Trevat shqiptare ndodhen në gjerësitë mesatare të hemisferës verirore. Shtrihen në Europën Juglindore dhe janë pjesë e Ballkanit perëndimor. Në perëndim lagen nga detet Adriatik dhe Jon, ndërsa në lindje shtrihen drejt pjesës kontinentale ballkanike. Kanë një pozitë të favorshme gjeografike pasi gjenden në kryqësimin e rrugëve që lidhin mesdheun perëndimor me ballkanin lindor dhe azinë e vogël.
Në Shqipëri dominojnë forma të shumëllojëshme të relievit me kombinime të bukura brenda sipërfaqesh të vogla të relieveve malore me ato kodrinore, të relieveve luginore me ato fushore etj., të cilat krijojnë peisazhe shumë të bukura dhe interesante natyrore për syrin e turistit siç janë: cirqet akullnajore, grykat e thella lumore, shpellat karstike, ujëvara etj.
Lartësia mesatare e relievit është 708 metra, ose 2 herë më e lartë se mesatarja e Evropës. Lartësitë më të mëdha gjenden në Alpet shqiptare dhe në malet e Lindjes (Korabi 2751 metra mbi nivelin e detit, përbën edhe majën më të lartë të Shqipërisë).
Relievi i tokave shqiptare shtrihet nga niveli i detit deri në lartësinë 2751m (mali i Korabit). I gjithë ky ndryshim i lartësisë ndikon në ndryshimet e mëdha klimaterike, në bimësi, si dhe në dendësinë e vendosjes së qendrave të banuara në drejtim vertikal.
Relievi i trevave shqiptare, që është kryesisht kodrinoro-malor, tepër i larmishëm, me kontraste të mëdha dhe shumë i copëuar, ndikon në shumë dukuri të klimës, të hidrografisë, të tokave dhe të bimësisë. Duke u nisur nga lartësia mbi nivelin e detit, dallohen: relievi i ulët, i mesëm dhe i lartë.
Relievi i ulët shtrihet nga niveli i detit, deri në 200 m mbi këtë nivel. Ai përfshin fushat dhe kodrat e ulëta pranë brigjeve detare të Adriatikut e Jonit dhe përgjatë sektorëve të mesëm të luginave lumore.
Relievi i mesëm shtrihet nga 200 deri ne 1000m mbi nivelin e detit. Ai ka shtrirjen më të madhe dhe përfshin: kodrat, gropat, fushëgropat dhe luginat kryesore.
Relievi i lartë shtrihet 1000 m mbi nivelin e detit dhe përfshin malet dhe sistemet malore. Pjesa më e madhe e këtyre maleve ka lartësi deri në 2000 m. Malet me lartësi më të madhe se 2000 m kanë shtrirje të kufizuar.
Burimi: wikipedia