“Portreti i Skënderbeut” Ismail Kadare
Si ditë e plotë ai shtjellej
me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
tjetrin si hënën, Skënderbe.
Dy brirë dhie kish mbi krye
emblemë e vjetër e çuditshme
sikur ta dinte që mes brirëve
dy perandorë do të godiste.
Njëzet e katër luftëra bëri
njëzet e katër vdekje theu
çka mangut linte ditën Gjergji
plotësonte natën Skënderbeu.
Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
në mijëra varre ata u shtrinë
gjithçka të shumtë ai e pati
të vetme kish veç Shqipërinë.