.

Papa2/Kjo foto është e drejtë eskluzive për ALVA.AL

Koncerti në Teatrin Argjentina të Romës

Gjithë grupi i shqiptarëve, pas takimit me Papën Françesku, shkoi në Teatrin Argjentina, në qendër të Romës, ku në orën 20:30, 10 artistë shqiptarë me famë botërore dhanë koncertin me temë

“Të bashkuar në muzikë, në kujtim të Skënderbeut”.

Dua Lipa, Ermal Meta, Inva Mula, Olen Çezari, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Eno Peçi, Elhaida Dani, Lorik Cana dhe Erza Muqolli, këngëtarja 8-vjeçare, aq e dashur për publikun francez: këta janë “yjet” shqiptare në koncertin e Romës për Gjergj Kastriotin. Publiku përshëndetet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Burimi: R.SH. https://www.vaticannews.va/