Shoqata “Bashkësia Dibrane”, për më shumë se 100 vjet vazhdon të eci denjësisht nën gjurmët historike atdhetare duke zhvilluar dhe pasuruar më tej kontributin dhe vlerat e Dibrës së Madhe, vendit të pasurive shumëdimensionale, pasuri këto tepër të çmuara dhe me vlera të mëdha ndër breza, gjithnjë në shërbim të komunitetit, shoqërisë dhe atdheut.

Një përfaqësi e Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, u ftua nga Insitucioni i Presidentit të Republikës në një takim audiencë me Kryetarin e Shtetit, Shkëlqesia e tij, z. Ilir Meta. Në këtë takim mernin pjesë një përfaqësi nga Kryesia dhe Këshilli i të Urtëve i SHBD-së si dhe këshilltari i Presidentit të Republikës z. Ylli Asllani.  

Presidenti Ilir Meta, vlerësoi rolin dhe kontributin disa vjeçar të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, e themeluar më 1908 nga lëvizjet kombëtare dhe vlerat e komunitetit dibranë në tërësi. Ai u njoh me SHBD e cila përfaqëson komunitetin dibran në Tiranë, të cilët si pasojë e genocidit dhe e kryengritjeve të vitit 1913 lanë vendin e tyre,  Dibrën e Madhe, për tu vendosur në Tiranë e më gjerë.

Një rezyme të veprimtarisë së shoqatës iu bë edhe nga kryetari i SHBD-së z. Bujar Kapexhiu, ndërsa në emër të komunitetit dibranë në Tiranë dhe shoqatës “Bashkësia Dibrane”, ju dhuruan Presidentit Ilir Metës dhe Akti i Shpalljes së Pavarësisë  Kombëtare me firmëtarët e saj ruajtur nga arkiva familjare e Faik Shatkut’ dhe botimet më të fundit me autorë e studiues dibranë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi punën dhe angazhimin e komunitetit dibranë për ruajten dhe gjallërimin e traditës dhe të bashkëjetesës me komunitetet e tjera, në frymën e mirëkuptimit, harmonisë dhe qytetarisë.   Gjithashtu ai shprehu dëshirën për tu takuar së shpejti në aktivitetet e shoqatës “Bashkësia Dibrane”.

Shënim: Faik Shatku, ishte jurist, ministër dhe përfaqësues shqiptar i prefekturës së Dibrës në Kuvendin Kombëtar përgjatë legjislaturës 1937-’39.

Burimi:Bashkësia Dibrane / Përshtati për ALVA: Manjola Perja